Në një botë gjithnjë e më të paparashikueshme, ndryshimet strukturore po bëhen gjithnjë e më të nevojshme, duke parë se shqetësime që dikur shiheshin si kalimtare, po zgjasin.Tensionet gjeopolitike po rriten, marrëdhëniet tregtare po ndikohen nga qëndrimet politike dhe sanksionet financiare po shpeshtohen.Sipas guvernatorit të Bankës Kombëtare Bullgare, Dimitar Radev, ky realitet i ri kërkon një rishikim strategjik.Në një intervistë të fundit për agjencinë OMFIF-State Street Global Advisors, ai paraqiti një kornizë gjithëpërfshirëse që i përshtatet kësaj epoke të paqëndrueshme dhe nënvizoi se hyrja e Euros si monedhë zyrtare e vendit mund të shërbejë si një gur themeli në përgjigjen e Bullgarisë.Kuptimi i kornizës për qëndrueshmëriRadev i mbështeti argumentet në pesë hamendësime kryesore. Së pari, paqëndrueshmëria në botë nuk është kalimtare. Ajo është bërë pjesë e sistemit global. Institucionet politike dhe ekonomike nuk duhet të përgatiten më për goditje të përkohshme, por për përçarje të gjata. Së dyti, elasticiteti duhet të tejkalojë parashikimin afatshkurtër. Përballja me rreziqet e menjëhershme nuk mjafton. Duhen ndryshuar një herë e mirë politikat dhe sistemet e qeverisjes për t’u përshtatur me gjendjen e re.Së treti, koordinimi i politikave është më i rëndësishëm se kurrë. Menaxhimi i rezervave në mënyrë të izoluar nuk funksionon më. Duhet të vihen në përdorim të gjitha mjetet fiskale, monetare dhe të qëndrueshmërisë. Së katërti, duhet të zhvillohet më tej ideja e autonomisë strategjike. Ajo nuk ka të bëjë vetëm me zotërimin e aseteve, por edhe me aftësinë për t’i përdorur ato kur është e nevojshme, sidomos në kohë krize. Këtu përfshihet marrja parasysh e rezervave të tjera të mundshme dhe rritja e pjesëmarrjes në kornizat monetare rajonale, si Eurozona.Së fundmi, vëmendja duhet të përqendrohet në sfidat afatgjata: plakja e popullsisë, kalimi drejt ekonomive më ekologjike dhe ndryshimi teknologjik. Këto nuk janë problemet e së nesërmes, por realitetet e sotme dhe strategjitë e investimeve publike duhet ta pasqyrojnë këtë.Çfarë do të thotë kjo për nevojat e Bullgarisë?Bullgaria, ashtu si fqinjët në Europën Qendrore dhe Lindore, mund të mos e ndiejë ende ndikimin e drejtpërdrejtë të trazirave të tregtisë globale. Por si një vend i lidhur ngushtë me zinxhirët e furnizimit europian, Bullgaria është e cenuar nga efektet e ngërçit ekonomik në ekonomitë e Eurozonës. Zhvendosja e rrugëve tregtare, qendrat e paparashikueshme të furnizimit dhe rënia e kërkesës globale (tashmë e dukshme në tregjet e energjisë), janë të rrezikshme dhe e bëjnë të pasigurt perspektivën e rritjes afatmesme të Bullgarisë.Tashmë ka pasur një lehtësim falë rënies së çmimeve të naftës. Kjo ndihmoi në rënien e inflacionit në ekonomitë si Bullgaria, të varura shumë nga energjia. Por e ardhmja për inflacionin dhe investimet mbetet e pasigurt. Kjo forcon edhe më tepër argumentin për të pasur një mburojë më të fortë ekonomike.Rimenaxhimi i rezervaveKushtet globale kanë ndryshuar mënyrën si llogaritet administrimi i rezervave valutore. Tashmë që tregjet globale janë më të paqëndrueshme, rritja ekonomike globale ka ngecur dhe mjedisi gjeopolitik është bërë më i pasigurt, nuk mund të ndiqen më metodat tradicionale. Besimi në Dollarin amerikan ka bërë të mundur mbizotërimin e tij në botë, por shenjat e hershme tregojnë se tani ky besim po venitet ngadalë. Ari në veçanti po bëhet gjithnjë e më i pëlqyer si një aset strategjik, jo vetëm për