Tag: zyrtar

  • Arrestohet ish-kryeinspektori i IMT në Durrës, akuzohet se ndërtoi disa shtëpi pushimi pa leje

    Arrestohet ish-kryeinspektori i IMT në Durrës, akuzohet se ndërtoi disa shtëpi pushimi pa leje

    Policia e Durrësit ka arrestuar një ish-zyrtar lokal të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT), nën akuzën për ndërtim të paligjshëm gjatë kohës që ushtronte detyrën.
    Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në pranga është vënë Ardian Halili, 55 vjeç, banues në Tiranë.
    Ai dyshohet se në vitin 2017, kur mbante funksionin e kryeinspektorit të IMT Durrës, ka ndërtuar pa leje disa objekte banimi (shtëpi pushimi) në zonën e Shetajt, njësia administrative Ishëm.

    Operacioni u krye nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar, pas hetimeve të zhvilluara në bashkëpunim me institucionet përkatëse.
    Materialet procedurale i janë referuar tashmë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, e cila do të vijojë ndjekjen penale për këtë rast.

  • Milani i ri bind në debutimin zyrtar, Igli Tare del hapur për çështjen e sulmuesit

    Milani i ri bind në debutimin zyrtar, Igli Tare del hapur për çështjen e sulmuesit

    Një Milan bindës e hapi sezonin e ri me fitore të pastër ndaj Barit, duke siguruar kalimin në raundin e dytë të Kupës së Italisë. Në “San Siro” përfundoi 2-0, Rafa Leao zhbllokoi rezultatin në pjesën e parë, por menjëherë më pas u detyrua të linte fushën për një problem fizik.
    Për gjendjen e tij, trajneri i dytë kuqezi Landucci u shpreh i pasigurt në fund të ndeshjes: “Nuk e di, doli sepse ndjeu këtë shqetësim dhe nuk donim të rrezikonim më shumë. Do të shohim nesër cilat do të jenë rezultatet e kontrolleve mjekësore”.
    Ndeshjen në pjesën e dytë e vulosi Christian Pulisic, një nga më të mirët në fushë, bashkë me Saelemaekers dhe Fofana. Skuadra e Allegrit tregoi soliditet dhe fluiditet taktik, duke alternuar 4-3-3 fillestar me 3-5-2 më kompakt në fazën mbrojtëse.

    Mirë edhe Modric, i cili hyri në minutën e 64-t dhe menjëherë vendosi rregull dhe ritëm në mesfushë, i pritur me ovacione nga “San Siro” në debutimin e tij zyrtar me fanellën kuqezi. Allegri menaxhoi mirë zëvendësimet dhe posedimin, duke kufizuar rreziqet dhe shfrytëzuar në maksimum depërtimet e anësorëve dhe mesfushorëve ofensivë.
    Ndërkohë, merkatoja kuqezi mbetet e nxehtë. Drejtori sportiv Igli Tare, para ndeshjes, foli hapur për objektivat në sulm: “Hojlund do të ishte një opsion i mirë. Po e vlerësojmë këto ditë, por merkatoja është e paparashikueshme.
    E dimë që duhet të ndërhyjmë në këtë repart. Gjithashtu e dimë që duhet të jenë lojtarë që i japin diçka më shumë këtij grupi. Vlahovic? Është një mundësi. Një sulmues duhet të vijë”.

  • Ç’thotë i vetmi dokument zyrtar i zbuluar deri me sot për Betejën e Kosovës, 1389

    Ç’thotë i vetmi dokument zyrtar i zbuluar deri me sot për Betejën e Kosovës, 1389

    Nga Jahja Drancolli

    Në 630-vjetorin e Betejës së Kosovës: Cilat janë arritjet historiografike të sotme!?

    Ç’thotë i vetmi dokument zyrtar i zbuluar deri me sot për këtë ngjarje!

