Një tjetër markë nga Kosova, Numero Uno Store, do të hyjë në tregun shqiptar

Një tjetër kompani nga Kosova pritet të hyjë së shpejti në tregun shqiptar. “Inter Stock” do të themelojë një shoqëri të përbashkët me grupin shqiptar AGNA, për shtrirjen e aktivitetit të saj në Shqipëri.Në muajin maj, pranë Autoritetit të Konkurrencës është dorëzuar njoftimi se shoqëritë AGNA dhe INTER STOCK kanë themeluar një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, INTER STOCK Albania, me qëllim tregtimin e produkteve të veshjeve, të të gjitha llojeve dhe materialeve, të këpucëve, aksesoreve të ndryshëm dhe produkteve të kozmetikës.INTER STOCK është një shoqëri e regjistruar në Kosovë, me objekt kryesor aktivitetet e ndërmjetësimit për shitjen e tekstileve, veshjeve, gëzofit, këpucët dhe artikujt e lëkurës, dhe aktivitete te tjera në, tregti me shumicë dhe pakicë të veshjeve, këpucëve dhe artikujve prej lëkure në dyqane të specializuara; artikuj elektronike dhe elektroshtëpiake në dyqane të specializuara; magazinim, ruajtje dhe transport mallrash, etj.Në Kosovë, INTER STOCK vepron me emrin tregtar Numero Uno Store. Kompania zotërohet nga biznesmenët e Kosovës, Edmond Kadriu dhe Armend Kadriu.Nga ana tjetër, AGNA është një nga grupet më të mëdhenj të biznesit në Shqipëri, me aktivitet Import-eksport të mallrave industriale e ushqimore, materiale ndërtimi, prodhime bujqësore dhe blegtorale, prodhim e shitje pije alkoolike; në fushën e investimit në ndërtim, në fushën e shitblerjes së trojeve për ndërtim, për turizëm, fshatra turistike, moteleri dhe hoteleri; tregtim import – eksport i produkteve dhe nënprodukteve të duhanit; shitblerje, marrje ose dhënie me qira të pasurive të paluajtshme dhe atyre të luajtshme; veprimtari trajnuese dhe çertifikuese të punonjësve të administratës publike, punonjësve të institucioneve arsimore; auditimi, mbikëqyrja dhe certifikimi i zbatimit të standardeve ndërkombëtare për institucionet në përgjithësi ose personelin e tyre në veçanti, etj.Hyrja në Shqipëri e INTER STOCK, nëpërmjet joint venture me AGNA, është një tjetër dëshmi e rritjes së pranisë së ndërmarrjeve të Kosovës në tregun shqiptar.Në muajin mars, kompania që zotëron rrjetin më të madh të shitjeve me pakicë në Kosovë, Viva Fresh, njoftoi arritjen e marrëveshjes për blerjen e Spar Albania, rrjeti i dytë më i madh i shitjeve me pakicë në Shqipëri.Finalizimi i transaksionit pritet të njoftohet së shpejti, pasi Viva Fresh siguroi një kredi prej 25 milionë eurosh nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, që do të financojë pjesërisht blerjen e aksioneve të Spar Albania.Deri në vitin 2020, flukset e investimeve direkte nga Kosova ishin në shifra relativisht modeste. Pas këtij viti, duket se ka një rritje të konsiderueshme, që është reflektuar qartë edhe në stokun total të investimeve direkte prej subjekteve me kapital nga Kosova.Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se për vitin 2024 investimet e Kosovës në Shqipëri arritën vlerën e 96 milionë eurove, me një rritje prej 32% krahasuar me të një vit më parë.Ndërsa stoku i investimeve të Kosovës raportohej në vlerën e 422 milionë eurove, në rritje me 37% krahasuar me vitin 2023. / E.ShehuKy është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gezon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetm duke cituar “Revista Monitor” shogëruar me linkun e artikullit origjinal.