Tirana do të presë këtë të hënë drejtuesit më të lartë të 13 shteteve për të diskutuar në takimin e Ministerialit të Procesit të bashkëpunimit në Evropën Juglindore.
Pritja e delegacioneve do të bëhet nga Presidenti Bajram Begaj duke nisur që nga ora 14:30, e duke vijuar me fjalën përshëndetëse, seancën plenare të kryetarëve të delegacioneve, miratimi i deklaratës së samitit e deri te deklarata e përbashkët për shtyp me homologun e Maqedonisë së Veriut Gordana Siljanovska –Davkova dhe te Bullgarisë Rumen Radev.
Përmes një videoje të publikuar në llogaritë e tyre në rrjetin social, Kryeministri Edi Rama dhe Ministri Igli Hasani, kanë bërë të ditur se ministria e Jashtme do të organizojë ditën e hënë, Ministerialin e Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP).
“Shqipëria, sërish në qendër të diplomacisë ndërkombëtare. Vendi ynë është i angazhuar plotësisht për të nxitur përparimin e vendeve të rajonit drejt integrimit në BE”, shkruan Rama.
Procesi i bashkëpunimit në Europën Juglindore përfshin 13 vende pjesëmarrëse dhe synon dialogun dhe bashkëpunimin i cili përmbyll një vit të suksesshëm të Presidencës shqiptare nën moton “Formësojmë të ardhmen tonë evropiane”.
Tirana mori kryesimin për periudhën korrik 2024 – qershor 2025, pas kryesimit të mbajtur më parë nga Shkupi ndërsa do t’i pasohet në vijim Sofjes.
Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore u iniciua në vitin 1996 gjatë takimit të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve pjesëmarrëse në Sofje, ndërsa Samiti i parë u zhvillua në Kretë në vitin 1997./vizionplus.tv