    1. Një dokument i 20 tetor 1389, i cili ruhet në Arkivin Shtetëror të Firencës, respektivisht një korrespodencë e përfaqësuesit të Senatit të Republikës së Firencës me mbretin e Bosnës Tvrtko I (1338-1391), konsiderohet për të vetmin dokument zyrtar të zbuluar deri me sot që i referohet një beteje (të cilën shumë historianë e kanë quajtuar për Betejën e Kosovës) në mes aleancës ballkanike dhe sulltanit Osman, Muratit I. E veçanta e këtij dokumenti të vetëm për këtë ngjarje është se, aty nuk përmendet fare princ Lazari i familjes Hrebelanoviq, por si ngadhnjyes në atë betejë përmendet mbreti Bosnës- “Regi Bossine”, me aleatet e tij. Nuk përmendet as Kosova si vendndodhja e ngjarjes. Dokumenti zë ngojë se beteja kishte ndodhur në Fushën Turdo- “in loco qui campus Turdorum dicitur“. Është interesante se ky dokument zyrtar e heshtë edhe trimin e Kosovës, Milosh Kopiliqin. Në vend të tij si komplotistë ndaj sulltan Muaratit u shquan 12 bujarët e betuar- “Felice et ter quaterque felices duodecim illa procurum jurata manus”.Pra, nga ky dokument zyrtar i përmendur më sipër, fatkeqësisht i vetmi i këtij lloji, mbesin shumë çështje të hapura shkencore që ndërlidhën me Betejën e Kosovës të vitit 1389!

    2. Arritjet historiografike të sotme!

    Beteja e Kosovës si ngjarje historike mbështet vetëm në burime tregimtare. Për këtë betejë është krijuar një seri e ciklit epik, si dhe tregime të regjistruara më herët ose më vonë. Nese merrët në konsideratë e gjithë tradita për betejën, do të ishte krijuar një tablo me hollësi ca më të plota; do të dinim për ngjarjet para përplasjes: rrjedhën e betejës e momentet vendimtare; fatin e udhëheqësve dhe të heronjve, etj. Beteja e Kosovës me kohë kishte fituar famën e disfatës më të madhe serbe, edhe pse sot dyshohet në historiografi se ajo me të vërtetë ishte e tillë. Vështirësitë më të mëdha për të mësuar për argumentet themelore rreth përplasjes të aleancës ballkanike me osmanët nuk paraqesin vetëm numri i kufizuar i burimeve të kohës, por edhe paraqitja e hershme e legjendës. Që në dekadat e para pas ngjarjes janë dalluar qartë versionet e burimeve vendore, osmane dhe perëndimore për elementet kryesore të betejës. Prandaj nuk mund tu besohet, madje as lajmeve, që janë vetëm një dekadë më të vjetra se sa beteja, nese nuk ka asnjë supozim të arsyeshëm se ata janë produkt i ndonjë burimi bashkohës relevant.

    Atributet mitike që ndërlidhen me paraqitjen dhe zhvillimin e betejës shpesh kanë errësuar realitetin historik dhe specifikat e kësaj ngjarjeje kronologjikisht të largët. Burimet e identifikojnë me Ditën e Shën Vitos/Vidit (15/28 qershor 1389 sipas kalendarit julian, si dhe 28 qershor sipas kalendarit gregorian), si datë të ballafaqimit ushtarak ndërmjet ushtrisë së “Koalicionit ballkanik” (boshnjakët, arbërit, serbët hungarezët, kroatët, vllehët, çekët, etj.), të udhëhequr nga princi Lazar Hrebelanoviq, që priste në Fushë – Kosovë, në vendin ku bëhën bashkë Llapi e Sitnica, për ti bërë ballë ushtrisë osmane në krye me Sulltan Muratin I me bijtë Bajazitin e Jakubin. Sipas legjendës, Murati I u vra, gjatë ose pas betejës nga duart e një bujari, një ushtari të plagosur ose një dezertori të quajtur Milosh Kobiliq/Kopiliqi dhe nga vitit 1765 Obiliq (sipas një libri të Historisë së Serbisë). Princi Lazar u kap dhe më pas qe ekzekutuar. Informacionet shtesë mbi numrat e saktë dhe përbërjen e ushtrive të tyre përkatëse dhe viktimat janë kontradiktore. Për të kompletuar tablon historike të ngjarjeve, dihet se Bajaziti kishte pasuar babain në fron, ndërsa Stefan Lazareviq, nën tutelën e nënës, Milica, kishte pranuar për të paguar haraç dhe besnikëri ndaj osmanëve.

