Nga Julia Vrapi
Etno- muzikali “Zare” me vlerat e trashëgimisë të pasqyruara në këngë dhe valle do të vijë në skenë. Nuk është thjesht një shfaqje e zakonshme, por një muzikal i plotë ku ndërthuren muzika, vallja, kënga dhe aktrimi. “Zare” është një nga shfaqjet më të bukura të repertorit artistik të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, që do të jetë në skenë mbrëmjen e datës 10 qershor për publikun në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. “Një etno-musical që ngjitet në skenë me gjithë fuqinë e këngës, valles dhe traditës, për të sjellë një histori dashurie mes dy të rinjve që na kthen pas në kohët kur dashuria jetonte në gjeste të vogla dhe këngë të mëdha.
Një udhëtim i paharrueshëm mes motiveve popullore, kostumeve autentike dhe emocioneve që vetëm folklori ynë di të zgjojë”, thuhet nga Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor. Etno muzikali “Zare” vjen në vijim të programit artistik këtë muaj, ku muzika është nga Edi Xhani dhe koreografia nga Andrea Kokeri. “Zare” ka qenë premiera e parë në sezonin artistik që nisi në muajin shtator të vitit 2022 e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, por do të rikthehet sërish këtë muaj qershori në skenë për publikun.
Shfaqja në skenë
“Zare” është një shfaqje që do të trajtojë temën e dashurisë midis dy të rinjve. Rrjedha e ngjarjeve e këtij muzikali, që nga lindja e dashurisë deri në martesën e Zares me Arbrin do të shtjellohet në tre skena. “Zare” është me pjesëmarrjen e orkestrës, grupit të valleve dhe grupit koral të Ansamblit Popullor, orkestrës simfonike të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, bendit muzikor, balerinëve të shkollës së baletit, grupi baletit “IDAA”. Me muzikë nga Edi Xhani dhe koreografi nga Andrea Kokeri, më herët ky etno muzikal shënoi një sukses në TKOBAP, ku solist këngëtarë ishin Ilir Shaqiri, Aranit Hoxha, Iris Bega, Sofika Kola.
Ndrësa si solistë valltarë në skenë ishin Ajkana Topalli, Rei Berisha, Genci Kastrati, Enkelejd Bajraktari, Marjana Shkreta, Olta Ahmetaj, Elton Cefa, Gezim Halili, Jera Curcia, Mirela Bekteshi, Leonard Mitrushi, Endri Sejati, Arlinda Mulgeci, Helga Saraçi. Kjo shfaqje që erdhi më parë si etno muzikal në skenë është në vijim dhe të aktivitetit të programit artistik të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore me drejtues artistik Sokol Marsin, artistët e të cilit kanë përcjellë vlerat e folklorit tonë brenda dhe jashtë vendit. AKKVP ose Ansambli Shtetëror, është krijuar në vitin 1957 si ansambël profesionist.
Ky ansambël përbëhet nga solistët këngëtarë, orkestrina, grupi i valleve dhe kori. Qëllimi i AKKVP është në përpunimin, zhvillimin dhe përhapjen e thesarit folklorik të Shqipërisë. Këtu përfshihen pasuritë e mëdha folklorike vokale, instrumentale, koreografike dhe kostumografike, që variojnë nga zona në zonë, duke krijuar një koloritet motivesh. Folklori shqiptar shquhet për origjinalitetin, lashtësinë dhe shumëllojshmërinë e gjinive artistike. Zonat e shumta etnografike kanë veçantitë e veta në këngët, vallet, kostumet, ritet e zakonet.
“Zare” një nga shfaqjet e repertorit të Ansamblit Popullor, vlerat e trashëgimisë të pasqyruara në këngë dhe valle
