Tag: zvicrës

  • “Mallkimi”/ La Shqipërinë dhe iu bashkua Zvicrës, Bajrami jashtë formës sportive

    “Mallkimi”/ La Shqipërinë dhe iu bashkua Zvicrës, Bajrami jashtë formës sportive

    Mbrojtësi Adrian Bajrami për kohë të gjatë ishte pjesë e Shqipërisë. Më 1 shtator, papritur, Federata Shqiptare e Futbollit njoftoi se Bajrami më nuk do të grumbullohet me kuqezinjtë. 23-vjeçari vendosi të luante për Zvicrën, përfaqësuesen e vendit ku është rritur. Pasi me Shqipërinë nuk kishte luajtur ndeshje garuese, Bajrami e kishte të drejtën e ndërrimit të përfaqësueses. Dhe e shfrytëzoi këtë të drejtë. Zvicra e ftoi për ndeshjet e tetorit.
    Më 10 tetor ndaj Suedisë qëndroi në stol, ndërsa debutoi ndaj Sllovenisë më 13 tetor. Në ndeshjen e muajit të kaluar ndaj Kosovës sërish ishte në stol. Por forma e Bajramit ka shkuar duke rënë prejse u ftua nga Zvicra. Për këtë ka shkruar të mërkurën mediumi i njohur zviceran “Blick”. Bajrami po luan për Luzernin në Superligën e Zvicrës, ndërsa në fundjavë bëri gabim të rëndë në disfatën 3:1 nga Uinterthuri. U zëvendësua në minutën e 64-t, që për një mbrojtës nuk është shumë e zakontë. “Blick” ka shkruar se Uinterthuri nuk po i sjell fat Bajramit. Ndaj kësaj skuadre kishte gabuar rëndë edhe në ndeshjen e kaluar. “Në fakt prejse mbrojtësi i qendrës mori ftesë nga përfaqësuesja e Zvicrës në tetor, forma e tij është në rënie”, shkruan gazeta.
    Trajneri i Luzernës, Mario Frik, ka thënë se Bajrami po merr përvojë në futbollin e të rriturve. “Është edicioni i tij i parë i plotë në futbollin e të rriturve. Ai është lojtar i ri që duhet të lejohet të bëjë gabime në mënyrë që të mësojë prej tyre, njëjtë si të gjithë lojtarët e tjerë të rinj në ekipin tonë. Prejse arriti në verë, çdo gjë ka ndodhur shumë shpejt. Dhe të mbash nivelin e performancës, pasi të arrish një status të veçantë, është gjëja më e vështirë në futboll. Ai ka personalitet të shkëlqyer. Duam ta ndihmojmë në rrugëtimin e tij. Por është e rëndësishme që t’i eliminojë këto gabime”, ka thënë Frik.

  • Xhaka apo Shaqiri më i miri i Zvicrës, beteja e madhe merr zgjidhje më 12 janar

