Amfiteatri antik i Durrësit u mbush mbrëmjen e së enjtes me ngjyra, tinguj dhe emocione, në hapjen e Festivalit të Muzikës dhe Valleve, organizuar nga World Festival Association.
Rreth 400 pjesëmarrës nga më shumë se 10 shtete, përfshirë Ukrainën, Poloninë, Bullgarinë, Rumaninë, Malin e Zi, Bosnjën & Hercegovinën, Kroacinë, Turqinë, Serbinë, dhe të tjerë, do të performojnë në ditët në vijim, duke sjellë me vete traditat, kostumet dhe shpirtin kulturor të vendeve që përfaqësojnë.
Pjesëmarrësit vlerësojnë faktin që marrin pjesë në këtë festival duke folur me superlativa për Shqipërinë.
“Jemi nga Polonia, nuk është hera e parë që vijmë këtu, por është hera e dytë që marr pjesë në këtë kompeticion. Mendoj se është një atmosferë fantastike dhe Shqipëria është një vend shumë i bukur.”
“Edhe unë jam nga Polonia dhe vij për herë të parë, është një eksperiencë shumë e mirë që marr pjesë këtu dhe më pëlqen shumë.”
“Unë jam nga Bullgaria, vij për herë të parë dhe jam shumë i kënaqur. Ne vallëzojmë dhe luajmë me këngë folklorike, jemi shumë të lumtur që marrim pjesë në këtë tur.”
“Ky është festivali më i madh që bëhet në lidhje me kulturat e ndryshme. Ne e bëjmë këtë festival çdo vit në Durrës duke filluar nga 2016 dhe dua të falënderoj të gjithë që na kanë bashkuar. Shqipëria po shkon shumë shpejt përpara duke u zhvilluar, jo vetëm me infrastrukturën dhe turizmin, por me çdo gjë. Të gjithë grupet që vijnë këtu nga jashtë kanë të njëjtin opinion: Shqipëria po zhvillohet shumë shpejt”, tha Zoran Strezovski, zv/presidenti i World Festival Association.
Ky festival ndërkombëtar, i kthyer në traditë tashmë do të vijojë gjatë gjithë verës duke sjellë tingujt dhe ngjyrat e këngëve dhe valleve folklorike anembanë botës. Festivali e ka shndërruar arenën antike të Durrësit në një skenë të gjallë të trashëgimisë kulturore botërore, ku vallet tradicionale dhe muzika folklorike i japin jetë një spektakli që i flet të gjitha gjuhëve./vizionplus.tv