    Me kalimin e kohës, Beteja e Kosovës vishet me të dhëna sa interesante, aq edhe subjektive e të mitizuara. Pikërisht, është kjo arsyeja që historiografia ende nuk ka mundur ta dallojë Kosovën historike nga Kosova e mitizuar. Beteja ishte shumë e ashpër dhe pati humbje të mëdha nga të dyja anët. U vra si Lazari, ashtu edhe Murati I. Aty mbeti i vrarë edhe kryezotëriu arbëror Theodori II Muzaka, zot i Beratit dhe i Myzeqesë. Çdo gjë tjetër është e pasigurtë.

    Krahas nocioneve: Campus Turdorum, Campus Merulae, Kosovo Polje, Sclavonia, Arbëria, Rasia, që i referohen trevës ku është zhvilluar beteja, shpesh ndeshim edhe nocione antike të përdorura sipas modës humaniste e bizantine, si, Dardania dhe Mysia; nocionet në fjalë gjatë antikitetit përfshinin trevën e Kosovës dhe pjesët e skajshme të saj. Të tilla njoftime ndeshim te humanisti, Segoni, Beçikemi, Tubero, e ndonjë tjetër.Miti mbi Betejën e Kosovës është aktualizuar sidomos nga shek. XIX dhe jeton edhe sot si shprehje e nevojave të politikës së ditës. Si i tillë është krijuar dhe promovuar në mbështetje të legjendës simbolike dhe mitit politik të Kosovës, ku “miti është zakonisht një tregim i interesuar për ngjarjet e së kaluarës, duke u dhënë atyre një kuptim të veçantë dhe rëndësi për të tashmen për qëllime të përforcimit të autoritetit të atyre, që janë në pushtet në një komunitet të caktuar”. Këtej, është plotësisht i saktë konstatimi i pranuar nga historiografia e sotme: ”[…] ndoshta nuk ka ngjarje për të cilën do të ishin më të nevojshme burimet për t’u bërë dallimi ndërmjet elementeve mitike e reale”!

    Burimi: Archivio di Stato di Firenze!

  • Posta e Kosovës nderon Dua Lipën me pulla postare të dedikuara

    Posta e Kosovës nderon Dua Lipën me pulla postare të dedikuara

    Posta e Kosovës ka lansuar një seri të re pullash postare me imazhin e këngëtares me famë botërore Dua Lipa, duke e kthyer atë në një simbol zyrtar të krenarisë kombëtare që “udhëton” përmes çdo letre të dërguar, transmeton KultPlus.

    “Le të jetë çdo letër një kujtesë: Zëri i vendit tonë jehon në të gjithë globin,” thuhet në njoftimin e bërë nga Posta, e cila shoqëroi lansimin me hashtagun zyrtar #DuaLipaVibes.

    Kjo iniciativë vjen si një tjetër nderim për artistën me prejardhje nga Kosova, e cila ka bërë që emri i vendit të dëgjohet në mbarë botën përmes muzikës dhe suksesit të saj ndërkombëtar./KultPlus.com

  • Lëvizje e papritur nga Tel Avivi, i dorëzon Hamasit një dokument…

    Lëvizje e papritur nga Tel Avivi, i dorëzon Hamasit një dokument…

    Një zyrtar i lartë izraelit ka konfirmuar për gazetarin Barak Ravid se Izraeli i ka dorëzuar mbrëmë Hamasit, përmes ndërmjetësve, një “dokument me pikat kyçe” që përmban reagimin zyrtar të Tel Avivit ndaj përgjigjes që Hamasi dha javën e kaluar mbi propozimin për armëpushim dhe marrëveshje për pengjet në Gaza.
    Ky zhvillim vjen në një moment delikat të negociatave, teksa përpjekjet për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme mes palëve janë intensifikuar gjatë ditëve të fundit me ndërmjetësimin e SHBA-ve, Egjiptit dhe Katarit.
    Zyrtari izraelit nuk ka bërë publike përmbajtjen e dokumentit, por theksoi se përmban “pikat kryesore” të qëndrimit të Izraelit ndaj kushteve të paraqitura nga Hamasi

