Nga Julia Vrapi
Në projektet artistike qershor-dhjetor në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” prioritet do të kenë bashkëprodhimet artistike. Gjatë këtij sezoni ky teatër ka sjellë në skenë shfaqje të ndryshme teatrore, mes tyre edhe premiera, ndërsa disa ditë më parë hapi edhe thirrjen për projektet artistike qershor-dhjetor 2025. Thirrja për projekte artistike e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” iu drejtohet regjisorëve, producentëve, koreografëve, dramaturgëve, etj, për shfaqje për të rritur si edhe për fëmijë. “Njoftojmë hapjen e thirrjes për procedurën e aplikimit për projekte artistike, që do të realizohen në periudhën qershor-dhjetor 2025.
Thirrja është e dedikuar për bashkëprodhime dhe prodhime. Prioritet në përzgjedhje do të kenë bashkëprodhimet artistike. Ftohen të gjithë krijuesit: regjisorë, producentë, koreografë, dramaturgë, muzikantë që të sjellin propozimet e tyre për: Projekte artistike për shfaqje për të rritur; 2. Projekte artistike për shfaqje për fëmijë”, thuhej më herët në njoftimin e Teatrit Kombëtar Eksperimental. Në njoftim teatri shprehej ndër të tjera dhe që dosja duhet të përmbante CV të aplikantit, projekt propozimi, buxhetin e detajuar sipas zërave për bashkëprodhimet, duhet të paraqitet edhe buxheti që mbulohet nga bashkëprodhuesi.
Koncepti regjisorial, teksti ose sinopsi. Thirrja ka qenë hapur duke nisur nga data 26 maj, ndërsa për dorëzimin e dokumentacionit fizikisht dhe në mënyrë elektronike është edhe sot afati në këtë teatër.
Thirrje për projektet në vijim të atyre më parë
Kjo thirrje për projektet artistike e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” vjen në vijim dhe të atyre më parë për sezonet artistike. Në thirrjet e tjera për projekte të këtij teatri më parë në prioritet ka qenë edhe dramaturgjia shqiptare bashkëkohore, evropiane dhe më gjerë. Ndërsa në vijim të sezonit artistik TKE gjatë këtyre ditëve solli në skenë një tjetër produksion teatror, shfaqja “Zullulandia” mbi motivet e Faik Konicës, regjia dhe dramatizimi Endri Çela dhe me aktorët Sokol Angjeli, Neritan Liçaj, Adriana Tolka, Brendi Bega, Katerina Fili, Anxhelo Dauti. “Zullulandia” është një festë e madhe me nota satirike dhe një zgjim mbi realitetin ku po jetojmë.
E punuar mbi motivet e veprës së Faik Konicës dhe e plotësuar me ngjarje të realitetit të sotëm shqiptar. Zullulandia, një vend në Afrikën e Lindjes, me popullin e saj të prapambetur e të nënshtruar, kërkon më shumë të drejta nga Europa. Prandaj dërgon në Paris dhe në Londër ambasadorin e saj, Denizullu-Serpen. Ky fodull dhe injorant vihet në lojë prej kancelarëve të huaj, ndërsa, kur kthehet në Zulluland, mirëpritet prej zulluve me festa e nderime për “lëvdatat” e marra. I vetmi që e ka kuptuar talljen është Plugu.
Tani atij i duhet që t’i hapë sytë një populli të tërë zullush për talljet e Europës mbi Zullulandian. Vepra produksion i TKE që shënoi premierën këto ditë në skenën teatrore ku u shfaq për shtatë mbrëmje do të rikthehet sërish në muajin shtator, kohë kur pritet që të nisë edhe sezoni i ri artistik.
Bashkëprodhimet artistike prioritet në projektet qershor-dhjetor në Teatrin Kombëtar Eksperimental
