Muzikë, poezi dhe teatër në “Mall”, shfaqja nesër në skenë

Nga Julia Vrapi
“Mall” vjen në skenë si një performancë teatrore dhe muzikore. Me artistët e njohur Linda Rukaj dhe Arben Bajraktaraj nesër në mbrëmje shfaqja “Mall” në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” te “ArTurbina” në Tiranë. “Mall” do të sjellë në skenë dy artistë të njohur, një shfaqje që vjen në vijim dhe të atyre më parë në kalendarin artistik të Teatrit Kombëtar Eksperimental këtë sezon artistik. Në materialin e shfaqjes thuhet se “Mall” është një teatër i zhveshur, ku poezia dhe muzika përballen, ngacmohen, harmonizohen dhe janë në duel me njëra tjetrën. ““Mall” përshkon hedonizmin mistik të rubairave të Omar Khajamit, revoltën lirike të poetit Teki Dervishi “Nuk ka libër të shenjtë që pluhuri s’e mbulon”.
Meditimet ekzistenciale të Frederik Rreshpjës shkrihen me kthjelltësinë e zanit të Marije Krajës. Ambëlsia e Hafsa Zyberit dhe zjarri i rapsodit bluesman Riza Bllaca. Drromcat e humorit brut te Charles Bukoëskit gjarpërojnë ndër pikëpyetjet e epit të lashtë indian të Mahabharatas. Nostalgjia e heshtur e Ernest Koliqit, poetit shqiptar të mërguar përgjithmonë, vërshon me emocion realizmin magjik të Jorge Luis Borges i cili dialogon me etjen për dashuri të Paul Éluardit. Ndërsa përndritja e fjalëve të Rûmit, metafizikantit të dashurisë, flakëron mbi gjithçka!”, shpjegohet në materialin rreth shfaqjes, që do të jetë mbrëmjen e datës 19 qershor në skenë për publikun.
  Shfaqja dhe artistët në aktivitetin artistik
Shfaqja “Mall” që vjen me performancë teatrore dhe muzikore në skenën e Tiranës është një projekt që ka edhe mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI).  Linda Rukaj është një këngëtare, kompozitore, kitariste dhe kontrabasiste shqiptare nga Kavaja, që jeton prej vitesh në Paris, Francë. Linda filloi të merrej me muzikë në moshën gjashtë vjeçare, duke u paraqitur fillimisht në shfaqjet televizive të fëmijëve, duke kënduar dhe vallëzuar, si dhe në koncerte të ndryshme për fëmijë. Si pjesë e grupit muzikor “Linda Në Botën E Çudirave” ajo ka fituar disa çmime, si dhe kanë prodhuar disa këngë dhe albume.
Në vitin 2016 ajo mori pjesë në Festivalin e Këngës në RTSH me këngën “Vija e lumit”, ndërsa ka vijuar dhe me të tjera projekte muzikore në aktivitetin e saj ndër vite. Arben Bajraktari gjithashtu është një aktor i njohur në aktivitetin e tij. Bajraktaraj është një aktor i përmasave ndërkombëtare që ka realizuar disa role mjaft të rëndësishme. Arben Bajraktaraj, shqiptari me origjinë nga Kosova është i njohur për rolin e tij në filmin amerikan “Taken”, krahas aktorit të shquar Liam Neeson. Një tjetër rol që ka vulosur karrierën e tij është ai në filmin “Harry Potter”. Ndër projektet e tij në Shqipëri me kinematografinë, përmendim edhe rolin te filmi “Streha mes reve”, film në të cilin ai është protagonist.