  • Ibrahimovic “turpëron” Milanin, retushon sponsorin zyrtar në mënyrë amatoreske

    Ibrahimovic “turpëron” Milanin, retushon sponsorin zyrtar në mënyrë amatoreske

    Zlatan Ibrahimovic është rikthyer në qendër të vëmendjes, kësaj here pa dashur vetë. Aktualisht këshilltar i lartë i “RedBird”, pronarit amerikan të Milanit, suedezi ka publikuar një histori në profilin e tij në Instagram, që ka ngjallur shumë debat dhe e ka vënë klubin në siklet.
    Ish-ylli kuqezi është fotografuar i ulur, me sfond panoramën e Hong Kongut, ku skuadra e drejtuar nga Max Allegri zhvillon miqësoren ndërkombëtare me Liverpool-in. Ajo që ka tërhequr vëmendjen nuk është vendndodhja ekzotike, por përpjekja e pasuksesshme e Ibrës për të fshirë nga bluza e stërvitjes logon e sponsorit “E-Football”, konkurrent direkt i EA, kompanisë për të cilën është imazh zyrtar.
    Një fenomen me topin, por më pak me programet e editimit, Zlatan Ibrahimovic nuk duket se ka aftësi të larta në përdorimin e aplikacioneve për modifikimin e fotove. Në imazhin ku shfaqet nën diellin e Hong Kongut, me veshje stërvitore kuqezi, vihet qartë re një njollë e kuqe, e vendosur sipër logos, shumë e ngjashme me një vegël bazike për cellular, që mbulon një mbishkrim.
    Cilin mbishkrim? Pikërisht “E-Football”, sponsor i kompanisë “Konami”, e cila ka një marrëveshje zyrtare me Milanin dhe shfaqet në të gjitha veshjet stërvitore të ekipit për sezonin e ri. Pse Ibrahimovic e fshehu logon e sponsorit të Milanit?
    Shpjegimi është i thjeshtë: kompania e lojërave elektronike “Konami”, përmes markës “E-Football”, është rivale e drejtpërdrejtë e “EA Sports” (Electronic Arts), me të cilën Ibrahimovic ka lidhur një marrëveshje bashkëpunimi si fytyrë reklamuese. Vetëm pak kohë më parë, “EA njoftoi zyrtarisht se Ibra do të jetë në kopertinën e edicionit “Ultimate” të “EA Sports FC 26”, që do të dalë në shitje këtë vjeshtë.
    Lojë në të cilën nuk do të jenë të përfshira logot, fanellat apo emri zyrtar i Milanit, për shkak të marrëveshjes ekskluzive që klubi ka me “Konami”. Një “gabim grafik” nga ana e Ibrës, i cili donte vetëm të tregonte praninë e tij pranë skuadrës së Allegrit.

  • Bibi është i çmendur/ Ekipi i Donald Trump i shqetësuar për Netanyahun pas sulmeve në Siri

    Bibi është i çmendur/ Ekipi i Donald Trump i shqetësuar për Netanyahun pas sulmeve në Siri

    Teksa tymi dhe mbetjet qarkullonin mbi pallatin presidencial sirian, bisedat në Krahun Perëndimor u bënë më të forta: Benjamin Netanyahu është jashtë kontrollit.

    “Bibi u soll si i çmendur. Ai bombardon gjithçka gjatë gjithë kohës”, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë për Axios, duke iu referuar Netanyahut me nofkën e tij.

    “Kjo mund të minojë atë që Trump po përpiqet të bëjë”.

    Një zyrtar i dytë i lartë amerikan gjithashtu vuri në dukje bombardimin e një kishe në Gaza këtë javë, gjë që e shtyu Presidentin Trump të telefononte Netanyahun dhe të kërkonte një shpjegim. “Duket se çdo ditë ka diçka të re. Çfarë dreqin po ndodh?”.

