Murtaja e bagëtive, Meta: Një katastrofë për blegtorinë, pasojë e papërgjegjshmërisë së qeverisë

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar pas përhapjes së murtajës së bagëtive të imta në disa qarqe të vendit, duke e cilësuar situatën si një katastrofë për blegtorinë shqiptare dhe një shembull të papërgjegjshmërisë shtetërore ndaj sektorëve jetikë.
Meta vuri theksin te mungesa e vaksinimit, të cilën e konsideroi të pajustifikueshme dhe një krim ekonomik dhe social ndaj fermerëve shqiptarë. Sipas tij, kjo situatë vjen si rezultat i një strategjie të qëllimshme të qeverisë për të shkatërruar blegtorinë dhe për të përkeqësuar gjendjen e fshatit.
Ai theksoi se zgjidhja është e thjeshtë dhe e përballueshme financiarisht, por mungesa e vullnetit politik po i lë fermerët në mëshirë të fatit.
“Murtaja e bagëtive të imta është një katastrofë për blegtorinë, sektor jetik i lënë në mëshirë të fatit dhe tashmë i rrënuar edhe nga mungesa e subvencioneve. Zgjidhja është e thjeshtë: vaksinimi, që nuk po kryhet.
Me vetëm 3 euro mund të blihen 100 doza vaksine, ose me 30 mijë euro, më pak se një shishe verë që pi në ditë Kryerilindasi, mund të shpëtohet një sektor i tërë, të gjitha tufat, stanet dhe fermat e ndërtuara me shumë mund dhe sakrificë, që rrezikojnë të shfarosen vetëm për shkak të papërgjegjshmërisë së një Qeverie, që paralelisht me shpopullimin e Shqipërisë po shkreton edhe blegtorinë”, shkroi Meta.