Ylber Ramadani drejt Arabisë, Al Ain interesohet për mesfushorin kuqezi

Adriatik BALLA
Për kuqezinjtë ditët e fundit të qershorit janë vendimtare , sidomos për lojtarët që janë në pritje të mësojnë emrin e skuadrës për sezonin e ri. Nuk janë pak, por shumica e titullarëve të përfaqësueses që janë në treg, përfshi dhe kapitenin Berat Gjimshiti që kërkohet nga klubet saudite. Ndërkohë, mesfushorët Ylber Ramadani e Kristjan Asllani marrin lajme të mira. Kështu, mesfushori i Leçes, Ylber Ramadani, mund ta vazhdojë karrierën në Arabinë Saudite. Interesim për mesfushorin e Shqipërisë ka shprehur Al Ain, shkruan mediumi i afërt me klubin italian “Paineta Leçe” të mërkurën. “Klubi saudit i ka kërkuar informacion menaxherit të lojtarit dhe negociatat mund të fillojnë në ditët në vijim për ta transferuar atë nga Leçe”, shkruan sajti italian.
Sipas mediumit italian, Ramadani pritet ta refuzojë ofertën prej 1 milion e 200 mijë euro. “Pse Ramadani nuk është i bindur nga oferta e Al Ain. Futbollisti e di mirë se pranimi i ofertës së një klubi që i përket ligës arabe do të ishte si t’i thoshte lamtumirë ekipit kombëtar. Një rreth që Ramadani ndjen se ende dëshiron t’i përkasë, edhe për shkak të faktit se vitet e fundit Shqipëria ka përjetuar një rritje mjaft të konsiderueshme teknike dhe taktike, edhe falë tij. Evropa është ëndrra e çdo futbollisti, të luash në njërën nga këto liga kryesore është një pikë mbërritjeje dhe jo një kalim. Prandaj, edhe humbja e Serie A nuk është një pikë në favor të këtij negocimi. Prandaj, Al Ain do të duhet të jetë edhe më ‘bindës’ sesa një milion e 200 mijë euro që pak a shumë kanë vendosur t’i ofrojnë si pagë”, shkruan sajti italian i afërt me Leçen. Ramadani 29-vjeçar me Leçen ka kontratë deri në qershor të vitit të ardhshëm me mundësi vazhdimi edhe për një vit.
Asllani po fiton vendin e Çalhanoglu te Interi
A mund të bëjë Inter pa Hakan Çalhanoglu? Kjo është pyetja më e rëndësishme që shtrohet sot në Milano. Nëse po, cili mund të jetë pasuesi i tij, duhet të shohin brenda shtëpisë për të gjetur një zgjidhje apo duhet të shohin në treg për opsione të rinj. Të gjitha këto pyetje të dërgojnë fillimisht te Kristjan Asllani. A mundet mesfushori kuqezi të marrë vendin e Çalhanoglu? Kjo pikëpyetje pritet të marrë një konfirmim të fortë mes ditës së sotme dhe të enjtes, në ndeshjen kundër River Plate. Sipas mediave italiane, ky pritet të jetë një test i fortë për Asllanin, pasi trajneri Kivu pritet t’i besojë sërish një fanellë titullari.
Sipas të gjithë gjasave, Inter po punon, po bën planet pa Çalhangolunë në skuadër, herët apo vonë, turku do të largohet pasi dukshëm dashuria mes palëve ka përfunduar pas një sezoni shumë zhgënjyes. Jo vetëm Asllani, Inter investoi këtë verë duke afruar në skuadër edhe Sushiç, dy lojtarë që mund të plotësojnë boshllëkun e lënë nga lojtari turk. Kujtojmë që deri tani, në dy ndeshjet e zhvilluara në Botërorin e Klubeve, Asllani e ka nisur titullar me zikaltrit. Ai është bërë protagonist në ndeshjen e parë, teksa nisi një aksion me skemë, nga ku Interi shënoi gol. Kohët e fundit në skenë për mesfushorin kanë dalë ekipe si Fiorentina apo dhe jashtë Italisë, megjithatë gjithçka do vendoset pas Botërorit të Klubeve.