Pasi la pas karrierën e tij politike në majat e pushtetit italian, Massimo D’Alema, një prej figurave më të njohura të së majtës evropiane ka zhvendosur qendrën e veprimtarisë së tij në prapaskenat e fuqisë, ku ndërthurja mes politikës, biznesit dhe lobimit është bërë burimi i pasurisë së tij të re. Si shumë nga homologët e tij në Europë, ndër të cilët përmenden edhe emrat e Tony Blair apo Gerhard Schröder, D’Alema ka ditur të shfrytëzojë lidhjet dhe përvojën në politikë për të ndërtuar një karrierë të re si lobist dhe konsulent ndërkombëtar, me klientë të përzgjedhur, dhe me qasje në qeveri e liderë me pushtet. Sipas të gjitha gjasave, një nga këta klientë është edhe kryeministri shqiptar Edi Rama.
Çfarë thotë gazeta italiane Il Giornale?
Gazeta italiane Il Giornale i ka kushtuar një artikull të zgjeruar këtij transformimi të D’Alemës, duke e përshkruar atë si një figurë me “nuhatje të shkëlqyer për biznes”. Artikulli ndalet në mënyrë të veçantë te kompania e tij DL&M Advisor, një shoqëri konsulence e krijuar në vitin 2019, menjëherë pas tërheqjes nga jeta politike aktive, të cilën D’Alema e kontrollon 100% dhe që ka si objekt “konsulencën në fushën e proceseve të ndërkombëtarizimit” për tregje të ndryshme të huaja, me qëllim tërheqjen e investimeve nga kompani private.
Biznesi duket të jetë shumë fitimprurës: sipas Il Giornale, bilanci i vitit 2024 është mbyllur me një fitim prej 1.578.170 euro, në rritje krahasuar me 1.358.662 euro në vitin 2023 dhe me 393.807 euro të vitit 2022. Krahas kësaj shoqërie, D’Alema është aktiv edhe në fusha të tjera si bujqësia dhe prodhimi i verërave, që përmenden gjithashtu në analizën e medias italiane. Por ajo që ngjall më shumë kureshtje është lidhja e tij me Shqipërinë.
Aktiviteti i fshehtë
Il Giornale thekson se nuk ka referenca të drejtpërdrejta në bilancet italiane për aktivitetin e D’Alemës në Shqipëri, ndonëse ai ka themeluar një shoqëri konsulence në Tiranë me emrin “A&I Albania”, regjistruar në janar të vitit 2023, dhe e cila figuron në emrin personal të ish-kryeministrit. Kjo do të thotë se nuk ka një lidhje të drejtpërdrejtë me zinxhirin e kompanive të ngritura në Itali, duke krijuar një zonë gri dhe të paqartë mbi natyrën e aktivitetit të tij në vendin tonë.
Ekzistenca e kësaj kompanie shqiptare u zbulua për herë të parë nga emisioni investigativ “Report” i RAI3, ku gazetari Giorgio Mottola e pyeti drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama nëse D’Alema punonte si lobist për të, nisur nga fakti se ky i fundit ishte shfaqur shpesh në media italiane në mbështetje të qeverisë shqiptare. Rama reagoi me habi: “E pabesueshme! Kurrë nuk kam folur për tregti me Massimo D’Aleman. Kam folur gjithnjë për politikën, kam folur gjithnjë për Shqipërinë… Pastaj, ai është i lirë të bëjë çfarë të dojë. Epo t’i paraqesësh gjithmonë këto gjëra kështu.” Rama mohoi çdo lidhje lobuese me D’Alemën, duke e përshkruar atë si një “mentor” personal, por jo si pjesë e një marrëdhënieje tregtare apo kontraktuale.
Nga ana tjetër, sipas “Report”, zyrat e kompanisë shqiptare të D’Alemës ndodhen në Pallatin e Kulturës në Tiranë, një vend simbolik në qendër të kryeqytetit. Në të njëjtin investigim, ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj citohej duke deklaruar se D’Alema lobon në Shqipëri për një kompani kriptomonedhash, gjë që e komplikon më tej profili i errët i veprimtarisë së tij në vend. Ashtu si Rama, edhe vetë D’Alema ka refuzuar të përgjigjet për RAI3 lidhur me arsyet pse ka hapur një kompani në Shqipëri.
Shifrat e fitimeve të tij në territorin shqiptar mbeten ende të panjohura dhe të pazbuluara, për dallim nga transparenca e detajuar e bilanceve të kompanive të tij në Itali. As gazeta “Il Giornale” nuk ka arritur të nxjerrë në dritë shifra konkrete për përfitimet që D’Alema ka siguruar në Shqipëri, duke lënë kështu pezull një pjesë të rëndësishme të misterit që rrethon këtë marrëdhënie të pazakontë mes ish-kryeministrit italian dhe qeverisë së Edi Ramës.
Massimo D’Alema, ish-kryeministri që u bë lobist miliarder pas politikës, zbulohen fitimet e fshehta në Shqipëri,…