    Xhaka apo Shaqiri më i miri i Zvicrës, beteja e madhe merr zgjidhje më 12 janar

    Adriatik BALLA
    Në Zvicër luan një kontigjent i madh lojtarësh shqiptarë. Ata kanë cilësi dhe angazhohen me të gjitha ekipet e superligës atje. Ka shumë shqiptarë, gjithashtu, në kategoritë e tjera inferiore në Zvicër. Në përgjithësi, imazhi i lojtarëve shqiptarë në Zvicër është shumë i mirë por askush më shumë se Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri nuk ka kontribuar në këtë imazh. Ka pasur lojtarë të mirë shqiptarë në radhët e Zvicrës dhe më parë si Mehmedi, Behrami, Kasami etj, por asnjë prej tyre nuk e ka arritur këtë nivel futbolli dhe këtë nivel reklamimi. Ata janë gjithashtu ambasadorë shumë të mirë të shqiptarëve në perëndim. Por mes tyre ka dhe rivalitet për trofetë, ku natyrshëm Xhaka dhe Shaqiri duelojnë për më të mirin e vitit në futbollin zviceran. Gara duket se ka ndarë edhe shqiptarët për më të mirin mes tyre.
    “The Best”
    Në Bernë më 12 janar të vitit të ardhshëm do të shpallen futbollistët më të mirë për vitin 2025 në Zvicër. Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri janë të nominuar për të fituar çmime të tjera dhe me shumë gjasë kandidatët kryesorë në kategoritë përkatëse. Në garë për të fituar çmim janë edhe Shkëlqim Demhasaj dhe Valon Fazliu. Nominimet janë publikuar të premten. Xhaka është i nominuar në njërën prej kategorive kryesore, atë për futbollistin më të mirë të Zvicrës. Në konkurrencë me kapitenin e Përfaqësueses së Zvicrës dhe Sanderlandit, janë Manuel Akanji dhe Dan Ndoje. Te futbollistet në konkurrencë janë Geraldine Reuteler, Sydney Shertenleib dhe Lia Valti. Xhaka e ka fituar çmimin e futbollistit më të mirë te Përfaqësuesja e Zvicrës në tri edicionet e kaluara. Çmimin e vitit të kaluar e fitoi pas sukseseve që pati me Bajer Leverkusenin, skuadër me të cilën e fitoi Bundesligën dhe Kupën e Gjermanisë. Edhe Valon Fazliu e Ardon Jashari patën fituar çmime. Fazliu ishte më i miri i kategorisë së dytë, kurse Jashari ishte futbollisti më i mirë i ri.
    Rivaliteti i Shaqirit
    Xherdan Shaqiri është konkurrenti kryesor në kategorinë e futbollistit më të mirë të Superligës së Zvicrës. Këtë vit Shaqiri pati shumë suksese me Bazelin, duke fituar titullin dhe Kupën e Zvicrës dhe duke realizuar e asistuar një numër të madh të golave. Mateo Di Giusto dhe Miroslav Stevanoviç janë konkurrentë të Shaqirit, por me gjasa të vogla. Janë edhe katër kategori të tjera për të cilat do të ndahen çmime, si futbollisti më i mirë i ri dhe futbollistja më e mirë e re. Futbollistja më e mirë e Superligës së Zvicrës dhe futbollisti më i mirë i kategorisë së dytë të futbollit zviceran. Te kjo kategori garojnë Shkëlqim Demhasaj dhe Valon Fazliu. Ceremonia e ndarjes së çmimeve organizohet nga Federata e Futbollit e Zvicrës dhe Liga e Futbollit të Zvicrës. Të nominuarit janë zgjedhur nga paneli i ekspertëve ku përfshihen trajnerët e klubeve, drejtorët sportivë dhe kapitenët, si dhe përzgjedhësit e përfaqësueseve të Zvicrës. Rezultati final do të përcaktohet nga një e treta e votave të jurisë së ekspertëve, përfaqësuesve të zgjedhur të mediave dhe tifozëve.

  • “Model frymëzimi për kombin tonë”/ Fishkëllimat për Granit Xhakën në Prishtinë, reagon bashkëshortja dhe vëllai i tij

    “Model frymëzimi për kombin tonë”/ Fishkëllimat për Granit Xhakën në Prishtinë, reagon bashkëshortja dhe vëllai i tij

    Zvicra ka vulosur mbrëmë kualifikimin direkt për Kampionatin Botëror “USA–Meksikë–Kanada 2026”, pas barazimit 1:1 ndaj Kosovës në stadiumin “Fadil Vokrri”. Rezultati i mjaftoi skuadrës helvetike për ta mbyllur grupin në vend të parë dhe për të prerë biletën pa kaluar nga faza play-off. 
    Në këtë fushatë kualifikuese, mesfushori Granit Xhaka ka qenë një ndër figurat kyçe të Zvicrës, duke udhëhequr ekipin drejt një Botërori tjetër. Megjithatë, takimi i mbrëmshëm në Prishtinë nuk ishte i lehtë për kapitenin, i cili u përball me vërshëllima nga një pjesë e tifozëve në momentet kur prekte topin një reagim që ai vetë nuk e kishte pritur. 
    Pas kësaj ngjarjeje, ka ardhur edhe reagimi publik i vëllait të tij, Taulant Xhakës. Ish-mesfushori i Kombëtares shqiptare i doli në mbrojtje Granitit përmes një postimi në rrjetet sociale, ku shkroi: 
    “Gjithmonë deri në vdekje me ty vëlla. Krenaria e shqiptarëve. Zoti i ruajt të gjithë shqipet e vërteta nëpër botë.” 
    Reagimi i Taulantit ka marrë dhjetëra komente mbështetëse, ndërsa debati për pritjen që iu rezervua Granit Xhakës vazhdon të shpërfaqë ndasi mes tifozëve shqiptarë. 
     Situata e tensionuar me Xhakën, reagon edhe bashkëshortja e tij: Përgjithmonë model frymëzimi për kombin tonë 
    Gruaja e Granit Xhakës, Leonita Lekaj, ka reaguar në rrjete sociale pas pritjes jo edhe aq të mirë që futbollisti mori gjatë ndeshjes së mbrëmshme mes Kosovës dhe Zvicrës. 
    Ndeshja u zhvillua të martën në mbrëmje në Prishtinë, nën një shi të dendur që e shoqëroi gjatë gjithë 90 minutave. 
    Kosova e mbylli ciklin e kualifikueseve me barazim 1-1 kundër Zvicrës, duke siguruar pikën që i duhej për ta ruajtur vendin e dytë në grup. 
    Ky rezultat u konsiderua historik pasi për herë të parë Kosova siguroi pjesëmarrjen në ‘play-off’. 
    Megjithatë, atmosfera në stadium nuk ishte e njëjtë për të gjithë lojtarët. 
    Xhaka, kapiteni i Zvicrës me origjinë nga Kosova, u përball me reagime të përziera nga tifozët vendas, çka ka nxitur reagime të shumta në rrjet. 
    Mes atyre që vendosën të reagojnë ishte edhe bashkëshortja e tij, Leonita Lekaj, e cila përmes një postimi shprehu mbështetjen për Granitin. 
    “Përgjithmonë model frymëzimi për kombin tonë. Përgjithmonë krenare me ty”, shkroi ajo. 

