LaCivita bëhet “fantazmë”, amerikani i Donald Trump lë në “baltë” Berishën, kreu i PD refuzon të bëj…

Nëse ka një gjë që politika shqiptare e ka kthyer në art të rafinuar, është mjeshtëria e fshehjes dhe mistifikimit të gjithçkaje, sidomos kur bëhet fjalë për kontrata lobimi. Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hyrë në një betejë të re, ku protagonisti kryesor është një njeri që ndonjëherë duket si fantazmë: Chris LaCivita. Këshilltari i fushatës së Donald Trump u lajmërua si shpëtimtari i madh, por ndërkohë që zgjedhjet e 11 majit erdhën, në horizont nuk duket as hije e tij.  Më pak se 45 ditë para zgjedhjeve, duket e çuditshme që emri kryesor i fushatës së PD-së ende nuk ka një zyrë dhe staf në Tiranë, ndërsa ai vetë ka qenë vetëm një herë në një konferencë për shtyp me Berishën dhe Mediun. Berisha ka premtuar dje se LaCivita do të vijë, por datën e mban surprizë. “Datën e ardhjes, unë u garantoj që do të vijë, por po e lë si surprizë për Edi Ramën që t’i bjerë kokës në tavolinë kur të vijë. Nuk po ua them se duhet ta ketë surprizë ai.
Do vijë. Sherifi do vijë. Chris do vijë. Çdo gjë, ju siguroj se çdo shpenzim i kësaj partie, do të jetë transparent dhe në përputhje me ligjet e Shqipërisë dhe ligjet e vendit tjetër. Prandaj këtu nuk mund të ketë asnjë lloj aludimi tjetër. Do jetë edhe në zyrë, edhe online. Tani online e kemi çdo ditë sa për dijeni. Çdo ditë punojmë me të, funksionon me këshilla, me probleme. Do ketë një njeri të kompanisë së tyre të instaluar përfundimisht. Ai do shkojë, do vijë. Kjo është praktika e punës me këto kompani konsultative elektorale”, u shpreh Berisha. Por përtej kësaj, mbetet një pikëpyetje e madhe: ku është transparenca e kontratës? Sa para do të paguhen për këtë njeri që funksionon “online çdo ditë”? Nga eksperienca e viteve të kaluara, shqiptarët e dinë mirë që lobimi në Amerikë është një sport i shtrenjtë dhe që shpesh ka sjellë më shumë dhimbje koke sesa fitore politike. Faturat e miliona dollarëve për kontrata lobimi që kanë përfunduar në koshin e plehrave janë të freskëta në kujtesën e publikut. Nëse PD dhe lideri i saj pretendojnë të sjellin një model të ri politik, atëherë është e domosdoshme të bëjnë publike çdo detaj mbi marrëveshjet dhe shpenzimet e tyre.
Telashet për Berishën
“Daily Beast” një media amerikane e lajmeve dhe analizave, e njohur për raportimin e saj investigative në një shkrim të 15 tetorit 2024, shkruante se firma konsulente e strategut republikan, të cilit iu besua kthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë, kishte marrë 19.2 milionë dollarë në vetëm dy vite. Kjo media fillimisht publikoi shifrën 22 milionë dollarë, por më pas informon se ka bërë një korrigjim të shifrës në 19.2 milionë dollarë. Kjo është një shifër e majme, por gjithsesi e përmbajtur kur kemi parasysh se fushatat në SHBA, në veçanti kjo e fundit, janë ndër më të shtrenjtat në botë. Problematike shuma mbetet për Shqipërinë, që Berisha prej vitesh e përshkruan si të varfër dhe të grabitur.
Dhe ky strateg përveçse mund ta çojë kreun e PD në humbje të zgjedhjeve të 11 majit, mund t’i hapë shumë probleme me drejtësinë, pikërisht nga këto pagesa misterioze për të cilat nuk është zbuluar asnjë gjë. E themi këtë gjë pasi transparenca e financave është në fokus të SPAK, i cili në zgjedhjet e 11 majit do të hetojë krimet zgjedhore. Në planin e masave për hetimin dhe parandalimin e krimeve zgjedhore gjatë zgjedhjeve, publikuar në Janar, thuhej se një grup pune më përbërje hetues të hetimit financiar dhe ekspertë të tjerë të fushës në Prokurorinë e Posaçme, do të monitorojnë përdorimin e buxhetit dhe investimet publike, të cilat nuk lejohen të kryhen gjatë periudhës zgjedhore nga subjektet e posaçme. Kjo është dhe arsyeja mbase që Berisha po kujdeset të mos tregojë kontratën dhe paratë e derdhura për strategun e fushatës së Trump.