Tag: zyrtarë

  • Mosmarrëveshje të vazhdueshme mes Kosovës dhe Serbisë për vizitat zyrtare

    Mosmarrëveshje të vazhdueshme mes Kosovës dhe Serbisë për vizitat zyrtare

    Foto ilustruese

    PRISHTINË- Zyrtarët e Kosovës dhe Serbisë do të bëjnë vizita të ndërsjella, për të çuar përpara procesin e normalizimit të marrëdhënieve, ose për t’i kontribuuar dialogut që ndërmjetëson Bashkimi Evropian për këtë qëllim. Kështu, së paku, thuhet në Marrëveshjen për vizitat zyrtare, që Prishtina dhe Beogradi kanë arritur në vitin 2014. Por, përkundër saj, palët u ndalojnë shpesh vizitat zyrtarëve të njëra-tjetrës, duke i akuzuar për mosrespektim të procedurave. Më 26 mars, Kosova ia ndaloi vizitën ministrit serb të Shëndetësisë, Zllatibor Llonçar, ndërsa më 20 mars, Serbia ia ndaloi vizitën ministrit kosovar të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.
    Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës e shpjegoi vendimin e saj duke thënë se Prishtina, fillimisht, i dërgoi një kërkesë për vizitë Beogradit, së cilës ai nuk iu përgjigj, dhe tha se qasja e Kosovës ndaj vizitave zyrtare do të mbetet e bazuar në reciprocitet. Nga Serbia nuk u dha ndonjë shpjegim se përse është refuzuar kërkesa e Çekut, por Kosova është akuzuar për “minim të drejtpërdrejtë të normalizimit të marrëdhënieve”.
    Radio Evropa e Lirë kërkoi nga Bashkimi Evropian që t’i komentojë ndalesat e fundit të vizitave të zyrtarëve nga Kosova dhe Serbia, përkatësisht të vlerësojë dëmin që veprimet e tilla i shkaktojnë procesit që synon normalizimin e marrëdhënieve.
    Deri në publikimin e këtij artikulli, REL-i nuk mori përgjigje, por BE-ja, më herët, ka deklaruar se pret të respektohen të gjitha marrëveshjet e arritura, përfshirë edhe atë për vizitat zyrtare.
    Çfarë thotë Marrëveshja për vizitat zyrtare?
    Në Marrëveshjen e vitit 2014 për vizitat zyrtare thuhet se palët – nëpërmjet oficerëve ndërlidhës – do ta informojnë njëra-tjetrën për vizitat e zyrtarëve të tyre të kategorisë së parë dhe të dytë. Kategoria e parë përfshin: presidentin, kryeministrin, zëvendëskryeministrat, kryetarin e Kuvendit dhe ministrat e Brendshëm, të Jashtëm dhe të Mbrojtjes. Në kategorinë e dytë bëjnë pjesë të gjithë ministrat tjerë, nënkryetarët e Kuvendit, drejtorët e zyrave qeveritare dhe të agjencive të sigurimit, kryetarët e Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë, prokurori publik, si dhe të gjithë personat tjerë që kanë siguri fizike, si udhëheqësit fetarë.
    Për vizitat e zyrtarëve që bëjnë pjesë në kategorinë e parë, kërkesa duhet të bëhet së paku 72 orë përpara, ndërsa për vizitat e zyrtarëve të kategorisë së dytë, pala tjetër duhet të njoftohet së paku 48 orë përpara. Oficeri ndërlidhës është ai që e ndërmjetëson procesin dhe konfirmon pranimin. Nëse nuk ka përgjigje brenda një periudhe të caktuar, vizita konsiderohet e miratuar. Marrëveshja për vizitat zyrtare parashikon, gjithashtu, që secila palë të caktojë një zyrtar, i cili do të ketë qasje të rregullt dhe të thjeshtuar te pala tjetër dhe tek i cili palët do të ofrojnë informacione logjistike, për të lehtësuar përgatitjen e vizitave.
    Disa nga vizitat e parealizuara