    Një zyrtar i tretë amerikan tha se ka një skepticizëm në rritje brenda administratës Trump në lidhje me Netanyahun – një ndjesi se gishti i tij i këmbëzës është shumë shkatërrues. “Netanyahu ndonjëherë është si një fëmijë që thjesht nuk do të sillet mirë”.

    Gjashtë zyrtarë amerikanë i thanë Axios se pavarësisht një armëpushimi të ndërmjetësuar nga SHBA-të që ndaloi përshkallëzimin e kësaj jave në Siri të premten, kjo javë përfundoi me Shtëpinë e Bardhë dukshëm më të alarmuar në lidhje me Netanyahun dhe politikat e tij rajonale.

    Megjithatë, Trump deri më tani është përmbajtur nga kritikat publike dhe është e paqartë nëse ai ndan të njëjtat frustrime me këshilltarët e tij. Nuk është plotësisht e qartë nëse ai ndan të njëjtat shqetësime të fundit me këshilltarët e tij në lidhje me veprimet e Izraelit në Siri.

  • Shtëpia e Bardhë e tërbuar nga Netanyahu: Ç’dreqin po bën?!

    Shtëpia e Bardhë e tërbuar nga Netanyahu: Ç’dreqin po bën?!

    Ndërsa tymi dhe rrënojat ngrihen mbi pallatin presidencial në Siri, nervozizmi po rritet në krahun perëndimor të Shtëpisë së Bardhë: kryeministri izraelit Benyamin Netanyahu, besojnë disa zyrtarë amerikanë, ka “humbur kontrollin”.
    “Bibi po sillet si i çmendur. Ai po bombardon gjithçka, gjatë gjithë kohës“, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë për Axios, duke përdorur nofkën e Netanyahu-t. “Kjo mund të minojë atë që Trump po përpiqet të arrijë.” Një tjetër zyrtar i lartë amerikan tha se bombardimi i një kishe në Gaza nga Izraeli këtë javë e shtyu presidentin Trump të telefononte Netanyahu-n dhe të kërkonte një shpjegim. “Ndjejmë sikur diçka e re po përshkallëzohet çdo ditë. Çfarë dreqin po bëjnë?”
    Një zyrtar i tretë tha se skepticizmi ndaj kryeministrit izraelit po rritet në administratën Trump. “Netanyahu është si një fëmijë ndonjëherë që thjesht nuk di si të sillet.” Zëdhënësi i Netanyahu-t, Ziv Agmon, nuk iu përgjigj një kërkese për koment.
    Cili është problemi?
    Gjashtë zyrtarë të lartë amerikanë i thanë Axios se pavarësisht një armëpushimi të ndërmjetësuar nga SHBA-të në Siri, Shtëpia e Bardhë ishte më e shqetësuar se kurrë për politikat rajonale të Netanyahu-t deri në fund të javës. Edhe pse Trump ende nuk e ka kritikuar publikisht këtë veprim, mbetet e paqartë nëse ai ndan shqetësimet e këshilltarëve të tij.
    Të martën, ushtria izraelite bombardoi një konvoj tankesh siriane në rrugën për në qytetin Suweyda, duke e justifikuar veprimin me pretendimin se ata kishin kaluar në një zonë që Izraeli e konsideron të demilitarizuar dhe se ushtria siriane po merrte pjesë në sulme ndaj druzëve, një pretendim që Damasku e mohon.
    I dërguari amerikan Tom Barrack i kërkoi Izraelit të përmbahet derisa të tentohet një qasje diplomatike, për të cilën izraelitët, sipas një zyrtari amerikan, janë angazhuar. Megjithatë, të nesërmen, Izraeli zgjeroi sulmet e tij, duke bombarduar selinë ushtarake siriane dhe një zonë pranë pallatit presidencial.
    Reagimet e ekipit të Trump-it
