Lamine Yamal, xhevahiri i Barcelonës, që së fundi rinovoi kontratën deri në vitin 2031, ka dhënë një intervistë për “El Larguero” të “Cadena SER”, ku ka ndarë disa momente interesante.
Së pari foli për marrëdhënien me veteranin Robert Lewandowski, i cili vjen nga një brez shumë i ndryshëm nga ai i Lamine, vetëm 17 vjeç: “Raporti me Lewy është përmirësuar shumë. Kur u bashkova për herë të parë me ekipin e parë, isha një i ri nga ‘La Masia’ dhe nuk kishim ndonjë marrëdhënie të veçantë. Tani, marrëdhënia është shumë e mirë, madje takohemi shpesh edhe jashtë fushës”.
Yamal komentoi edhe mbi shifrën e publikuar në Instagram nga babai në kohën e rinovimit të kontratës, duke mohuar spekulimet se bëhej fjalë për pagën e tij vjetore: “Para firmës, babai im po bënte shaka me presidentin (Laporta). Po t’jua tregoja, do qeshnit me siguri. Nuk kishte fare lidhje me futbollin…, babai im nuk do të publikonte kurrë asgjë që ka të bëjë me kontratën”.
Lidhur me zërat që flasin për një zhvendosje të mundshme nga krahu në qendër të sulmit, Yamal u shpreh qartë: “Mendoj se do të mbetem gjithmonë një lojtar krahu, sepse më pëlqen përballja një kundër një. Sigurisht, nga brenda do të merrja më shumë topa, por gjithmonë do të ketë më shumë kundërshtarë aty. Me kalimin e viteve, besoj se do të nisem nga krahu, por do të bëj gjithnjë e më shumë gjëra drejt qendrës”.
Mesazhi i koduar i babait, pas rinovimitRinovimi i kontratës së Lamine Yamal me Barcelonën deri në vitin 2031 u shoqërua me një postim enigmatik të babait të talentit të ri. Munir Nasraoui, babai i 17-vjeçarit të mrekullueshëm të Barcelonës, publikoi në Instagram një foto ku përqafon të birin, shoqëruar me shifrën “19,3”.
Kuptimi i këtij numri shkaktoi menjëherë spekulime. Sipas disa mediave spanjolle, bëhet fjalë për pagën bruto të Yamal, në miliona dollarë, që do të përkthehej në rreth 8 milionë euro neto në sezon.
Të tjerë pretendojnë se 19,3 i referohet shumës neto, përfshirë bonuset dhe stimujt e tjerë financiarë, mes të cilave edhe një premio e lidhur me fitimin e mundshëm të “Topit të Artë”. Në çdo rast, pavarësisht se shifrat mbeten jozyrtare, është e qartë se kontrata e re e tij përfaqëson rritje të ndjeshme krahasuar me 1.6 milionë eurot që ka fituar sezonin e fundit.
Ka edhe nga ata që i ulin tonet e interpretimit ekonomik të postimit, duke sugjeruar se “19,3” mund të jetë thjesht një kombinim mes numrit të fanellës së Yamal (19) dhe trofeve të fituar (3). Megjithatë, prania e presjes shton dyshimet për një lexim thjesht simbolik.