    Disa herë në vit, njëra palë ose tjetra informon publikun se një vizitë zyrtare nuk është miratuar. Gjatë vitit të kaluar, Bashkimi Evropian reagoi në disa raste për ndalimin e vizitave, duke i bërë thirrje si Kosovës, ashtu edhe Serbisë që t’u përmbahen marrëveshjeve të arritura. Për shembull, në fillim të vitit 2024, Beogradi zyrtar ia ndaloi ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, të vizitojë Luginën e Preshevës në Serbinë jugore, ku jeton popullata shumicë shqiptare. Bashkimi Evropian, më pas, njoftoi se vizita e ministrit Sveçla ishte paralajmëruar në përputhje me Marrëveshjen për vizitat zyrtare dhe i bëri thirrje Beogradit që ta lejojë atë.
    Më pas, në maj të vitit 2024, Kosova ia ndaloi vizitën drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç.
    Disa ditë më vonë u ndalua edhe vizita e patriarkut serb, Porfirije, me shpjegimin e autoriteteve kosovare se vizitat nga Serbia nuk do të lejohen, derisa Beogradi zyrtar vazhdon t’i shkelë marrëveshjet e Brukselit dhe të mos e ndalojë fushatën e tij kundër Kosovës në skenën ndërkombëtare. BE-ja reagoi sërish, duke thënë se me ndalimin e vizitës së patriarkut serb, Kosova shkeli marrëveshjen e arritur me Serbinë në kuadër të dialogut.
    Por, ndërkohë, palët kanë lejuar edhe disa vizita të ndërsjella të zyrtarëve.
    Kështu, shqiptarët në Serbi u vizituan nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, dhe tashmë ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiç, vizituan veriun e Kosovës.
    Rasti i Marko Gjuriçit
    Në mars të vitit 2018, Policia e Kosovës ndaloi drejtorin e atëhershëm të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, për hyrje pa leje nga autoritetet. Ai u largua nga territori i Kosovës pasi dha një deklaratë në stacionin policor në Prishtinë. Gjatë aksionit të arrestimit, në Mitrovicë të Veriut u dëgjuan sirena alarmi, ndërsa policisë iu desh të përdorte gaz lotsjellës, me ç’rast u lënduan 32 persona. Autoritetet e Kosovës më pas njoftuan se Gjuriç dhe ministri i atëhershëm serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, nuk u lejuan të hyjnë, për shkak të “nxitjes së urrejtjes”.
    Bashkimi Evropian i dënoi ngjarjet në Kosovë dhe tha se veprimet e tilla ishin “në kundërshtim me normalizimin e marrëdhënieve”. Vendet perëndimore, përfshirë SHBA-në, shprehën gjithashtu shqetësim për përshkallëzimin e mundshëm të situatës. Dialogu në nivel të lartë politik mes Kosovës dhe Serbisë u bllokua prej se një grup i armatosur serbësh sulmoi Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit, në shtator të vitit 2023, dhe vrau një polic.
    Këtij sulmi i paraprinë tensione të larta, pasi serbët në pjesën veriore braktisën institucionet e Kosovës, për të kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për zëvendësimin e targave serbe me ato të Kosovës. Serbët lokalë ngritën barrikada e bënë protesta, si dhe i bojkotuan zgjedhjet lokale. Ky veprim rezultoi, pastaj, me ardhjen e kryetarëve shqiptarë në krye të katër komunave me shumicë serbe. I dërguari i ri i BE-së për dialogun, Peter Sorensen, vizitoi Prishtinën dhe Beogradin këtë muaj, kur tha se prioritet i tij është të sigurojë një takim ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë.
    Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, deklaroi në shkurt se i ka marrë parasysh kritikat për formatin aktual të dialogut Kosovë-Serbi dhe se ajo, së bashku me Sorensenin, do t’i shqyrtojnë opsionet për ta bërë atë funksional./REL

  • Zyrtare!!! Red Bull ndërron sërish pilot, një shok i ri skuadre për Max Verstappen

