Elmas Bogdani
Më 27 mars 2025, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka shpallur vendimin zyrtar për të mosfilluar procedimin penal ndaj një grupi personash të kallëzuar si pjesë e një organizate kriminale, të dyshuar për urdhërimin dhe kryerjen e vrasjes së Elez dhe Cen Haklajt, më 8 maj 2002 në qytetin e Bajram Currit. Mes të kallëzuarve ndodhej edhe ish-presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha, së bashku me emra të tjerë të përmendur si pjesë të strukturave kriminale të pretenduara nga kallëzueset Shote dhe Vjollca Haklaj. Kështu mbyllet zyrtarisht një prej kallëzimeve më serioze dhe të ngarkuara politikisht të dekadës së fundit, me konstatimin se nuk ka prova ligjore, fakte konkrete apo kushte juridike për regjistrimin e një procedimi penal, për veprat penale të “vrasjes me paramendim”, “organizate kriminale” dhe “kryerjes së veprave penale nga organizata kriminale”.
Ngjarja e datës 8 maj 2002 sipas dosjes penale
Sipas akteve të procedimit penal nr. 55 të vitit 2002, që SPAK i ka shqyrtuar në vendimin e marsit 2025, rezulton se më 8 maj 2002, rreth orës 07:40, shtetasit Elez dhe Cen Haklaj ishin duke ecur në rrugën e spitalit në qytetin e Bajram Currit, kur iu afrua një automjet i bardhë me targa të huaja. Nga automjeti u qellua me armë zjarri nga të paktën dy persona, dhe si pasojë të shtënave ata mbetën të vdekur në vend. Automjeti u largua me shpejtësi në drejtim të “Lloqit të Kolgecajve”, ku autorët qëlluan në ajër për frikësim dhe më pas u larguan në drejtim të fshatit Margegaj.
Disa orë më vonë, në vendin e quajtur Këlcyrë, u gjet një automjet i djegur, Volksëagen Golf, me numër shasie ËVZZZ19ZHB566427. Brenda tij u gjetën 5 gëzhoja armë zjarri, të cilat nga ekspertiza balistike rezultuan se ishin qitur nga e njëjta armë që u përdor në vendin e ngjarjes. Në vendin e ngjarjes u sekuestruan gjithashtu 2 gëzhoja dhe 2 bërthama predhash, të cilat sipas ekspertëve ishin blindëshpuese, duke treguar qartë që kishim të bënim me një atentat të mirëorganizuar.
Kallëzimi i familjes Haklaj: akuza ndaj Berishës dhe të tjerëve
Sipas pjesës së dytë të kallëzimit nr. 57/2025, Vjollca dhe Shote Haklaj pretendojnë se vrasja e 8 majit 2002 ishte pjesë e një zinxhiri atentatesh të organizuara nga një strukturë kriminale e ngritur nga Sali Berisha dhe bashkëpunëtorët e tij. Në kallëzim përmendet se vrasja u krye nga tre persona të armatosur që udhëtonin me një veturë, e cila më pas u dogj në fshatin Këlcyrë. Ata pretendojnë se vrasësit u strehuan në fshatin Dragobi, në shtëpinë e njërit nga pjesëtaret e organizatës.
Po ashtu, në kallëzim thuhet se hetimi fillestar është penguar nga prokurori i kohës, Besim Hajdarmataj, për shkak të lidhjeve familjare me një nga personat e dyshuar si autor, Miftar Lumneshi dhe Sali Berisha. Sipas kallëzimit, Hajdarmataj jo vetëm që nuk hetoi, por sipas tyre, udhëtonte me vrasësin, dhe shpenzimet e udhëtimeve paguheshin prej këtij të fundit. Familjarët i kërkuan SPAK që të merrte në konsideratë edhe dokumentacionin nga dosja e vetingut të Hajdarmatajt.
