Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Preshevë, ku u prit nga kryetarja e Komunës, Ardita Sinani, dhe ambasadori i Shqipërisë në Serbi, Bardhyl Canaj. Vizita u zhvillua në kuadër të Panairit të Parë të Librit Shqip, një nismë që synon promovimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare kudo ku jetojnë shqiptarë.“Një organizim i veçantë për të sjellë gjuhën shqipe kudo ku ka shqiptarë, si një pasuri të madhe të përbashkët, për të cilën kemi detyrë ta ruajmë, ta kultivojmë dhe ta përcjellim ndër breza,” u shpreh ministri Gonxhja.Në kuadër të kësaj vizite, Gonxhja mori pjesë edhe në spektaklin artistik “Shën Tereza, shqiptarja e gjithë botës”, kushtuar figurës së misionares së njohur shqiptare, që u mbajt me pjesëmarrjen e komunitetit vendas.Në një reagim në rrjetet sociale, ministri Gonxhja theksoi se është “nder dhe përgjegjësi e veçantë” të jesh i pari ministër përgjegjës për kulturën që viziton Preshevën – një vend ku ndjenja e përkatësisë kombëtare është e gjallë dhe ku dashuria për gjuhën dhe kulturën shqiptare është burim frymëzimi për më shumë mbështetje institucionale.“Presheva mbetet një simbol i krenarisë shqiptare dhe i qëndresës për ruajtjen e identitetit kombëtar,” shkroi ai.Kjo vizitë u konsiderua një hap i rëndësishëm për forcimin e lidhjeve mes institucioneve shqiptare dhe komuniteteve jashtë kufijve, si dhe për mbështetjen e përpjekjeve për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe trashëgimisë kombëtare në trevat shqiptare të Luginës së Preshevës.
Ministri Gonxhja në Preshevë: Gjuha shqipe, pasuri që duhet ruajtur ndër breza