    “Bombardimi i Sirisë e zuri presidentin dhe Shtëpinë e Bardhë në befasi. Atij nuk i pëlqen kur ndez televizorin dhe sheh bomba në një vend ku po përpiqet të bëjë paqe”, tha një zyrtar. Të mërkurën, Sekretari i Shtetit Marco Rubio i bëri thirrje Netanyahu-t të ndalojë sulmet, të cilat kryeministri izraelit i pranoi me ngurrim – me kusht që ushtria siriane të tërhiqet nga Suëeyda.
    Por zemërimi është shprehur tashmë nga Turqia dhe Arabia Saudite, dhe disa zyrtarë amerikanë janë ankuar personalisht te Trump. Midis tyre ishin Tom Barrack dhe Steve Witkoff, të dy ndihmës të ngushtë të Trump-it. Ata besojnë se vendimet e Netanyahu-t po diktohen gjithnjë e më shumë nga presioni politik i brendshëm.
    “Axhenda politike e Bibit po ia turbullon gjykimin. Në planin afatgjatë, kjo do t’i kthehet kundër”, tha një zyrtar amerikan. Një tjetër shtoi: “Izraelitët duhet të nxjerrin kokën nga prapanica”.
    Tensionet mbi Sirinë vijnë vetëm disa ditë pasi Netanyahu vizitoi Uashingtonin, ku u takua dy herë me Trump-in. Edhe pse dukeshin të afërt, një sërë ngjarjesh kanë ngritur shqetësime: përveç sulmeve në Siri dhe Gaza, vrasja e një qytetari palestinez amerikan nga kolonët izraelitë, Saif Musallet, ka nxitur më tej tensionet.
    Ambasadori Mike Huckabee, një mbështetës i hershëm i Izraelit, e dënoi vrasjen si “terrorizëm” dhe kërkoi përgjigje. Ai gjithashtu kritikoi qeverinë izraelite për vështirësimin e marrjes së vizave për ungjillorët amerikanë.
    Reagimi izraelit
    Zyrtarët izraelitë janë habitur nga presioni amerikan. Sipas një zyrtari të lartë, Trump e inkurajoi Netanyahu-n të merrte kontrollin e pjesëve të Sirisë në fillim të mandatit të tij dhe kurrë nuk e bëri të qartë se kishte një problem me ndërhyrjet izraelite.
    “Ne ndërhyjmë kur e dimë se ushtria siriane po sulmon druzët. Ky është detyrimi ynë ndaj komunitetit druz në Izrael”, tha i njëjti zyrtar, duke mohuar çdo motiv politik.
    Shtëpia e Bardhë është gjithnjë e më e shqetësuar për sjelljen e Netanyahu-t dhe efektin që po ka në stabilitetin rajonal. “Politikat aktuale izraelite po çojnë në një Siri të paqëndrueshme. Si druzët ashtu edhe Izraeli do të humbasin në një skenar të tillë”, paralajmëroi një zyrtar i lartë amerikan.
    Edhe pse Netanyahu ka testuar vazhdimisht kufijtë e tolerancës së Trump-it – nga sulmet ndaj Iranit deri te lufta e vazhdueshme në Gaza – këtë herë, zyrtarët përfundojnë se fati i tij dhe durimi i Trump-it mund të jenë duke u mbaruar. /tesheshi.com/

  • Dosja e bujshme/ Zyrtarët e policisë para SPAK, ja çfarë deklaruan

    Dosja e bujshme/ Zyrtarët e policisë para SPAK, ja çfarë deklaruan

    SPAK ka pyetur disa zyrtarë të Policisë së Shtetit, lidhur me dosjen ‘Çyrbja’.
    Euronews Albania sjell detajet ku kompjuteri që qëndronte i hapur 24 orë në 7 ditë të javës në zyrën e Interpol Tiranës, ishte i aksesueshëm nga të gjithë punonjësit.Ndërsa hetimet vijojnë kush e furnizoi me informacione sekrete ish-deputetin.
    Spak ka ndarë në një fraksion me vete dosjen e ish-deputetit Jurgis Çyrbja për të identifikuar punonjësit e policisë apo agjencive të tjera ligjzbatuese që kanë abuzuar me detyrën, duke nxjerrë informacione sekrete apo të klasifikuara.

