Një yll i vogël krijoi një ekzoplanet gjigant, por askush nuk e di si

Shkencëtarët kanë zbuluar një planet gjigant atje ku, sipas teorive ekzistuese, nuk duhet të ekzistojë. Ky planet, i quajtur TOI-6894b, rrotullohet rreth një ylli xhuxh të kuq me masë të ulët, rreth 241 vite dritë larg Tokës. Zbulimi, i publikuar më 4 qershor në Nature Astronomy, sfidon modelet standarde të formimit të planetëve.

“Është një zbulim intrigues,” tha Vincent Van Eylen, astrofizikan në University College London. “Nuk e kuptojmë ende si një yll kaq i vogël mund të formojë një planet kaq të madh! Kërkimi për ekzoplanetë të tillë është kyç për të rishikuar teoritë tona.”

Për shumë kohë, astronomët besonin se yjet me më pak se një e treta e masës së Diellit nuk kishin mjaftueshëm material për të krijuar planetë gjigantë. Por raste si TOI-6894b po ndryshojnë këtë bindje.

Për të zbuluar planetë të tillë, Edward Bryant nga University College London dhe ekipi i tij përdorën satelitin e NASA-s, TESS. Në vitin 2023, ata identifikuan 15 planetë të mundshëm gjigantë, përfshirë TOI-6894b. Vëzhgimet e mëtejshme konfirmuan se TOI-6894b ka rreth 17% të masës së Jupiterit (rreth 53 herë më shumë se Toka) dhe një radius pak më të madh se ai i Saturnit. Ai orbiton yllin e vet brenda vetëm 3 ditësh.

“Ne nuk prisnim që një yll kaq i vogël të mbante një planet të tillë,” tha Bryant. Ky është ylli me masën më të ulët i njohur që strehon një planet gjigant, dhe zbulimi i tij është kritik për të kuptuar kufijtë e formimit të këtyre trupave.

Edhe pse planetët e mëdhenj rreth yjeve xhuxh të kuq janë ende të rrallë, kjo sugjeron se mund të ketë shumë të tjerë në galaktikën tonë. “Pjesa më e madhe e yjeve në Rrugën e Qumështit janë të vegjël dhe mendohej se nuk formonin planetë gjigantë,” tha Daniel Bayliss nga Universiteti i Warwick.

Zbulimi sfidon modelin e zakonshëm të formimit të planetëve, që parashikon se planetët gjigantë krijohen nga një bërthamë që më pas tërheq gaz. Disqet përreth yjeve me masë të vogël nuk pritej të kishin aq material. TOI-6894b mund të jetë formuar përmes një disku të paqëndrueshëm që kolapsoi. Studiuesit do të përdorin teleskopin James Webb për të analizuar atmosferën e planetit dhe për të zbuluar më shumë rreth origjinës së tij. / Space – Syri.net