  • “Më lësho”! E pabesueshme ajo që ndodh në Kosovë, Xhaka vërshëllehet dhe kapet me shqiptarët

    “Më lësho”! E pabesueshme ajo që ndodh në Kosovë, Xhaka vërshëllehet dhe kapet me shqiptarët

    Në kufijtë e së pabesueshmes është ajo që ka ndodhur dje në “Fadil Vokrri”. Granit Xhaka është vërshëllyer nga stadiumi dhe tifozët shqiptarë sa herë që prekte topin në ndeshjes mes Kosovës dhe Zvicrës. Pamjet
    Pamjet nuk kanë nevojë për shumë koment, sa herë që Granit Xhaka prekte topin i gjithë stadiumi vërshëllente duke krijuar një situatë të pakëndshme dhe duke ngjallur shumë polemika në përfundimin e takimit. Disa kohë më parë Granit Xhaka coi peshë shqiptarët me shqiponjën në Serbi, ndërsa tani pritet me vërshëllima nga ana e tifozëve shqiptarë. Por përse ndodhi një skenë e tillë? E kemi thënë edhe më parë që jo vetëm Granit Xhaka, por të gjithë lojtarët e tjerë tanët që luajnë te Zvicra luajnë me dy porta.
    Një tjetër intervistë japin në mediat shqiptare dhe një tjetër intervistë në mediat e tyre, në këtë rast të Zvicrës. Ishte e disata herë radhazi që Granit Xhaka shprehej se lojtarët që janë te Kosova dhe kishin mundësinë të vinin te Zvicra, e morën këtë vendim pasi nuk mund të luanin dot te Zvicra, duke “ofenduar” në një farë mënyre cilësinë dhe futbollistët dardan.
    Por njëkohësisht kjo shërben edhe si një thirrje për lojtarët e tjerë që duhet të zgjedhin Zvicrën para Kosovës apo Shqipërisë. Në këto kushte, ishin të shumtë tifozët që e vërshëllyen Granit Xhakën sa herë prekte topin, ndërsa në momentin e zëvendësimit të tij, stadiumi u nda mes duartrokitjeve dhe vërshëllimave. Menjëherë pas ndeshjes, Granit Xhaka tregoi gjithë habinë e tij në mediat zvicerane. “Unë u surprizova shumë ashtu si edhe ju. Kjo ishte gjëja e fundit që unë prisja të ndodhte, vecanërisht në shtëpi. Më dhemb, por duhet të jem i sinqert, më duhet ta pranojë, pavarësisht se nuk më pëlqen, ky është futbolli. Jam i lumtur për çdo minutë dhe për çdo tifozë të Zvicrës që erdhi këtu. Sot kemi bërë shumë zviceranë që të ndihen të lumtur”, tha Granit Xhaka.
    Gjithashtu mesfushori shqiptar e shprehur të gjithë nervozimin e tij pas përfundimit të ndeshjes. Xhaka ka pasur një diskutim shumë të ashpër dhe me nerva me kryetarin e tifogrupit të Dardanëve, duke i kërkuar shpjegime për vërshëllimat që ishin në drejtim të tij. Një bisedë e bërë në gjuhën shqipe, ndërsa pranë Xhakës ndodhet edhe një zyrtar i Zvicrës. Duke parë tensionet e larta dhe pa e kuptuar gjuhën, zyrtari i Zvicrës kërkoi të kapte Xhakën për ta hequr pasi mendonte se situata mund të shkonte akoma edhe më rëndë. Por Xhaka i ka kërkuar që ta lëshojë duke vazhduar diskutimin, për të shfaqur të gjithë mllëfin dhe befasinë e tij për mënyrën sesi u prit në Kosovë. /Sport Ekspres/?

