Rama dhe Berisha pakt për heqje mandatesh?/ Ja deputetët që do të nxirren ‘offside’ nëpërmjet hapjes së kutive

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) ka vendosur të rinumërojë kutitë e votimit në qarqet e Tiranës dhe Fierit, pas ankesave të paraqitura nga koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore lidhur me rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit 2025.
Në vendimin e marrë gjatë mbledhjes së fundit, KAS ka urdhëruar hapjen dhe rivlerësimin e rreth 1,282 kutive të votimit në Tiranë, duke përfshirë edhe kutitë e votave nga Diaspora. Për shkak të numrit të madh të kutive, ende nuk është caktuar data për fillimin e procesit, i cili pritet të zgjasë disa javë.
Kërkesa për rinumërim është mbështetur nga dy anëtarët e KAS, Elvis Çefa dhe Ledio Braho, të propozuar nga opozita, të cilët theksuan nevojën për verifikimin e votave në qarkun e Tiranës, përfshirë edhe 16,788 vota të pavlefshme. Partia Demokratike shpreson që ky rinumërim të sjellë përfitimin e mandatit të 14 në këtë qark, duke ia marrë Partisë Mundësia një prej mandateve aktuale.
Rinumërimi pritet të ndikojë edhe në garat me diferenca të vogla mes kandidatëve, si ajo mes Ilir Alimehmetit dhe Jorida Tabakut, ku Alimehmeti synon të përmbysë diferencën prej mbi 2,400 votash. Po ashtu, do të rishikohen rezultatet edhe për socialistët që kanë humbur me pak vota, si Xhemal Qefalia me diferencë 500 vota ndaj Ornaldo Rakipit dhe Blerina Gjylameti që humbi me vetëm 140 vota ndaj Olta Xhaçkës.
Në qarkun e Fierit, KAS ka urdhëruar rinumërimin e 587 kutive për të gjitha votat e kandidatëve dhe partive. Ndërkohë, në qarkun e Dibrës do të hapen 44 kuti, por vetëm për të verifikuar votat preferenciale mes kandidatëve.