Shkrimtarët: Vazhdon injorimi i letërsisë për fëmijë, duke thënë që nuk ka vlera, sepse nuk e njohin

Nga Julia Vrapi
Sot Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë, që sjell në vëmendje jo vetëm prurjet në krijimtarinë letrare dhe autorët e saj, por dhe problemet me të cilat përballet libri. Autorë të letërsisë për fëmijë në Ditën Ndërkombëtare të Librit për Fëmijë që shënohet më 2 prill, thonë se duhet më shumë vëmendje për librin. Në reagimet e tyre autorë të ndryshëm, shprehin keqardhjen që sipas tyre vazhdon injorimi i letërsisë për fëmijë, duke thënë që nuk ka vlera nga ata që nuk e njohin. Shkrimtari Pandeli Koçi shprehet me kritika për institucionet, që sipas tij duhet të ketë më shumë aktivitete për letërsinë për fëmijë, si edhe konkurse. “Ende vazhdon ai koncepti injorues ndaj letërsisë për fëmijë, duke thënë që nuk ka vlera. Kjo kuptohet që nga panairet e librit që zhvillohen tek ne, kur për vite të tëra nuk u dha ndonjë çmim. Dy probleme janë.
Nuk po na dalin shkrimtarë të rinj, që të vlerësohen realisht në letërsinë për fëmijë dhe këtu përveç shtëpive botuese duhen edhe konkurse letrare që të duken zërat e rinj dhe duke vlerësuar këta zëra të rinj ne i lançojmë dhe ata bëhen të njohur. Shtëpitë botuese që janë private duhet ti vlerësojnë autorët dhe ti botojnë, kështu do të kemi një brez të ri shkrimtarësh për fëmijë”, thotë shkrimtari Pandeli Koçi. Por edhe një tjetër autor i letërsisë për fëmijë Vasil Premçi në reagimin e tij për Ditën Ndërkombëtare të Librit për Fëmijë shpreh kritika për instucionet në vend. Ai thotë se edhe botuesit pak tregojnë vëmendje ndaj librit për fëmijë. Shkrimtari thotë se botuesi e sheh librin si fitim, ndërsa autori nuk e mendon kështu. “Taksa të larta të botimit, të shtypshkronjës, pagesa e lartë e qerasë te panairi i librit, kështu që vetëm bëhet për hir të biznesit dhe jo të librit. Me emrin e librit para hyn nga dritarja fitimi dhe diskutohet vetëm për të.
Për botuesin është libër i bukur se ka fitimin, për shkrimtarin nuk është kështu. Kurrë nuk e shikon fitimin shkrimtari, por cilësinë. Shkrimtari i ka ngelur besnik librit për fëmijë. Të gjithë proceset e kostos së librit e largojnë lexuesin. Unë pres që Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit të favorizojë shtëpitë botuese dhe autorët. Botuesi e sjell librin. Por botuesi shqiptar nuk e preferon librin e autorëve shqiptarë. Nga 200 shtëpi botuese shumica e tyre mburren për librin e huaj, por kur i merr librat nuk janë kështu”, thotë shkrimtari Vasil Premçi në reagimin e tij.
Letërsia për fëmijë të ngrihet në nivelet më të mira
Institucionet nuk e vlerësojnë sa duhet letërsinë për fëmijë, pasi nuk e njohin. Shkrimtari Pandeli Koçi shprehet me kritika për Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe  Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, që sipas tij nuk vlerësojnë autorët dhe krijimtarinë. “Injorimi nga MEKI dhe nga MAS se nuk vlerësohen sa duhet autorët dhe letërsia për fëmijë ngaqë nuk e njohin. Kritikë letrare nuk kemi për letërsinë për fëmijë dhe njerëz që nuk e kanë lexuar letërsinë për fëmijë dhe nuk kanë lidhje me të janë të mendimit, që nuk kemi vlera dhe ky refren vazhdon prej disa vitesh”, thotë Pandeli Koçi. Shkrimtari Pandeli Koçi ndër të tjera thotë se është nevojë imediate për të ngritur letërsinë për fëmijë në nivelet më të mira.
Sipas tij, rol këtu ka dhe kritika letrare në këtë letërsi që nuk mungon. “Një pjesë e autorëve të letërsisë kanë vdekur, që nga Xhevat Beqaraj, Skënder Hasko, Bardhyl Xhama, Astrit Bishqemi. Sot kemi një brez që shkruajnë me sukses si Xhahid Bushati, Viktor Cenosinaj, Adelina Mamaqi që janë brezi i vjetër që kanë shkruar para viteve 1990, por dhe tani kanë veprat më të mira të letërsisë për fëmijë. Do qëndrojmë te ky brez vetëm apo do të krijojmë një brez të ri? Kjo është një nevojë imediate për ngritur këtë letërsi në nivelet më të mira të letërsisë që kemi pasur dikur,  por ne na duhet dhe ringritja e kritikës letrare”, thotë autori Pandeli Koçi. 2 prilli që nga viti 1967, kremtohet si Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë, për të frymëzuar dashurinë për leximin dhe për të tërhequr vëmendjen te librat për fëmijë. Festohet në këtë datë pasi 2 prilli është ditëlindja e shkrimtarit të shquar danez për fëmijë Hans Kristian Andersen.