Prodhuesit me përparësi të energjisë ku bëjnë pjesë hidrocentralet me kapacitet të instaluar deri në 15MW kanë kërkuar që në ndryshimet e kontratës mes tyre dhe Furnizuesit të Tregut të Lirë(FTL) të bëhen disa shtesa.Në komentet e tyre mbi draftin e fundit Shoqata Shqiptare e Energjisë së Rinovueshme (AREA) ka nënvizuat se duke qenë se këto ndryshime bëhen me qëllim, përmirësimin e komunikimit midis PP dhe FTL, si udhëheqëse e grupit të balancimit, me qëllim uljen fizike të disbalancave janë edhe disa aspekte të tjera që mund të përfshihen. Së pari lidhur me informacionin mbi prodhimin dhe ndërprerjet si dhe mënyrën sesi do të llogariten disbalancat në këto raste.“Në këtë frymë sugjerojmë që kontrata të parashikojë edhe dërgimin e informacionit prodhuesve për energjinë orare (në të ardhmen 15 min) të prodhuar në D+1 në mënyrë që prodhuesit të krijojnë një database të saktë si bazë për një analizë dhe parashikim sa më të saktë të prodhimit dhe të mund të identifikohen në kohë, të gjitha ndërprerjet në rrjet” thuhet në letrën e AREA.Kjo e fundit vijon se në koherencë edhe me pikën 4 të propozuar të kontratës “theksojmë se, kjo kontratë do të konsiderohet e drejtë për palët dhe plotësisht funksionale vetëm pas certifikimit me anë të informimit elektronik nga ana e operatorëve të rrjetit të të gjitha ndërprerjeve në rrjet (orën dhe kohëzgjatjen e tyre) dhe kërkesave për kufizim të energjisë së prodhuar (orën dhe kohëzgjatjen) gjatë operimit normal të centraleve dhe dërgimin e këtij informacioni për energjinë e prodhuar në ditën D në ditën D+1 në adresë PP dhe FTL me qëllim diferencimin e tyre nga disbalancat dhe disbursimin e PP për energjinë e munguar”.Sipas shoqatës ky proces duhet të shoqërohet me moskonsiderimin e ndërprerjeve në rrjet si disbalanca dhe të rregullohet nga ERE disbursimi i PP për energjinë e humbur gjatë ndërprerjeve në rrjet gjatë operimit normal të centraleve.“Gjejmë rastin të përsërisim kërkesën që të fillohet procesi i ndryshimit të rregullave të tregut balancimit në përputhje me standardet bashkëkohore të propozuara në shkresën e dërguar më datë 26 Shkurt 2025 në lidhje me analizën e procesit dry-run të nominimit 15min (bashkëngjitur).Për gjithë sa më sipër, jemi të gatshëm të diskutojmë në një seancë dëgjimore të gjithë nenet propozuara nga ne me të gjithë palët që bëjnë të mundur zbatimin me sukses të kontratës së shitblerjes së energjisë midis PP dhe FTL” vlerëson AREA./ N.MahoKy është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gezon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetm duke cituar “Revista Monitor” shogëruar me linkun e artikullit origjinal.
Draftkontrata e FTL dhe HEC-ve të vegjël, AREA sugjerime për të dhënat mbi prodhimin dhe disbalancat
