Kryetari i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, zhvilloi sot një takim elektoral me mbështetësit në Njësinë nr. 8 në Tiranë, ku prezantoi kandidatin e partisë, Pëllumb Seferin.
Gjatë fjalës së tij, Basha sulmoi kryeministrin Edi Rama, duke e akuzuar për korrupsion dhe boshatisjen e vendit nga shqiptarët. Ai e sfidoi publikisht Ramën, duke thënë se prej një muaji nuk ka dhënë shpjegime për aleatët dhe bashkëpunëtorët e tij.
“Rama ka 1 muaj që nuk tregon se ku i ka shokët. Premtoi 300 mijë vende pune, shëndetësi falas, por në realitet dëboi shqiptarët nga vendi. Shqipëria 313 është projekti i tij i vërtetë, duke futur në kolaps pronarët e ligjshëm. Korrupsioni është arsyeja kryesore e braktisjes së vendit,” u shpreh Basha.
Basha i bëri thirrje qytetarëve të mos votojnë më për mazhorancën pas 12 vitesh qeverisjeje, duke i akuzuar se e kanë ndarë pushtetin mes qeverisë dhe strukturave kriminale.
“Është koha që shqiptarët të mos votojnë si dele për të njëjtët njerëz që i kanë mashtruar për vite me radhë. Në 14 maj ata kanë një zgjedhje të qartë: të thonë jo Edi Ramës dhe qeverisë së tij të korruptuar,” deklaroi ai.
Duke ironizuar Ramën, Basha tha se kryeministri ka shpikur terma të rinj për të larguar vëmendjen nga dështimet e tij.
“Shpiku ‘bufin e kënetës’, tha ‘o unë, o ai’ (duke iu referuar Berishës). Nxori gogolin para shqiptarëve, por qytetarët nuk duhet të bien në këtë kurth politik. Zgjidhja është Koalicioni Euroatlantik, numri 4,” vijoi ai.
Në vijim të fjalës së tij, Basha akuzoi edhe Ramën dhe Berishën për vjedhjen e programit të KEA-së, duke theksuar se ai është vlerësuar nga ndërkombëtarët.
“Pas censurës, tani po e kopjojnë programin tonë dhe po e shesin si të tyrin. Nuk ka vend për ‘vezë qyqesh’ në partinë tonë si te partitë e vjetra të korruptuara. Kush merr vota, shkon në Parlament,” përfundoi ai.
‘Shqipëria 313 është projekti i vërtetë i Ramës’, Basha: Ka 1 muaj që nuk tregon se ku i ka shokët