    Zyrtare!!! Red Bull ndërron sërish pilot, një shok i ri skuadre për Max Verstappen

    Tashmë është zyrtare! Duke nisur nga gara e ardhshme në Japoni, Yuki Tsunoda do të jetë një pilot i Red Bull. Japonezi do të zërë vendin e neo-zelandezit Liam Lawson, që do të vazhdojë të garojë në Formula 1.
    Dy pilotët kanë bërë një shkëmbim sediljesh, me Lawson që do të garojë me RB Racing. Ky ndryshim u përfol që të dielën, pas përfundimit të garës së Kinës, por është konfirmuar vetëm të enjten.
    Te Red Bull kanë mbetur të pakënaqur nga paraqitja e neo-zelandezit në dy garat e para, ndaj vendosën ta rikthejnë te RB, makina satelit, ku ka pilotuar sezonin e kaluar. Ndërsa Tsunoda ka marrë promovimin e duhur.
    Christian Horner, shefi i Red Bull tha: “Ne synojmë titullin kampion për konstruktorë, ndaj besojmë se përvoja e Yuki do të na ndihmojë. Liam ka nevojë ende të rritet, ndaj do të vijojë karrierën te RB Racing (makina satelit)”.
    Kështu, Yuki Tsunoda do të jetë shoku i ri i skuadrës së Max Verstappen. Aventura e Lawson te Red Bull zgjati vetëm dy gara. Ai erdhi në janar pas largimit të Sergio Perez, por nuk arriti të tregojë asgjë me një makinë të shpejtë.

  • Signal është aplikacioni i preferuar i aleatëve të Trump por edhe kundërshtarëve të tij

    Signal është aplikacioni i preferuar i aleatëve të Trump por edhe kundërshtarëve të tij

    Ekipi i Elon Musk po punon për të goditur burokracinë federale dhe protestuesit që po përpiqen ta ndalojnë atë kanë diçka të përbashkët. Përdorin Signal për të mbajtur komunikimet e tyre të sigurta.

    Signal, një aplikacion komunikimi me tekst dhe audio lançuar një dekadë më parë, shihet si standardi i artë i komunikimeve të enkriptuara sipas ekspertëve të sigurisë kombile.
    Është adoptuar gjerësisht jo vetëm nga kritikët e qeverive, por edhe nga zyrtarë, ligjvënës, gjeneralë e drejtues korporatash.

    Edhe përpara se aplikacioni të bëhej një pikë debati kur zyrtarë të lartë të Trump gabimisht vendosën një gazetar në diskutimet e tyre për sulmet në Jemen, Signal po fitonte popullaritet në Uashington.
    Të dhënat nga Sensor Tower, një firmë analitike, tregojnë se shkarkimet e Signal në tre muajt e parë të 2025 janë rritur me 16 përqind krahasuar me tre mujorin paraardhës dhe 25 përqind krahasuar me tre muajt e parë të 2024.

    Në Uashington është e vështirë të gjendet një i ngarkuar me detyra shtetërore që nuk përdor aplikacionin i cili operohet nga Fondacioni Signal. Një analizë e Associated Press zbuloi se Signal përdoret nga 1,100 zyrtarë shtetërore në 50 shtetet Amerikane.
    Departamenti i Efikasitetit Qeveritar të Elon Musk koordinon punën përmes Signal sipas raportimeve të New York Times dhe Wall Street Journal. Vetë Musk e ka përdorur aplikacionin gjatë blerjes së rrjetit social Twitter në 2022 dhe së fundi e përdori për të komunikuar me nënën e një prej fëmijëve të tij, personalitetin e media Ashley St. Clair.
    Disa qeveri zyrtarisht kanë dhënë bekimin e tyre për përdorimin e Signal. Në 2020, Komisioni Europian i tha stafit të përdorë Signal. Senati Amerikan ka aprovuar përdorimin e tij.
    Madje edhe trafikantët e përdorin Signal ndërsa proteusit e shfrytëzojnë për të koordinuar veprimet e tyre. /PCWorld Albanian