SPAK rrëzon kallëzimin: Asnjë provë konkrete, asnjë lidhje ligjore
Nga analiza e kryer nga prokurori Ened Nakuçi mbi materialin kallëzues dhe aktet e dosjes së pezulluar nr. 55 të vitit 2002, rezulton se: Hetimi është kryer nga prokurori Dritan Prençi dhe jo nga Hajdarmataj. Përpjekjet për identifikimin e autorëve dështuan, pavarësisht dëshmive të shumta. Letërporosia në Gjermani nuk prodhoi emra konkretë autorësh. Dëshmitarët deklaruan se nuk mundën të identifikonin personat që ndodheshin në automjetin nga ku u krye atentati. SPAK thekson se nuk ka asnjë fakt që të lidhë Sali Berishën apo të tjerët e kallëzuar me organizimin, urdhërimin apo kryerjen e vrasjeve.
Argumentimi ligjor: Pse nuk ekziston “organizata kriminale”?
SPAK i referohet vendimeve të Gjykatës së Lartë (nr. 348/2012 dhe nr. 107/2024) për të sqaruar konceptin juridik të “grupit të strukturuar kriminal” dhe “organizates kriminale”. Në vendim theksohet se: Për të ekzistuar një organizatë kriminale duhet të provohet strukturimi, ndarja e roleve, hierarkia dhe qëllimi afatgjatë i kryerjes së veprave penale. Nuk mjafton bashkëpunimi i dy apo tre personave për të përmbushur kriteret ligjore. Sipas SPAK, nuk ka asnjë provë për ndarjen e roleve mes të kallëzuarve, as strukture organizative, dhe kallëzimi nuk përmban asnjë fakt objektiv që të provojë ekzistencën e organizatës.
Parashkrimi penal dhe pengesa ligjore për procedim
SPAK, duke iu referuar nenit 66 të Kodit Penal, thekson se ka kaluar afati 20-vjeçar i ndjekjes penale për krime me dënim mbi 10 vite. Pasi veprat penale në fjalë janë kryer më 8 maj 2002 dhe kallëzimi është depozituar më 21 mars 2025, SPAK konkludon se edhe nëse do të kishte prova të reja, ndjekja penale nuk mund të fillojë për shkak të parashkrimit.
Vendimi final i SPAK
Prokurori Nakuçi shpall zyrtarisht: “Mosfillimin e procedimit penal në lidhje me kallëzimin penal nr.57, datë 21.03.2025 për kryerjen e veprave penale të ‘Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese’, ‘Organizatës kriminale’, dhe ‘Kryerjes së veprave penale nga organizata kriminale’, lidhur me ngjarjen e datës 8 Maj 2002, në Tropojë ku janë vrarë shtetasit Elez dhe Cen Haklaj.”
Përfundim
Ky vendim i SPAK, i mbështetur ekskluzivisht në analizën e akteve të hetimit të vitit 2002 dhe ligjin penal shqiptar, vendos një vijë përfundimtare në dosjen e vrasjes së dy anëtarëve të familjes Haklaj. Pavarësisht pretendimeve që kjo familje ka ngritur prej vitesh në publik dhe drejtësi, SPAK konkludon se nuk ka prova ligjore që të mbështesin përgjegjësi penale ndaj asnjërit prej të kallëzuarve, përshirë këtu edhe Sali Berishën. Me mosfillimin e procedimit penal, kjo dosje e ndjeshme dhe e zgjatur në kohë mbyllet pa pasoja ligjore për askënd, edhe pse vrasjet mbeten ende të pazbardhura në nivel autorësh konkretë.
Avokati i familjes Haklaj ka apeluar vendimin
Pas shpalljes së vendimit për mosfillimin e procedimit penal, avokati i përfaqësues i Shote dhe Vjollca Haklajt ka ushtruar apel ndaj vendimit të SPAK.
Dosja e “Tropojës” për vrasjen e Elez dhe Cen Haklajt mbyllet nga SPAK, asnjë përgjegjësi për Sali Berishën dhe…
