Të gjithë drejt qirave ditore, por u rritën ato mujore, duke dëmtuar klientët vendas

Rendja e pronarëve të apartamenteve drejt qirave ditore, në kërkim të një kthimi më të lartë, bëri që të ulet stoku i njësive që lëshohen për afate të gjata. Kjo tendencë “deformoi” tregun dhe çoi në rritjen e qirave mujore, që në kryeqytet fillojnë tashmë nga 400 euro/muaj.Zhvillimet ishin në dëm të klientëve vendas, që përgjithësisht kërkojnë strehim afatgjatë, të cilët panë shtrenjtim të kostove të jetesës dhe në favor të turistëve të huaj, që sot u gëzohen akomodimeve ditore që janë ndër më të lirat në Europë, edhe me 30 euro.Sot dhënia e apartamentit me qira ditore edhe kur e ke në pronësi, rezulton se nuk sjell më shumë të ardhura se lëshimi i pronës me afat mujor.Në Tiranë, p.sh. e ardhura ditore neto në prill 2025 ishte 24.7 euro, ose 740 euro në muaj, për një çmim mesatar ditor prej 44 eurosh në muaj, por që ka një normë zënieje prej 56%.Për apartamentet në periferi, çmimi mesatar është 30 euro, që me një normë zënieje prej rreth 50%, sjell mesatarisht të ardhura rreth 450 euro në muaj.Për qiradhënësit ditorë, kjo është një e ardhur bruto, pasi duhet të hiqen shpenzimet si energjia, amortizimi, kosto të tjera të riparimit e zëvendësimit të pajisjeve, etj., shpenzimet e vazhdueshme për peshqirë e çarçafë, që mund të arrijnë nga 100 deri në 200 euro në muaj.Këtyre u shtohet dhe komisioni, që për Airbnb është 4-7%.Nëse jep shtëpinë me qira mujore, sipas të dhënave nga agjencitë e pasurive të paluajtshme, në kryeqytet, një apartament 1+1, më i liri është në zonën e Freskut, që varion nga 330-400 euro, më i shtrenjti te zona e ish-Bllokut dhe e Stadiumit Air Albania, deri në 800 euro/muaj.Për apartamente 2+1, qiraja fillon nga 550 euro 2+1 dhe arrin në 1300 euro në zonën e Stadiumit Air Albania dhe ish-Blloku.Në pjesën më të madhe, të ardhurat nga qiraja afatgjatë janë neto, teksa shpenzimet për drita, ujë, administrim i paguan qiramarrësi, përveçse janë të sigurta.Por, pse po rendin të gjithë drejt qirave ditore? Stela Dhami, e “Colliers” thotë se në vend mungojnë alternativat e investimit. “Qiradhënësit mendojnë se do të fitojnë më shumë dhe nuk llogarisin koston e mirëmbajtjes e punës së përditshme, si dhe amortizimin e pronës nga përdorimi i shpeshtë”.  Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gezon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetm duke cituar “Revista Monitor” shogëruar me linkun e artikullit origjinal.