Ish-ministrja e Arsimit në Shqipëri, Besa Shahini, ka shpallur zyrtarisht kandidaturën për kryetare të Prishtinës në zgjedhjet lokale që do të mbahen në vjeshtë të vitit 2025 në Kosovë.
Përmes një videoje të publikuar në Facebook, Shahini tha se dëshiron të jetë “qytetarja e parë e Prishtinës” dhe theksoi se kryeqyteti ka nevojë për një ndryshim të thellë në drejtimin e zhvillimit të tij.
“Para katër viteve jam kthyer të jetoj në Prishtinë nga Tirana, në një qytet që e dua fort, që e ka një potencial të jashtëzakonshëm, por që ka marrë një kahje të gabuar në zhvillimin e vet. Është një qytet kryesisht i mbuluar me beton, pa hapësira të mjaftueshme të gjelbërta, kryesisht i papastër dhe jo shumë miqësor për fëmijët. Prishtinës i duhet një ndryshim radikal në kahjen e zhvillimit. Unë dua të jem pjesë e këtij ndryshimi, ndaj në vjeshtë do të garoj për kryetare të Komunës në zgjedhjet lokale 2025”, deklaroi ajo.
Në fund të mesazhit të saj, Shahini u bëri thirrje qytetarëve të Prishtinës që t’i bashkohen përpjekjes për të sjellë ndryshimin në qytet:“Ju ftoj të më bashkangjiteni të gjithë ju që i ndani shqetësimet e mia për qytetin dhe që keni sado pak energji që të përfshiheni në përpjekjen tonë të përbashkët për ndryshim.”
Besa Shahini ka qenë ministre e Arsimit në Shqipëri nga viti 2019 deri në vitin 2020, duke shërbyer më parë edhe si zëvendësministre në të njëjtën ministri, gjatë qeverisjes së kryeministrit Edi Rama. Pas largimit nga qeveria shqiptare, ajo është rikthyer në Kosovë dhe ka jetuar në Prishtinë.
Ish-ministrja e Ramës shpall kandidaturën për kryetare të Prishtinës, kërkon ndryshim radikal