qëndrueshmërinë financiare, por edhe për mbrojtjen nga trazirat gjeopolitike. Këto zhvillime nxjerrin në pah rëndësinë në rritje të Euros si monedhë rezervë e qëndrueshme. Për Bullgarinë, kjo tregon sa urgjente është pranimi i Euros si monedhë kombëtare nëpërmjet anëtarësimit në Eurozonë, një synim kombëtar që është bërë gjithnjë e më i rëndësishëm në botën e sotme të pasigurt.Pesë përfitimet e hyrjes së EurosRadev ka nxjerrë pesë përfitime të drejtpërdrejta nga përdorimi i Euros si monedhë kombëtare. Së pari, politika monetare e Bullgarisë do të përfshihej në kuadrin e Bankës Qendrore Europiane, duke rritur besueshmërinë e politikës monetare dhe parashikueshmërinë ekonomike të vendit. Së dyti, hyrja e Euros do të hiqte rrezikun e këmbimit valutor dhe do të siguronte mbrojtje kundër sulmeve të mundshme financiare. Së treti, Euro si monedha kombëtare e Bullgarisë, do të rriste besimin e investitorëve dhe do ta lidhte më ngushtë vendin me Europën.Së katërti, anëtarësimi në Eurozonë mundëson qasje në programe të rëndësishme të ndihmës financiare, si Mekanizmi Europian i Qëndrueshmërisë, një përparësi e madhe në kohë krize. Dhe së pesti, në një botë ku trazirat dhe ngjarjet e paparashikueshme po bëhen normë, Bullgaria do të fitonte mbështetje institucionale dhe do të kishte në dispozicion mjete më të forta të përgjigjes ndaj krizave, duke rritur qëndrueshmërinë, si në nivel kombëtar ashtu edhe në nivel rajonal.Përgatitja për një strategji pas hyrjes së monedhësTani, rezervat e Bullgarisë pasqyrojnë strukturën e bordit të saj valutor. Rreth 90% e rezervave janë në Euro, ndërsa pjesa tjetër në ar. Asetet ruhen sipas standardeve të larta kreditore dhe një maturimi afatshkurtër. Kjo qasje ka qenë efikase gjatë kohëve të turbullirave.Hyrja e Euros si monedhë kombëtare do të hapë rrugën për një strategji më moderne të ruajtjes së rezervave. Legjislacioni i ri tashmë i lejon më shumë elasticitet veprimi Bankës Kombëtare Bullgare. Sapo Euro të bëhet monedhë kombëtare, banka qendrore ka në plan të rrisë larminë e rezervave, të zgjerojë gamën e mjeteve financiare që mund të përdorë dhe të zbusë kufijtë e vlerësimit të kredisë.Këto reforma nuk do të nxitohen. Çdo hap do të vlerësohet me kujdes për të siguruar përputhje me përparësitë e bankës: ruajtjen e kapitalit dhe ruajtjen e likuiditetit. Por tashmë themeli po hidhet, me infrastrukturë të re, palë të reja të përfshira dhe ekspertizë më të thellë.Një synim strategjikNë një botë gjithnjë e më shumëpolare, ku ndarja midis shteteve mund të përcaktojë të ardhmen e financave globale, bankat qendrore duhet të tregohen të shkathëta. Udhëzimet e zakonshme, si siguria, likuiditeti dhe kthimet e fitimeve, vazhdojnë të mbeten, por për shkak të rreziqeve të reja, tani nevojitet më shumë ndërgjegjësim gjeopolitik dhe largpamësi institucionale.Për Bullgarinë, kjo nënkupton ruajtjen e qëndrueshmërisë financiare, gjë që mundësohet nga bordi monetar, ndërkohë që vendi po përqafon një strategji më ambicioze dhe afatgjatë për hyrjen në Eurozonë. Radev e mbylli duke thënë se ndryshimet që ai propozon nuk janë vetëm të nevojshme, por gjithashtu do ta pozicionojnë më mirë Bullgarinë në rendin e ri global që po ndryshon me shpejtësi. Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gezon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetm duke cituar “Revista Monitor” shogëruar me linkun e artikullit origjinal.
Pesë mënyra si hyrja e Euros do ta forcojë Bullgarinë mes pasigurisë globale
