Viti i fundit i koncesionit “të ndotur” të sterilizimit, ja të pathënat e aferës me firmë shtetërore dhe gjurmë…

Në fillim të vitit që vjen pritet të mbyllet kontrata koncesionare e sterilizimit me modelin Partnerit Publik Privat (PPP) si rrjedhojë e përfundimit të afatit. Nga rreth 100 milionë euro që ishte programuar financimi i sterilizimit të sallave kirurgjikale për 10 vite, kosto reale e koncesionit arriti për 2017-2026 mbi 15.3 miliardë lekë ose 53 për qind më shumë se parashikimet në kontratën mes koncesionarit “Sani Service” dhe qeverisë shqiptare. Burimet nga Ministria e Shëndetësie bënë me dije se, shërbimi do të kalojë shtetit vitin që vjen, por vendimi përfundimtar do të varet nga qeveria e re e shtatorit. Grupi i monitorimit të kontratës është në fazë pune dhe po përpilohet një raport final, i cili më pas do të shërbejë për vendimmarrjen finale.
Koncesioni skandaloz
Në dhjetor 2015, Ministria e Shëndetësisë firmosi një kontratë PPP 10-vjeçare me kompaninë “Sani Service”, për sterilizimin e instrumenteve kirurgjikale në spitalet publike me vlere prej 100 milionë eurosh. Teksa koncesioni u dha, një autoklavë e investuar miliona euro brenda QSUT me fonde publike nuk funksionoi kurrë. Në vitin 2018, kostoja e sterilizimit rezultoi 28% më e lartë sa plani, duke detyruar ministrinë të kufizojë operacionet e lehta. Në gusht 2023, SPAK lëshoi me 8 urdhër-arreste për zyrtarë të lartë dhe pronarët e koncesionit, të cilët u akuzuan për shpërdorim detyre, falsifikim dokumentesh, korrupsion pasiv dhe shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në gara. Pak ditë pas urdhrave, u zbulua se kontrata origjinale mungonte nga arkiva e Ministrisë së Shëndetësisë, ndonëse SPAK sqaroi se e kishte siguruar kopjen autentike nga institucione të tjera.
Hetimi zbuloi se studimi i fizibilitetit ishte kryer me të dhëna të rreme. Koncesioni i sterilizimit, një marrëveshje PPP e financuar nga taksa e qytetareve rezultoi një aktivitet me korrupsion sistematik, shpërdorim detyre dhe kapje të shtetit. Shumica e kontratave koncesionare me PPP të tilla si incenertoret, kontratat në shëndetësi etj që u prezantuan nga qeveria si novatore kanë rezultuar skandale financiare, duke bërë që paratë publike të ikin për përfitime private në vend të përmirësimit të sistemit shëndetësor. Sipas kontratës së nënshkruar ndërmjet kompanisë koncesionare Sani Servis dhe qeverisë shqiptare, sterilizimi për një operacion të ndërlikuar kushton 37.700 lekë, për ndërhyrje mesatare 22.300 lekë dhe për operacionet periferike kushton 13.900 lekë. Të gjitha këto tarifa paguhen duke shtuar Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Ndërkohë ekspertë të shëndetësisë pohojnë se sterilizimi i pajisjeve kirurgjikale me autoklavë do të kushtonte shumë më lirë se, se 17 milionë euro në vit, që i paguhen sot koncesionarit.
Ilir Beqaj në qendër të skandalit
Gjithashtu në këtë aferë ka dalë dhe emri i ish-ministrit Ilir Beqaj. Ai është i pandehur për dosjen e koncesionit të sterilizimit, ndërsa më 18 mars iu komunikua edhe akuza shpërdorim detyre e kryer në bashkëpunim. Ndaj Beqajt rëndojnë akuzat “Shpërdorim detyre”, e kryer në bashkëpunim. Gjykata e Posaçme ka ndarë zyrtarisht pak ditë më parë çështjen dhe ka pranuar gjykimin e shkurtuar për 8 të pandehurit, të cilët përfitojnë ulje të një të tretës së dënimit nëse shpallen fajtorë. Ndërsa Beqaj mbetet i vetëm jashtë kësaj lëvizjeje, duke u përballur me drejtësinë me gjykim të zakonshëm dhe pa asnjë mbrojtje kolektive.
Ish-ministri po përpiqet të shpëtojë përmes një dokumenti të vitit 2017 për pushimin e një hetimi të mëparshëm, duke e konsideruar si “provë pafajësie”. “Mbrojta ime ka marrë një përgjigje nga zoti Kondili si prokuror i çështjes për një kërkesë që i kemi bërë SPAK. Unë kam kërkuar nga SPAK që të marrë një vendim të 2017 nga prokuroria e krimeve të rënda ndërsa tani SPAK. E kam bërë disa herë këtë kërkesë.  SPAK nuk ma vendosi në dispozicion, e gjeta tek Kuvendi kërkoj vendim që shkoi tek kuvendi për komisionin hetimor. Vendimi ka të bëj me një vendim të prokurorisë së Tiranës për pushim të çështjes për dosjen e sterilizimit. Prova të pafajësisë sipas meje nuk i shqyrton organi procedues, e ka detyrim ligjorë të kërkoj si prova për fjalinë ashtu edhe për pafajësinë një të pandehuri. Dua që ky vendim të merret nga gjykata dhe të shqyrtohet si provë”, ka thënë Beqaj.
Dosja hetimore
SPAK bëri me dije se “Më datë 20 nëntor 2021 nga kërkimet e kryera në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, rezulton se nga postimi i datës 27 nëntor 2013 me titull ‘Thuaji Po Shqipërisë’, vërehet një album me fotografi të aktivitetit sipërcituar. Në këto fotografi bie në sy se në disa prej tyre është fokusuar shtetasi Ilir Rrapaj, i cili ndodhet në praninë edhe të ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj, si dhe zv.ministrit Klodian Rjepaj”, thuhet në dosjen hetimore. Do të ishte pikërisht Ilir Rrapaj, njeriu që deri në këtë moment qëndronte në krah të ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe numrit dy të dikasterit, Klodian Rjepaj, që pas aktivitetit ‘Thuaj Po Shqipërisë’, do të ishte në vitin 2015, fitues i koncesionit 100 milionë euro të Sterilizimit nëpërmjet kompanisë ‘SaniService’. Disi e habitshme po të mendosh kapitalin dhe sipërmarrjen që Ilir Rrapaj kishte në Itali, koncesion që pas kallëzimit të Nismës ‘Thurje’ në dhjetor të vitit 2019, përfundoi në SPAK.
Por prania e biznesmenit Ilir Rrapaj në krah të dy drejtuesve të lartë të Shëndetësisë në tubimin mjekësor “Thuaj Po Shqipërisë”, nuk do të ishte e para, por as edhe e vetmja në vazhdim. Këtë herë ai do të shfaqej në praninë e tyre, vetëm dy javë më pas, në një pritje që Universiteti i Peruxhias, kishte organizuar për ministrin Beqaj. “Më datë 18 dhjetor 2013, ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe zv/ministri Klodian Rjepaj, janë takuar me drejtues akademikë të Universitetit të Peruxhias. Koordinatorë shkencorë për dy institucionet janë caktuar Ilir Beqaj dhe Prof. Gianni Bidini. Gjatë një kontrolli të kryer në faqen e ‘facebook’ të Ministrisë së Shëndetësisë vërehet postimi i një albumi fotografik me të njëjtin titull dhe në të njëjtën datë. Në këto fotografi vërehet shtetasi Ilir Rrapaj në krah të zv.ministrit të Shëndetësisë Klodian Rjepaj, në anën e delegacionit të Ministrisë së Shëndetësisë ku ndodhet dhe ministri Ilir Beqaj”,thuhet në dosjen e Prokurorisë së Posaçme.
Hetimet
Kjo foto duket se shërbeu për SPAK edhe si një indicie për të ndjekur të gjithë linjën e afeksionit që lidhi më pas ministrin e Shëndetësisë dhe zëvendësin e tij me biznesmenin që në vitin 2015 do të fitonte koncesionin shumëmiliardësh të ‘Sterilizimit’. Pikërisht në këtë foto, në sallë ndodhet i ulur edhe një tjetër personazh, i cili do të rezultojë nga hulumtimet e SPAK, se është një tjetër aktor i rëndësishëm i kompanisë ‘SaniService’, kompania, që siç thamë në vitin 2015 do të fitonte koncesionin e sterilizimit. Ky person del të jetë Umbro Staccini (Umbro Staçini),  i jepet nga Departamenti i Kirurgjisë në Fakultetin e Mjekësisë, certifikata e mirënjohjes, për kontributin e çmuar që sipas këtij Fakulteti ai ka dhënë në dhurimin dhe sigurimin e pajisjeve kirurgjikale në Shërbimet Universitare të Kirurgjisë. “Në njërën nga fotografitë në dukje të një salle me karrige ku ndodhen të ulur ministri Ilir Beqaj, zv/ministri Klodian Rjepaj, shtetasi Ilir Rrapaj, vërehet dhe një person tjetër, në dukje si shtetasi Umbro Staccini. Këta janë aktorët me të rëndësishëm të koncensionarit ‘SaniService’.
Gjithashtu, vërehet në dukje edhe Prof. Gianni Bidini”,-thuhet më tej në dosje. Umbro Staccini, duket se ka pasur një rol të rëndësishëm edhe në takimet që më pas Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, do të zhvillojë në Umbria të Italisë me drejtues të rëndësishëm të këtij rajoni. Siç ishte edhe pritja që drejtuesja e këtij rajoni, i bëri ministrit Beqaj, në fund të vitit 2014, ku edhe në këtë takim, sipas fotove të verifikuara nga SPAK, nuk mungon biznesmeni Ilir Rrapaj që duket se ka shërbyer si një lloj xholi midis drejtuesve të lartë shqiptarë të shëndetësisë dhe Umbro Staccinit, që nga ana e tij ka shfrytëzuar lidhjet me politikën vendase, me qëllim për të konkretizuar marrëveshje të rëndësishme në fushën shëndetësore midis Shqipërisë dhe Italisë. “Me shkresën Nr. 2202 Prot., datë 2 Prill 2014 të Ministrit të Shëndetësisë llir Beqaj, drejtuar Shefave të Shërbimit të Kirurgjisë, u kërkohet atyre takim në Ministrinë e Shëndetësisë më datë 4 prill 2014 ora 16:00, për strategjinë e Sistemit Shëndetësor, ku në bashkëpunim me Universitetin e Peruxhias Itali, organizojnë një takim në lidhje me mundësinë e ofrimit të shërbimit të sterilizimit të instrumenteve mjekësore për sallat e operacionit”, thotë dosja hetimore.