  • Zgjidhen enigmat përfundimtare të Kualifikueseve të Botërorit, barazim i Kosovës ndaj Zvicrës (VIDEO)

    Zgjidhen enigmat përfundimtare të Kualifikueseve të Botërorit, barazim i Kosovës ndaj Zvicrës (VIDEO)

    Emocione dhe spektakël në ndeshjet e fundit kualifikuese të Botërorit. Kosova barazon 1-1 ndaj Zvicrës në Fadil Vokrri, duke e mbyllur ashtu siç pritej në vendin e dytë (Grupi B). Me këtë rezultat, dardanët shkojnë në play off, ndërsa helvetët kualifikohen direkt. Sa i takon ndeshjes, golit të Vargas iu përgjigj Muslija.
     

    Në grupin H, barazim 1-1 i Austrisë ndaj Bosnjës. Me këtë rezultat, austriakët kalojnë direkt në Botëror, ndërsa boshnjakët duhet të bëjnë diçka të tillë nëpërmjet Play off-it.
    Maqedonia e Veriut mbetet jashtë fazës Play Off. Maqedonasve u duhej një rezultat pozitiv ndaj Uellsit (Play Off), por kjo përfaqësuese pësoi disfatë 7-1. Në këtë grup J ku është edhe Belgjika, belgët nuk falin, pasi triumfojmë 7-0 ndaj Liechtenstein dhe prejnë biletën për në Botëror.
    Në grupin C, Skocia shkon si kokë grupi, pasi duke mundur 4-2 Danimarkën, lë mbrapa këta të fundit.
     

  • Kosova dhe Zvicra bëjnë “paqe”, supergoli i Muslijës për kornizë (video)

    Kosova dhe Zvicra bëjnë “paqe”, supergoli i Muslijës për kornizë (video)

    Kosova ka barazuar 1-1 ndaj Zvicrës në “Fadil Vokrri” në ndeshjen e fundit për kualifikueset e Kupës së Botës 2026. Pjesa e parë nuk pati shumë gjëra për të thënë. Amir Rrahmani u ndëshkua me karton të verdhë në minutën e 10-të për faull ndaj Embolo.
    Në minutën e 37-të, Veldin Hoxha bën goditjen e parë për Dardanët drejt portës së Zvicrës, por që u ndal nga portieri Kobel. Një minutë më pas, Muriqi provon me kokë, por topi përfundon jashtë portës.
    45 minutat e para mbyllen 0-0. Vlen për t’u përmendur vërshëllimat e vazhdueshme të tifozëve të pranishëm në “Fadil Vokrri” ndaj Granit Xhakës, sa herë që ky i fundit prekte topin.
    Shkak për këtë është një deklaratë e Xhakës e bërë pak ditë më parë ku u shpreh se Albian Hajdari dhe Leon Avduallhu që lanë Zvicrën për Kosovën, nuk e kishin vendin e sigurt te helvetët dhe ndaj zgjodhën dardanët. Gjithashtu, Xhaka tha se Ardion Jashari është më i mirë se Leon Avdullahu.
    Pjesa e dytë nisi direkt me gol, por janë helvetët ata që zhbllokuan rezultatin dhe kaluan të parët në avantazhn. Pas një aksioni të shpejtë dhe zënies në befasi të mbrojtjes dardane, Ruben Vargas gjen rrjetën, pas asistit të Djibril Sow.
    Në minutën e 74-të, Florent Muslija ngre “peshë” stadiumin me një gol spektakolar, me një goditje të bukur dhe gjithë klas nga distanca. REzultati nuk ndryshon deri në fund. Zvicra e mbyll grupin në vend të parë me 14 pikë dhe shkon në Botëror, Kosova me 11 pikë në vend të dytë dhe do luajë shanset e fundit në play-off në muajin mars.
    SHIKOGOLINEKOSOVES

