Skandali në institucionin e Hipotekës duket se po merr përmasa dramatike, ndërsa Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) akuzohet se është kthyer në një vatër sistematike korrupsioni. Qytetarët, për çdo shërbim të pronës, nga certifikata e pronësisë, te rivlerësimet dhe legalizimet, detyrohen të aplikojnë përmes e-Albania, një platformë që teorikisht duhej të ulte kontaktin me zyrtarët, por që në praktikë ka shtuar varësinë nga ndërmjetësit dhe ryshfeti. Shumica e qytetarëve nuk ia dalin dot vetë me aplikimet dixhitale dhe përfundojnë tek noterët, kancelaritë dhe qendrat private të internetit, të cilat shpesh janë të lidhura me zyrtarët dhe tarifojnë për “ndërmjetësim”. Në shumë raste, aplikimet ngecin, përgjigjet nuk kthehen dhe proceset zvarriten me muaj. Mijëra qytetarë kanë paguar disa herë për të njëjtin shërbim, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga Hipoteka.
Prapaskenat
Por kjo është shndërruar në një skemë të sofistikuar zhvatjeje. Në qendër të këtij rrjeti dyshohet se qëndron Lorena Goxhobelli, Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë së Kadastrës, e cila mësohet se po hetohet nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për keqpërdorim detyre dhe abuzim me pushtetin. Dyshohet se ajo ka ngritur një strukturë joformale, ku çdo shërbim kalon nëpërmjet “çelësit” të ryshfetit. Nga roja, te drejtuesi më i lartë, të gjithë janë pjesë e një sistemi ku qytetari paguan për të marrë të drejtën që i takon me ligj. Prapaskenat politike e bëjnë situatën edhe më të rëndë. Goxhobelli, një emër i lidhur ngushtë me kryeministrin Edi Rama, ka dhënë dorëheqjen dy herë, por është rikthyer në post me mbështetjen e tij personale. Kjo ka ngritur pikëpyetje të forta për “dosjet” që ajo mund të ketë në dorë dhe rolin e saj si “garantuese” e interesave të errëta në ndarjen e pronave. Burime brenda Kadastrës pohojnë për ekzistencën e një “liste të miqve”, ku aplikimet shqyrtohen me përparësi, ndërsa të tjerët sorollaten për muaj të tërë pa asnjë përgjigje. Për legalizime të thjeshta, qytetarët raportohet se kanë paguar deri në 10 mijë euro.
Bizneset gjithashtu denoncojnë presion dhe vonesa të qëllimshme, për të shtyrë drejt marrëveshjeve të dyshimta me palë të lidhura me drejtuesit e institucionit. Megjithatë SPAK ka nisur hetimet dhe burime konfirmojnë se Goxhobelli dhe disa zyrtarë të lartë janë nën lupën e prokurorisë për abuzime të rënda me pronën publike dhe procedurat e legalizimit. Megjithatë, deri më tani, nuk ka asnjë arrestim apo masë konkrete, duke ngritur dyshime për një mbrojtje të fuqishme politike. Pra e gjithë kjo panoramë tregon se sot, Hipoteka është kthyer në një “ishull të pavarur”, ku shteti nuk funksionon dhe ligji ka rënë. Ndërkohë një zyrtar në kushte anonimiteti e përshkruan situatën si një “bankë e pazareve të pronës”. Kadastra nuk është më vetëm një institucion i rëndësishëm administrativ, por një kërcënim serioz ndaj pronës private, të drejtave qytetare dhe vetë shtetit ligjor në Shqipëri. Sidoqoftë ndërsa qytetarët presin drejtësi, mbetet të shihet nëse kjo piramidë korrupsioni do të shembet, apo do të vazhdojë të ushqehet nga heshtja dhe pazaret në majat e pushtetit.
Hipoteka çerdhe e korrupsionit, si është kthyer e-Albania në “sportel” ryshfeti, rrjeti i Lorena Goxhobellit nën…
