Në një kohë kur qytetarët përballen me vështirësi ekonomike dhe mungesat bazike në shërbimet publike janë shqetësuese, dy ministre të qeverisë Rama, Belinda Balluku dhe Ogerta Manastirliu, shpenzojnë dhjetëra mijëra euro nga paratë e taksapaguesve për një luks të pashpjegueshëm: larjen e përditshme të makinave të tyre luksoze. Dokumentet zyrtare të tenderëve të hapur nga ministritë e Arsimit dhe Sportit dhe ajo e Infrastrukturës zbardhin një realitet të errët të keqpërdorimit dhe arrogancës, ku shërbimet e larjes së makinave të tipit Audi, Toyota, Volvo dhe të tjera bëhen një luks i paguar me miliona nga taksat tona.
Manastirliu kërkon t’i lahet makina edhe në fundjavë
Ogerta Manastirliu, e cila pasi e “ndriti” te Shëndetësia, ka shkuar për të bërë politikat e Arsimit dhe Sportit. Emri i saj ishte në listë të sigurt gjatë zgjedhjeve, teksa ishte një nga drejtueset formale politike, e cila vetëm sa shoqëronte kryeministrin në disa vizita të vona në selitë e PS-së. Ndërkohë, pasi u “lodh” gjatë fushatës dhe zgjedhjeve, po mendon për komoditetin.
Sipas dokumenteve, disa ditë më parë është hapur një tender me objekt “shërbim larje për automjetet e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit”. Zarfet e ofertave do të hapen më datë 2 qershor 2025, teksa vlera e akorduar është sërish rreth 10 mijë euro. Në dokumente janë shkruar edhe të dhënat dhe specifikimet teknike të shërbimit. Kërkohet që makina “Audi A8” me të cilën lëviz Manastirliu të lahet 30 herë në muaj. Ose çdo ditë, madje të shtunë dhe të diel. Një abuzim i pastër, pasi ditët e punës janë vetëm 22, por ministrja e do makinën e larë edhe të shtunë e të dielë, duke e përdorur për qëllime private.
Por, jo vetëm kjo makinë, pasi edhe makina “Toyota RAV4” apo edhe “Volvo XC60” do të lahen 30 herë në ditë. Këto makina përdoren nga drejtuesit e ministrisë, zv.ministrat/et apo edhe vetë ministrja. Sërish 30 herë në muaj larje për këto makina, të shtunë dhe të diel. Ministria kërkon që edhe makinat “Hyndai Getz”, “Toyota Prius” dhe “Hyundai Santa Fe” të lahen 4 herë në muaj, 1 herë në javë. Gjithashtu, kërkohet që makinave t’u lahet tapiceria 7 herë në vit. Ministria e kërkon lavazhin 2.5 km larg ministrisë.
Tenderi i Ballukut për të larë makina
Gazeta “SOT” raportoi para disa javësh se edhe Balluku urdhëroi hapjen e një procedure tenderi për larjen e makinës së saj dhe të aparatit të institucionit që drejton. Në shkresat zyrtarë vihej re se vlera e caktuar për larjen e makinës së zv/kryeministres Balluku është caktuar nën 10 mijë euro. Në këtë procedurë, ministrja e cila është akuzuar nga opozita dhe nga Sali Berisha si “Lubia e tenderave”, Belinda Balluku kërkonte që makina me të cilën lëviz, t’i lahet me fshesë me kompresor po ashtu kërkon: “Larje e automjeteve me solucion dhe jo furçe”.
1 . Lavazho duhet të ketë ambient parkimi minimalisht për 4 automjete brenda territorit ose në dispozicionin e vet me qëllim që mjeti mos të presë në rrugë.
2. Lavazho të ndodhet brenda qytetit të Tiranës, mundësisht në një distancë jo më shumë se 2 km nga MIE dhe të jetë në shërbim edhe në oraret e pasdites (me dy turne), të punojë dhe ditën e shtunë.
3. Lavazho të ketë minimalisht 3 poste larje dhe minimalisht katër punonjës ( vetëdeklarim)
4. Në zbatim të kërkesave për mjedisin, objekti lavazhos të jetë pajisur me leje mjedisore për lavazho automjetesh sipas përcaktimeve ligjore. Karakteristika te veçanta: Larje e plotë e automjeteve (brenda dhe jashtë) për 30 minuta; Pastrimi nga brenda të bëhet me fshesë me kompresor; Larje e automjeteve me solucion dhe jo furçë; Orari i kryerjes së shërbimit nga ora 07:00 deri në orën 09:00,cdo ditë të javës; Automjeti do të presë në radhë për kryerjen e shërbimit jo më shumë se 30 minuta nga paraqitja në vendin e kryerjes së shërbimit”, thuhet në dokumentet e tenderit.
Procedura është bërë në datën 28 mars 2025. E para që do të lahet është mjeti AUDI A8, që lëviz Belinda Balluku. “Lloji i automjetit Audi A8, njësia për ta larë në muaj është 12 herë dhe periudha e shërbimit mujore” thuhet në dokument. Ose më saktë; vetura e ministres Balluku të lahet një herë në dy ditë pune. Lista e makinave vijon me larjen e një mjeti “Toyota” 8 herë në muaj, e një “Volkswagen Touareg” 4 herë muaj. Apo e një mjeti “Hyundai” 8 herë në muaj. Një tjetër mjet tip “Volkswagen Tiguan” kërkohet të lahet 10 herë në muaj, një “Land Rover” 2 herë në muaj apo një “Toyota Rav 4” 10 herë në muaj. Gjithashtu është edhe një mjet “Citroen” që të lahet 2 herë në muaj, një “Skoda” dy herë në muaj apo edhe një fuoristradë “Toyota” 10 herë në muaj. Në dokumente është edhe një zë shërbimi, teksa kërkohet larje tapicerie 10 herë në vit, për 3 vetura dhe 7 fuoristrada.
