23 Qershor 2025
20:06
Telesport
Pas transferimit të Alexander Arnold dhe Dean Hujisen në mbrojtje, Xabi Alonso ka kërkuar nga drejtuesit e Real Madrid edhe një përforcim në mesfushë. Trajneri bask kërkon një mesfushor me përvojë, cilësi dhe pjekuri taktike.
Sipas raportimeve që vijnë nga Spanja, Florentino Perez e ka gjetur profilin e lojtarit që kërkon Xabi Alonso dhe bëhet fjalë për Ruben Neves, mesfushorin portugez të Al-Hilal, i cili bëri një përfomancë të jashtëzakonshme në përballjen mes dy ekipeve në ndeshjen e parë për Kupën e Botës. Por, drejtuesit e Realit nuk nisen vetëm nga perfomanca e tij në këtë ndeshje, por nga forma e vazhdueshme që ka treguar vitet e fundit.
Ruben Neves ka qenë në fokusin e disa ekipeve të mëdha që kur ishte pjesë e Wolves në Premier League, por zgjodhi të transferohej tek Al-Hilal për 55 milionë euro dhe sigurisht një super rrogë për të. Megjithatë, 28-vjeçari është gati të rikthehet në Europë dhe nuk mund t’i thotë dot “jo” interesimit të një klubi si Real Madrid. Burime pranë lojtarit tregojnë se Neves nuk e fsheh gëzimin për të veshur fanëllën e Realit, por marrëveshja me Al-Hilal nuk ka për të qenë aspak e lehtë.
Aktualisht, jemi larg finalizimit të marrëveshjes, por interesi i ekipit madrilen është real dhe operacioni ka hyrë në një fazë ku gjithçka mund të përshpejtohet brenda ditësh.
