Denoncimet për abuzimet me pronat në Shkodër, Këshilli i Lartë Gjyqësor ndëshkon gjyqtaren Arta Llazari, çfarë u vendos

Këshilli i Lartë Gjyqësor pranoi pjesërisht kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD) për procedim disiplinor ndaj gjyqtares Arta Llazari, e cila ushtron detyrën pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Shkodër.
Pas shqyrtimit të hetimeve, Këshilli vendosi masën “Pezullim nga detyra për 6 muaj” për gjyqtaren. Hetimi ndaj gjyqtares Arta Llazari u nis pas 11 ankesave të paraqitura për veprime dhe mosveprime që përbëjnë shkelje të afateve ligjore për arsyetimin e vendimeve gjyqësore dhe për mosvënien në lëvizje të çështjeve civile. Inspektori i Lartë i Drejtësisë kishte propozuar shkarkimin nga detyra, duke argumentuar se veprimet e gjyqtares kishin dëmtuar procesin e drejtësisë dhe kishin cenuar besimin e publikut në sistemin gjyqësor.
Gjatë hetimit, u evidentuan raste të shumta ku çështjet nuk ishin trajtuar për mbi 3 vite, me një pjesë të konsiderueshme të çështjeve civile që kalonin afatet ligjore për dorëzimin e vendimeve. Për vitet 2022 dhe 2023, 90% e çështjeve civile të themelit ishin tej afatit për arsyetimin e vendimeve. Këto vonesa, sipas hetuesve, kanë dëmtuar të drejtën e qytetarëve për një proces të rregullt dhe të drejtë gjyqësor. Veprimet e gjyqtares janë cilësuar si të pakujdesshme, duke shkaktuar dëm në procedurat hetimore dhe duke dëmtuar imazhin e drejtësisë. Këshilli i Lartë Gjyqësor e pranoi kërkesën pjesërisht, duke vendosur pezullimin e gjyqtares për një periudhë 6-mujore nga detyra.