    Në kuadër të këtyre hetimeve ku Çyrbja akuzohet për tregim të sekretit shtetëror, madje edhe në bashkëpunim, pasi ka informuar persona që shpalleshin në kërkim ndërkombëtar, SPAK ka pyetur të paktën deri më tani 4 zyrtarë të kohës në zyrën e Interpol Tiranë.
    “Dua të bëj me dije se fjalëkalimin e kompjuterit 24/7 nuk disponohej vetëm nga ana ime si operator, apo kolegët e mi të kësaj zyre, por edhe nga oficerët specialist koordinatorë, pasi ata hynin në këtë sistem për të parë materialet e ardhura dhe printimin e tyre”, ka deklaruar një zyrtar policor.
    “Regjistri ynë elektronik në Excel, në njohurinë time, nuk është më funksional pas sulmit kibernetik që patën kompjuterat e Policisë së Shtetit.”Në deklarimet e dhëna para agjentëve të BKH, zyrtarët e Interpol Tiranë kanë lënë të kuptohet se të dhënat mund të jenë nxjerrë nga struktura të tjera të policisë, që njiheshin me këtë informacion sekret”, mëson Euronews të jetë shprehur një zyrtar tjetër.
    “Pasi një shtet anëtar i Interpol sillte në rrjet një email ku bënte me dije se një shtetas shqiptar ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, sipas procedurës standarde të veprimit në atë kohë për të cilën pyetem, duhet që për 24 orë nga zyra jonë të kalohej në departamentin e Policisë Kriminale dhe Drejtorinë e IT për ta shpallur në sistemin TIMS”, ka thënë  një tjetër zyrtar policor për prokuroret e SPAK.
    Por duket se kompjuteri kryesor ku merreshin të dhënat nga Interpol, nga dëshmitë e zyrtarëve, ka qenë një “han pa porta”.
    “E dija se kush ishte emri i përdoruesit dhe i fjalëkalimit të këtij kompjuteri pasi ishte i vendosur i shfaqur në një tabelë, por nuk isha unë e vetme që e dija këtë pasi edhe specialistët koordinatorë dhe operatorët 24/7 e dispononin”, ka thënë një punonjëse e zyrës se Interpol Tiranës.
    Me këto dëshmi, por dhe ndarjen në fraksion të dosjes, SPAK duket se po has vështirësi në identifikimin e zyrtarëve policorë që kanë abuzuar me detyrën duke dekonspiruar arrestimet për llogari të Interpol.
     
     

  • Policia vendos në pranga zyrtarin publik/ U kap në flagrancë duke…

    Policia vendos në pranga zyrtarin publik/ U kap në flagrancë duke…

    Policia e Kosovës njoftoi të hënën se e ka arrestuar një zyrtar publik nën dyshimin për ryshfet, pasi e kishte kapur në flagrancë duke pranuar të holla në këmbim të kryerjes së një shërbimi zyrtar.
    Në një komunikatë për media, ajo nuk tregoi identitetin e zyrtarit e as ku ka ndodhur rasti, por tha se operacioni për arrestimin e tij u krye nga Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë.
    “Gjatë veprimeve hetimore është siguruar dëshmi relevante që çojnë në dyshimin se një zyrtar publik (i gjendjes civile) ka kërkuar dhe pranuar para në këmbim të një shërbimi zyrtar”, thuhet në njoftim.
    Policia tha se ndërhyri në çastin kur zyrtari publik “e pranoi shumën e dyshuar si ryshfet”, dhe e arrestoi atë në flagrancë.
    “Tek i dyshuari janë gjetur dhe sekuestruar provat materiale relevante për rastin”, tha Policia, por nuk zbuloi shumën e parave që dyshohet ta ketë pranuar ai
    I dyshuari është marrë në pyetje në prani të avokatit mbrojtës dhe do të mbahet në paraburgim për 48 orë, sipas njoftimit.
    Policia tha se hetimet lidhur me këtë rast janë duke vazhduar.
    Nëse shpallet fajtor, zyrtari publik rrezikon dënim me burgim prej 6 muajsh deri në 5 vjet dhe me gjobë për marrje të ryshfetit në këmbim të kryerjes së një veprimi zyrtar, sipas Kodit Penal të Kosovës. /REL