Edhe Big Basta kalon në finale, Ylli dhe Andueli ende në garë për të synuar çmimin e madh të Ferma VIP 2

Nata çerekfinale e “Ferma VIP 2”, e transmetuar mbrëmjen e së premtes në ekranin e Vizion Plus dhe në kanalet e dedikuara të platformës Tring, solli emocione të forta, përballje të ashpra dhe surpriza prekëse. Nata e 22 e spektaklit kulmoi me shpalljen e Big Bastës si finalisti i tretë i këtij edicioni.

Ndryshe nga netët e mëparshme, ku emri i finalistit zbulohej përmes zarfit, këtë herë vendimi i Agait ishte që, përmes një pishtari në arenën e jashtme, të shfaqej emri i konkurrentit që do të shkonte drejt finales së madhe më 20 qershor.
Pas një ankthi mes Big Bastës dhe Anduelit, si një nga televotimet më të forta, Big Basta u konfirmua si fermeri që do të garojë për çmimin prej 100 mijë eurosh.

“Faleminderit publikut dhe Anduelit për gjithçka ka dhënë. Uroj të jetë ai finalisti i radhës.”
Ndërkohë, Andueli e pranoi me sportivitet këtë vendim të publikut, teksa tregoi vendosmëri për të vazhduar garën.
“Do të mbaj kokën lart dhe ju ftoj të më mbështesni.”
Pjesa tjetër e mbrëmjes solli sfida vendimtare. Katër të mbeturve në garë – Elinarës, Andeas, Yllit dhe Anduelit – do t’u duhej të luftonin sërish.
Një sfidë shpejtësie caktoi fatin e fermerëve. Të ndarë në grupe dyshe, ata do të duhej të sfidonin njëri-tjetrin duke treguar shkathtësi dhe shpejtësi.
Në përballjet e zhvilluara, Elinara humbi ndaj Yllit, ndërsa Andrea u mposht nga Andueli. Si pasojë, Elinara dhe Andrea kaluan në një televotim, ku njëri prej tyre do të largohet përfundimisht nga Ferma ditën e hënë, duke humbur mundësinë për t’u shpallur fitues i edicionit.
Ndërkohë, Ylli dhe Andueli vazhdojnë rrugëtimin drejt finales.
Në sfondin e tensioneve, mbrëmja solli edhe momente prekëse. Elinara, një prej konkurrenteve më të komentuar, ndau me publikun historinë e saj të dhimbshme nga fëmijëria, kur familja e saj u internua në Lushnjë.
Rrëfimi i saj u pasua nga një surprizë emocionuese, teksa motra e saj e vizitoi në dhomën e Njishit.
“Ferma VIP 2” po i afrohet kulmit, dhe çdo natë sjell përballje të forta, emocion dhe dramë. Finalja e madhe pritet me padurim më 20 qershor, ku do të zbulohet fituesi i çmimit të madh.
/vizionplus.tv

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *