Kryeministri Rama: BE nuk është studio konsulence që paguhet për të bërë fushatë për një palë

Kryeministri Edi Rama kërkoi dje që shqiptarët në 11 maj t’i japin një mesazh të qartë Brukselit se një shumicë përtej shumicës së thjesht partiake kërkon anëtarësimin tani. Në një komunikim të drejtpërdrejtë në rrjetet sociale përmes rubrikës “Sy m’Sy”, Rama foli për procesin e integrimit europian, ndërsa kujtoi se Bashkimi Europian nuk është një studio konsulence që paguhet për të bërë fushatë. “BE nuk është një studio konsulence që paguhet kushedi se si dhe se sa dhe vjen nga Amerika këtu se paguhet për të bërë një fushatë për një palë dhe këtu mbyllet filmi. Jo, nuk mbyllen kështu filmat me BE-në, janë ndryshe. Kjo është interesante shumë se si gjithë këto vite dhe një pjesë e këtyre që u rritën në kënetën mediatike dhe janë në ndotësit kryesor të asaj kënete nuk e kanë mësuar akoma ose bëjnë sikur nuk e kanë mësuar si funksionon Amerika”, tha Rama. Kryeministri theksoi se kryefjala e fushatës sonë dhe imazhi i fushatës sonë është ndërthurja e ngjyrave dhe e flamurit tonë me BE-në si kartëvizitë e fushatës sonë. “Ne po bëjmë një rrugë e dy punë.
Po i japim një mesazh të qartë shqiptarëve dhe po përpiqemi t’i japim një mesazh Brukselit duke shpresuar dhe besuar se shqiptarët do ta mbështesin këtë mesazh dhe në 11 maj Brukseli do të marrë mesazhin shumë të qartë se një shumicë përtej shumicës së thjesht partiake kërkon anëtarësimin tani”, tha Rama. Kryeministri shprehu bindjen se ky është një mesazh që shqiptarët mund ta japin, ndërsa u shpreh se “nuk bëhet kollaj dot në një vend tjetër një fushatë e një force në qeveri me flamurin e BE-së”. “Mesazhi duhet të jetë shumë i qartë: Ne populli shqiptar, qytetarët e Shqipërisë duam të hyjmë në BE dhe me këtë mandat e këtë mesazh unë dhe qeveria do të shkojmë dhe do të kemi një argument shumë të fortë më shumë për të nxitur procesin”, tha Rama. Sipas tij, “është e gjitha një luftë diplomatike politike nga të katër anët dhe kush nuk e kupton këtë nuk kupton asnjë gjë si funksion bota dhe marrëdhëniet ndërkombëtare për një vend si Shqipëria”.