Rinumërimi në Gramsh dhe Peqin, anëtari i PD në KAS: Procesi vijon, jemi herët për të nxjerrë konkluzione

Anëtari i Partisë Demokratike në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), Elvis Çefa, ka dhënë një prononcim pas verifikimit të 94 kutive të votimit të Gramshit dhe Peqinit. Çefa tha se gjatë procesit janë konstatuar disa problematika, kryesisht në pasqyrimin jo të saktë të numrit të fletëve të votimit të papërdorura dhe në administrimin e procesverbaleve, të cilat nuk janë trajtuar sipas akteve nënligjore të përcaktuara nga Komisioni Rregullator.
Sipas Çefës, është ende herët për të arritur në përfundime, pasi procesi do të vijojë në faza të tjera. Ai theksoi se të gjitha palët do të kenë mundësinë të ridëgjohen në KAS, ku do të merret vendimi për kërkesën e PD-së për pavlefshmërinë e rezultatit zgjedhor në qarkun e Elbasanit.
“Ky ishte qëllimi i hapjes së kutive, për të administruar dhe rivlerësuar provat. Do u japim palëve kohën për të analizuar provat dhe për të rishikuar pretendimet e tyre. Provat duhet të tregojnë nëse ka impakt real në vlefshmërinë e procesit zgjedhor në qarkun e Elbasanit”, u shpreh Çefa.
I pyetur mbi pretendimet e PD për manipulim të procesit me të ashtuquajturin “tren bullgar”, Çefa tha se pas shqyrtimit të pamjeve filmike janë identifikuar indicie që procesi mund të jetë prekur në disa qendra votimi, ndaj u vendos hapja e kutive për të vlerësuar situatën me prova të drejtpërdrejta.
Çefa sqaroi gjithashtu se PD nuk ka kërkuar rinumërim të votave, por vijon të qëndrojë në kërkesën për pavlefshmërinë e rezultatit. Sipas tij, rinumërimi në këtë rast nuk do të kishte efekt, pasi qëllimi është të vlerësohet rregullsia dhe jo numri i votave.
Sa i përket rolit të anëtarëve të PD në KAS dhe nëse po i shërbejnë opozitës, Çefa tha se vendimet e tyre janë profesionale. “Ne jemi profesionistë dhe juristë, flasim përmes vendimeve tona, pavarësisht nëse jemi me shumicën apo pakicën në vendimmarrje”, theksoi ai.