Agjencia Europiane e Zbatimit të Ligjit, Europol, ka kryer operacionin më të madh ndonjëherë kundër pedofilisë në internet, i shtrirë edhe në vendin tonë.
Në këtë operacion të quajtur “Stream” morën pjesë 35 vende nga e gjithë bota, dhe u godit platforma më e madhe që përdorej për shfrytëzimin seksual të fëmijëve, Kidflikx. Operacioni ka rezultuar në zbërthimin e platformës së pedofilisë, e cila kishte globalisht rreth dy milionë përdorues, dhe mbylljen e saj.
Hetimi 3-vjeçar çoi në identifikimin e 1393 personave të dyshuar, 79 të arrestuar, marrjen në mbrojtje të 39 fëmijëve, si dhe sekuestrimin e mbi 3000 pajisjeve elektronike.
Në operacion kanë marrë pjesë edhe agjencitë ligjzbatuese të vendit tonë, ndërsa është proceduar penalisht një 29-vjeçar shqiptar, të cilit iu sekuestruan tre celularë dhe një laptop.
Kidflix ishte krijuar në vitin 2021 nga një kriminel kibernetik dhe ishte platforma më e njohur mes pedofilëve.
Sipas autoriteteve, 91,000 video me përmbajtje pornografike me të mitur ishin ngarkuar gjatë kohës që aplikacioni ishte aktiv. Abuzuesit seksualë të fëmijëve kishin të drejtë të ngarkonin apo shkarkonin materiale me pagesë, të cilat bëheshin në kriptovalutë dhe tokens.
Njoftimi:
Policia e Shtetit, pjesë e operacionit policor ndërkombëtar të koduar “Stream”, kundër shfrytëzimit seksual të të miturve, në internet.
Në operacion morën pjesë agjencitë ligjzbatuese të 35 shteteve, përfshirë Policinë e Shtetit.
Operacioni ndërkombëtar “Stream” u drejtua nga Policia Kriminale Shtetërore e Bavarisë dhe nga Zyra Qendrore Bavareze për Ndjekjen e Krimit Kibernetik (ZCB), dhe u mbështet nga EUROPOL.
Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Policinë e Shtetit, pas informacioneve të ardhura nga autoritetet policore të Gjermanisë dhe EUROPOL, se dhe një shtetas shqiptar ishte i implikuar në këtë veprimtari kriminale, i ka referuar materialet procedurale Prokurorisë së Tiranës, e cila ka regjistruar procedim për veprën penale “Pornografia”, me të mitur.
Si rezultat i veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike dhe Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, u mundësua identifikimi i të dyshuarit, shtetasit M. Z., 29 vjeç, banues në Tiranë.
Gjithashtu, u ekzekutua vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për kryerjen e kontrolleve në banesën e 29-vjeçarit, ku u sekuestruan në funksion të hetimit, 3 celularë dhe 1 laptop.
Paisjet e sekuestruara janë dërguar për ekzaminime kompjuterike të mëtejshme.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, në vendin tonë.
