Adrian Devolli: Në këtë stad kaotik që jemi, antivlera mbizotëron mbi vlerat në art

Ekspozita e radhës e artistëve të grupimit “Muri” do të hapet në galerinë e Beratit. Piktori i njohur Adrian Devolli bën me dije se ajo pritet që të hapet gjatë këtyre ditëve të qershorit dhe do të vijojë për publikun edhe në ditët e para të muajit që vjen. Në intervistën për gazetën “SOT” piktori i njohur Adrian Devolli ndërsa tregon për ekspozitën e radhës të grupimit “Muri” ndalet dhe te problemet me të cilat përballen artistët në aktivitetin artistik. Sipas tij në Tiranë është vështirësia me sallat për të ekspozuar, por ai shpreh keqardhjen që në aktivitetin artistik ndihet mungesa e kritikës profesionale në fushën e artit.
Piktori Adrian Devolli thotë  me mungesën e kritikës në art nuk dihet kush janë artistët e vërtetë dhe kush punon. Me kritika piktori Adrian Devolli shprehet edhe ndaj Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, që sipas tij me artistë të brezit të tij nuk është zhvilluar ndonjë takim mbi krijimtarinë sot apo dhe problemet.    Adrian Devolli me aktivitetin e tij është pjesëmarrës në ekspozita të ndryshme me grup autorësh, por edhe ato personale me të cilat është prezantuar për publikun me veprat e tij. “Trace” (Gjurmë) titullohej ekspozita më e fundit e piktorit të mirënjohur Adrian Devolli që u hap në Galerinë FAB pranë Universitetit të Arteve në Tiranë në shtator të vitit 2023.
Një ekspozitë e pritur shumë mirë nga artistët e arteve figurative, artdashës dhe më gjerë, të cilët ishin të shumtë në përurimin e saj. “Gjurmë”, në Galerinë e Fakultetit të Arteve të Bukura, (FAB) përmblidhte një pjesë të punëve më të mira të artistit, në pikturë, grafika, skulpturë dhe qeramikë. Kjo ekspozitë personale erdhi pas disa vitesh me punët e tij. Piktori Adrian Devolli nga viti 1979 deri më 1987 ka qenë restaurator pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës, më pas nga viti 1987 deri më 1991 ka qenë pranë Galerisë Kombëtare të Arteve, ku është marrë me shumë vepra. Aktiviteti i tij është me projekte restauruese në Manastirin e Ardenicës, si dhe në bashkëpunim me restauratorë të tjerë në Kishat e Bregut, Mborje të Korçës, etj.
-Grupimi artistik “Muri” që është krijuar para disa vitesh pritet që të hapë një tjetër ekspozitë këtë verë. Kur pritet të hapet ekspozita e radhës?
Nga data 24 qershor deri më datë 4 korrik do të hapet ekspozita e grupimit të artistëve “Muri” tek galeria e qytetit të Beratit. Kjo galeri është e madhe dhe jo e vogël, por siç ndodh këtu tek ne që i lënë pas dore, nuk ka sistemin e kondicionimit, është dhe taraca dhe duke qenë soletë pasdite bëhet si furrë. Për këtë arsye ne kemi vendosur, që ekspozita do të hapet paradite në orën 11:00.
 -Ju keni hapur dhe të tjera ekspozita më parë si grupim artistik jo vetëm në Tiranë, por edhe në galeritë e rretheve, ku sipas jush kjo edhe për shkak të mungesës së sallave të ekspozimit. Me çfarë vështirësish janë përballur artistët?
Tirana i ka mbyllur dyert. Edhe Galeria e Artit Tiranë, duke bërë lloj -lloj aktivitetesh aty, aktivitete të nivelit social, etj, ka filluar dalëngadalë duke e humbur funksionin e saj si galeri kur duhet të mbante të njëjtin status si galeri arti. Ndërkohë dhe te Piramida janë dy salla shumë të mira, por që dhe aty kërkojnë të plotësosh formularë, qëllimi, etj. Formulari për mendimin tim është me tepër burokratik dhe nuk ka lidhje. Atje janë dy salla të mira, por dalin gjëra të tjera dhe kur shkon aty shikon edhe piktorë diletantë, sepse nuk ka një këshill artistik kush quhet vepër arti dhe kush nuk quhet. Nëse doni të shikoni degjenerimin e Shqipërisë sot, në çfarëdo lloj lokali që të ulesh dëgjon një muzikë të tmerrshme, muzikë tallavaje në nivelin teknotallava që është kulmi i degjenerimit të shijes artistike. Kur një komb arrin në këto nivele është fundi, nuk ka më ku të shkojë.
 -Si piktor ju keni shprehur herë pas here si problem edhe mungesën e kritikës profesionale në fushën e artit. Në reagimet tuaja më parë keni shprehur se duhet të ketë një institucion, që është kritika, e cila i drejton njerëzit kush janë vlerat e vërteta ne art. Çfarë ka ndodhur për artin?
Kritika profesionale në fushën e artit mungon. Një pjesë e artistëve këtu nuk punojnë. Këta artistë për të mbajtur një lloj pozicioni të vetin i duhen fjalë. Unë nuk gjykoj mbi atë çka flitet, por gjykoj mbi çka shoh. Të gjithë ata që dalin sot janë njerëz që flitet, por duhet të tregojnë çfarë veprash kanë bërë? Institucionet këtu duhet të kishin rol kryesor, por flenë gjumë. Unë jam 70 vjeç dhe nuk jam thirrur njëherë unë dhe kolegët e mi brezi im nga institucionet, që kemi një interes të madh dhe prodhimtari të jashtëzakonshme, sepse nuk është kollaj të bësh një ekspozitë, dy, tre në vit pasi kjo kërkon impenjim të madh.
Por nga institucionet nuk i bie mendja të thërrasin për të bërë një simpozium, ku janë të metat, etj, sepse një vend pa kulturë është një vend i vdekur, është baraz me një vend analfabet. Këtu një pjesë e madhe po kthehen në analfabetë dhe analfabetë që të dish të shkruash dhe mos të kuptosh mbi atë çfarë shkruhet dhe për çfarë flitet. Një pjesë  e madhe artistëve, duke mos punuar dhe duke pas të vetpëlqyerin kërkojnë të mos ekzistojë kritika në art. Në Shqipëri ka ekspozita personale dhe ka shumë pak ekspozita të përbashkëta, kjo sepse artistët nuk duan të përballen me vlerat e njëri -tjetrit.
Në këtë stad kaotik që jemi antivlera mbizotëron mbi vlerat, sipas meje Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit duhet patjetër të financojë dhe subvencionojë dhe të inspirojë krijimin e një gazeta artistike siç ka qenë analoge në kohë të partisë gazeta “Drita” që ishte brenda kuadrit të asaj kohe, por si strukturë gazeta duhet të jetë një gazetë e tillë në të cilën të shfaqen kush punon, galeritë, veprat artistike që bëjnë artistët, ekspozitat e artit që hapen, koncerte që bëhen, etj. Kjo do sjelli si rrjedhojë dhe  fillimin e mendimit të kualifikuar kritik. Në këtë situatë siç është kaos nuk dihet kush janë artistët dhe kush punon, ku qëndrojnë vlerat, si janë, si vihen në pah këto vlera dhe këto antivlera. Ka ardhur si domosdoshmëri dhe duhet të ishte bërë prej shumë kohësh. A duhet me financim nga MEKI, etj, kjo diskutohet , por është domosdoshmëri.

-Në reagimet tuaja mbi problemet që janë në fushën  e artit ju keni shprehur dhe kritika në drejtim të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Sipas jush me artistë të brezit tuaj nuk kanë zhvilluar takime për çfarë ndodh me artet figurative, zhvillimet dhe problemet që hasin sot artistët. Çfarë prisni si piktor nga MEKI?
Ministria nuk bën asnjëherë lëvizje për artin, kur bëhet një ekspozitë dhe një drejtor drejtorie nuk dënjon të vijë dhe është një punë e madhe që bëjnë artistët. Unë nuk pres të rregullohet diçka, nuk bëhet asgjë në këtë vend, sepse kur një vend për 30 vjet nuk bën asnjë lloj lëvizje nuk pres të bëhet më gjë. Në atë Galeri Kombëtare të Arteve ishin ata njerëz që e krijuan atë me një përkushtim dhe shteti nuk bën një kolanë me libra, asnjë antologji për këta njerëz, ndaj nuk mund pres më nga shteti. Ne kemi ministra fjalësh, nuk bëjnë gjë. Nuk kemi pse t’i lutemi ministrisë për Kulturën. Nuk është ndihmë për artistët, por është ndihmë për shtetin. Artisti është udhëheqësi shpirtëror i një shteti. Në Greqinë e lashtë paguhej 100-fish një poet i madh në krahasim me një politikan, sepse ngre moralin e kombit, zhvillon kombin. Tek ne kjo gjë nuk kuptohet. Duhet të stimulosh artistët që derdhin djersën këtu, jo ata që janë jashtë dhe vijnë këtu një herë në 20- 30 vjet.
Intervistoi: Juljana Vrapi