Shkodra përkujtoi 34-vjetorin e masakrës së 2 prillit të vitit 1991, ku mbetën të vrarë Arben Broci, Bujar Bishanaku, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka, si dhe u plagosën dhjetëra qytetarë të Shkodrës.
Ngjarja e rëndë ndodhi vetëm dy ditë pas zgjedhjeve të para pluraliste, të cilat u fituan nga Partia e Punës. Fitore ndaj së cilës qytetarët e Shkodrës u ngritën në protestë, e cila do të ishte edhe protesta e fundit në Shqipëri kundër komunizmit.
Para memorialit kushtuar katër dëshmorëve të demokracisë u zhvilluan homazhe, ku morën pjesë kryetari i PD, Sali Berisha, familjarë të dëshmorëve të demokracisë dhe qytetarë të Shkodrës.
“Martirët e 2 Prillit janë frymëzim i madh për çdo qytetar të sakrifikojë për lirinë dhe votën e saj”, tha Berisha.
Berisha u bëri apel qytetarëve të Shkodrës që në këtë 2 prill të bashkohen rreth PD-së, duke hequr paralele mes diktaturës komuniste dhe qeverisjes së PS-së.
“Ne nderojmë sot këtë ditë para një ngjarje që do të ndajë epokat. Sepse përsëri ne nderojmë veprën e tyre të ndritur, sakrificën e tyre sublime në një diktaturë, e cila nuk bazohet më ideoligjinë e ish-komitetit të partisë, por bazohet në ideoliogjinë e Dobraçit, të krimit, të terrorit. Dhe kjo është një diktaturë po aq e shëmtuar sa e para”, tha Berisha.
Para gazetarëve, kryetari i PD, Berisha komentoi edhe marrjen si të pandehur nga SPAK të kandidatit të PD, Bardh Spahia, duke sulmuar kryebashkiakun socialist, Benet Beci.
“Bardh Spahia shkon në SPAK se ka zbatuar ligjin, ka mbrojtur kodin e një zyrtari, i cili nuk mund të pranojë delinkuentë në administratë.
Pra, ai proces na bën nder të gjithëve ne dhe i bën nder Shkodrës dhe çdo qytetari.
Tani, e vërteta është që ka një dosje tmerrësisht të rëndë për Benet Becin, me të cilën e mban peng Edi Rama”, tha kreu i PD.
Gjatë vizitës në Shkodër, kryetari i PD, Berisha takoi edhe familjarët e katër dëshmorëve të demokracisë./vizionplus.tv
