E ftuar në një emision televiziv kandidatja Ilda Zhulali theksoi se duhet të hidhet dritë mbi mekanizmat e deformimit të vullnetit të qytetarëve në procesin zgjedhor në Shqipëri.
Zhulali tha sot se tjetërsimi i votës është rezultat i një sistemi të ndërlikuar që synon kontrollin mbi rezultatin zgjedhor dhe mbajtjen e pushtetit.
“Ajo që është më frustruesja në gjithë këtë situatë është se sa e vështirë është të shpjegosh përmasën e ndikimit të këtyre fenomeneve tek qytetarët blerja e votës, ndikimi i krimit, dhe të gjitha elementet e tjera që, nëse i zbërthen pak nga pak, kupton që nuk është vetëm një instrument në dorën e qeverisë që bën diferencën e madhe dhe tjetërson votën. Janë të gjithë këta faktorë së bashku që sjellin këtë tjetërim.
Tjetërsimi i votës ndodh në një masë të caktuar 5% tek një kategori, pastaj më tej tek një tjetër dhe kështu është arritur në këtë përqindje prej 53% të votave, të përkthyera në 83 mandate. Kjo është një tjetërsi e të gjithë sistemit.
Është si një mur i ndërtuar tullë pas tulle nga qeveria aktuale. Dhe ajo që është më e rëndë përveç shkeljes së ligjit, të cilën as institucionet e drejtësisë nuk e panë apo nuk donin ta shihnin është bashkëpunimi me krimin e organizuar. Kjo është diçka që nuk mund ta “marrësh” dot, siç mund të bësh, për shembull, me pensionistët. Kjo pjesë tjetër është shumë më e vështirë për t’u matur dhe për t’u transmetuar te zgjedhësit, sepse ajo që kuptova ishte një ndjenjë e thellë frike tek njerëzit.
Një frikë ndaj procesit zgjedhor, ndaj mënyrës si lexohet dhe tjetërsohet vota. Kjo ishte një ndjesi që e shprehnin të gjithë ata që takonim gjatë fushatës. Një tjetër rast që tregon nën çfarë presioni ndodhet një qytetar shqiptar sa i frustruar dhe i frikësuar është është rasti i helmimit të fëmijëve në Gramsh. Në një kopsht publik, as fëmijët dhe as prindërit nuk patën guximin të protestonin, të kërkonin llogari për jetën e fëmijëve të tyre. Jeta e fëmijës është në rrezik, dhe ti ke frikë të flasësh. Nëse ke frikë të flasësh për fëmijën tënd, për të cilin pretendohet se sakrifikon gjithçka, imagjino sa e lehtë është të kërcënohesh dhe të frikësohesh për një votë.
Ky është niveli i frikës për të cilin po flasim. Dhe kjo tregon trysninë dhe presionin e një qeverie që ka akumuluar gjithë pushtetin dhe që bashkëpunon me krimin e organizuar. Sot ka një situatë të re. Më parë, në deklarata për Ballkanin përmendej kapja e shtetit, por nuk përmendeshin qartë vendet ku kjo ndodhte. Tani po shkojmë drejt identifikimit konkret të këtyre vendeve. Kjo është thënë për Serbinë, por drejt të njëjtit përfundim po shkon edhe Shqipëria. Dhe kur t’i vihet emri kësaj situate, ajo do të delegjitimojë jo vetëm pushtetin e Ramës, por edhe këto zgjedhje. Pas kësaj do të pasojnë kushtëzime të tjera ndërkombëtare”,-tha Zhulali.
“Deformimi i vullnetit të shqiptarëve”/Zgjedhjet parlamentare, flet kandidatja PD: Tjetërsimi i votës është rezultat…
