Tag: zymberi

  • Drama “Babai” me në rol dhe aktorin Viktor Zhusti premierë këtë sezon artistik në skenën teatrore

    Drama “Babai” me në rol dhe aktorin Viktor Zhusti premierë këtë sezon artistik në skenën teatrore

     Nga Julia Vrapi
    Shfaqja “Babai” e autorit të njohur Florian Zeller do të jetë premierë këtë sezon artistik në teatër. Provat e para për shfaqjen “Babai” me regji nga Erson Zymberi që rikthen në teatër dhe aktorin e njohur Viktor Zhusti kanë filluar në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivgoli” në Tiranë. Regjisori Erson Zybmeri e sjell këtë vepër në skenën teatrore me një kast aktorësh të njohur. Premiera e kësaj shfaqja teatrore me regji nga  Zymberi sipas teatrit pritet të jetë në datat 8 dhe 9 tetor, ndërkohë që dhe vetë regjisori është shprehur në rrjete sociale për punën që ka nisur. Regjisori Zymberi i njohur për aktivitetin e tij me teatrin thotë se është vepra “Nëna”, që e mbyll ciklin e triologjisë së dramave familjare të autorit Florian Zeller.
    “Pas “Djalit”, së fundmi në Tiranë kemi nisur punën me “Babain”, ndërsa në dhjetor më pret “Nëna”, duke mbyllur kështu ciklin e trilogjisë së dramave familjare të Zellerit. “Babai” është një udhëtim i thellë në botën e një burri të moshuar që po humb kujtesën dhe lidhjet me realitetin. Përmes syve të tij dhe marrëdhënies me vajzën, shfaqja sjell një histori intime për fragjilitetin e kujtesës, dashurinë familjare dhe betejën e njeriut me kohën që i ikën”, shprehet regjisori Erson Zymberi. Drama “Babai” do të vijë në skenë me aktorët Viktor Zhusti, Egla Ceno, Linda Jarani, Pjerin Vlashi dhe Adriana Tolka. Muzika nga kompozitori Endri Sina, kostumet nga Sofi Kara, skenografia Bekim Korça dhe koreografia është nga Mariel Brahimllari.
    Regjisori Erson Zymberi ka nisur provat e para për veprën “Babai” në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, që pritet të jetë në skenë në muajin tetor, por në aktivitetin e tij është prezantuar në shumë festivale dhe teatro vendore si dhe evropiane, duke u shpërblyer edhe me çmime për regjisurën e shfaqjeve të tij dhe jo vetëm. Në vijim të aktivitetit të tij më parë një tjetër shfaqje u vlerësua në Festivalin e Teatrove në Ferizaj. “Djali” me tekst të Florian Zeller dhe regji të Erson Zymberit u shpall shfaqja më e mirë e edicionit të 55-të. “Djali” që shënoi premierën në nëntor të vitit 2024  në Teatrin e Qytetit të Gjilanit në Kosovë është historia e një familjeje në krizë. Është një thirrje që shkon përtej zërit të zakonshëm të skenës, e cila kërkon të zbulojë ato dhimbje të thella që fshihen pas formave apo fasadave të heshtura të familjeve moderne.
    Shfaqja në sezonin e ri artistik
    Shfaqja teatrore “Babai”, që do të vijë në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” është në vijim dhe të tjerave që janë pjesë e sezonit të ri artistik që nisi këtë muaj. Përgjatë gjatorit në skenën e këtij teatri kalendari artistik përmban shfaqje të ndryshme, vepra shqiptare dhe të huaja, ndërsa në tetor në teatër vjen dhe drama “Babai” nga Florian Zeller, që është një romancier, dramaturg, regjisor teatri, skenarist dhe regjisor francez. Ai ka shkruar drama që janë vënë në skenë në mbarë botën, duke e bërë atë një nga dramaturgët më të njohur bashkëkohorë. Edhe më parë vepra të tij kanë qenë në skenën e teatrit tonë dhe këtë sezon vjen drama “Babai” nga regjisori Erson Zymberi.