Monodrama “Engjëjt” me regji nga Naser Shatrolli në festivalin “Flasim shqip”

Shfaqja “Engjëjt”, regjinë e së cilës e ka bërë Naser Shatrolli ndërsa autor është Odise Plaku dhe aktore Vefi Redhi që vjen nga Athina këtë mbrëmje në Teatrin Kombëtar të Tiranës, në natën e fundit të festivalit të monodramës “Flasim shqip” . Genocidi serb ndaj popullsisë së pafajshme në Kosovë, fati i zhdukurve dhe një nënë që kërkon fëmijët e saj në monodramën “Engjëjt”. Monodrama në skenë bashkon tre artistë, dramaturgun Odise Plaku nga Shqipëria, aktoren Vefi Redhi që për këtë shfaqje vjen nga Greqia dhe regjisorin Naser Shatrolli nga Kosova. Dramaturgu Odise Plaku më herët ka thënë se është një vepër e fuqishme, që do të flasë shumë në interpretimin e fortë të aktores Vefi Redhi që vjen në skenë si Hana. Kjo monodramë ka qenë më parë edhe në skena të tjera, ndërsa është mirëpritur nga publiku, por këtë mbrëmje vjen në skenë në kuadër të festivalit “Flasim shqip”. Në vepër është Hana, një nënë kosovare, është në ditët më të vështira të jetës së saj. Bën vite që kërkon t’u dëgjojë edhe një herë zërin fëmijëve të saj, Verës dhe Diellit, që ia rrëmbyen barbarisht ushtarët serbë gjatë bastisjes së shtëpisë së tyre. Jeta e saj ka humbur kuptimin.
Nga përballja çdo ditë me të njëjtat gjëra: mediet, institucionet, gjykatat, policinë e deri te kalimtarët e rastit, i duket vetja si një robot, që kryen lëvizje mekanike. Edhe vetë ajo është lodhur nga kërkesa e përsëritur për të mësuar fatin e fëmijëve të saj. Të pagjeturit është një temë e nxehtë në jetën e Kosovës dhe të qytetarëve të saj, pjesë e së cilës është vetë Hana. Ajo ndien neveri për njerëzit e veshur me pushtet të çdo ngjyre politike,pasi përdorin emrat e të pagjeturve për të marrë vëmendje për të ngritur nivelin e pozitës së tyre. Ajo është në dilemë se kujt duhet t’i besojë e kujt jo, madje arrin deri aty sa vë në dyshim besimin ndaj Zotit. I duket se edhe ai po i bën padrejtësi me heshtjen e tij në këto momente të vështira të jetës së saj. Veprat me regji nga Naser Shatrolli janë vënë në skena si në Kosovë, në Shqipëri dhe më tej, por nuk kanë munguar edhe në festivale të ndryshme teatrore, ku këtë mbrëmje vjen “Engjëjt” në festival.