  • Publikohet formacioni zyrtar i Kosovës për sfidën ndaj Zvicrës

    Publikohet formacioni zyrtar i Kosovës për sfidën ndaj Zvicrës

    Është publikuar formacioni zyrtar me të cilin Kosova do të paraqitet në fushën e blertë sonte ndaj Zvicrës. 
    Në portën Dardanë rikthehet portieri Aro Muriç, ndërsa në mbrojtje do të mungojë Albian Hajdari, i cili ka karton dhe trajneri Franco Foda nuk ka dashur ta rrezikojë, për ta humbur në ndeshjen e “play-off”-it. 
    Formacioni startues i Dardanëve ndaj Zvicrës! 
    Dardanët do t’i presin Helvetikët në stadiumin Fadil Vokrri, me fillim nga ora 20:45, në ndeshjen ku vetëm fitorja me diferencë prej gjashtë golave do të na kualifikojë nga pozita e parë, në të kundërt mbesim në “play-off” nga vendi i dytë. 
    Për këtë ndeshje tashmë UEFA ka caktuar gjyqtarët që do ta ndajnë drejtësinë dhe ata janë italianët e njohur. 
    Davide Massa do të jetë gjyqtari kryesor i ndeshjes, ndërsa asistentët e tij do të jenë Filippo Meli dhe Stefano Alassio. 
    Gjyqtar i katërt është caktuar Daniele Chiffi. 

  • Kosova në kërkim të mrekullisë, formacioni zyrtar ndaj Zvicrës. Foda nuk rrezikon me dy titullarët

    Kosova në kërkim të mrekullisë, formacioni zyrtar ndaj Zvicrës. Foda nuk rrezikon me dy titullarët

    18 Nëntor 2025

    19:27

    Telesport

    Kosova luan sonte ndaj Zvicrës në “Fadil Vokrri”, në ndeshjen e fundit kualifikuese për Kupën e Botës 2026. Zvicra mban vendin e parë, Kosova mund të ngjitej në krye vetëm me një fitore me diferencë prej 6 golash, gjë që duket shumë e vështirë.
    Trajneri Franco Foda ka bërë 3 ndryshime nga formacioni startues ndaj Sllovenisë, duke lënë jashtë këtij takimi dy titullarët Albian Hajdari dhe Leon Avdullahu për shkak kartonash, të cilët rrezikonin shumë për ndeshjet e play-offit në muajin mars. Në vend të tyre do të luajnë Fidan Aliti dhe Veldin Hoxha. Po ashtu rikthehet në portë Aro Muric.
    Kosova: Muric, Aliti, Dellova, Rexhbeçaj, Muslija, Asllani, Rrahmani, Vojvoda, Muriqi, Gallapeni, Hoxha.

  • Kosova duhet të bëjë kujdes ndaj Zvicrës, rrezikon të humbë 4 lojtarë për play-offin e marsit

    Kosova duhet të bëjë kujdes ndaj Zvicrës, rrezikon të humbë 4 lojtarë për play-offin e marsit

    17 Nëntor 2025

    19:41

    Telesport

    Kosova do të presë Zvicrën nesër në “Fadil Vokrri”, në ndeshjen e fundit për këto kualifikuese. Tashmë të dy kombëtaret i kanë arritur objektivat e tyre.
    Zvicra e ka thuajse të sigurt vendin e parë, pasi Kosovës i duhet një fitore me 6 gola diferencë për të marrë kreun, gjë e vështirë për të ndodhur. Dardanët do të luajnë në play-off në muajin mars, në rrugën e vetme të mbetur për të siguruar një biletë të fundit për Botërorin e verës së ardhshme.
    Kosova duhet të tregojë kujdes të madh nesër ndaj Zvicrës, pasi rrezikon të humbë 4 titullarë për play-offin e marsit për shkak kartonësh. Lojtarët e rrezikuar janë: dy qendërmbrojtësit Lumbardh Dellova dhe Albian Hajdari dhe dy mesfushorët Muharrem Jashari dhe Leon Avdullahu.
    Me shumë mundësi trajneri Franco Foda mund t’i lërë “pushim” nesër, për të mos rrezikuar më shumë.

  • Kosova mban stërvitjen zyrtare para Zvicrës, Foda kërkon paraqitje dinjitoze, Hajdari synon mbyllje të ciklit me fitore

    Kosova mban stërvitjen zyrtare para Zvicrës, Foda kërkon paraqitje dinjitoze, Hajdari synon mbyllje të ciklit me fitore

    Kosova ka zhvilluar stërvitjen e radhës para ndeshjes të së martës kundër Zvicrës, e cila luhet nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të sfidës së fundit kualifikuese për Kupën e Botës 2026.
    Pas fitores 2:0 ndaj Sllovenisë të shtunën në Lubjanë, Kosova e ka siguruar pozitën e dytë në Grupin B dhe njëherësh biletën për ‘play-off’ të Kupës së Botës 2026. Madje, matematikisht Kosova ende është me gjasa për kualifikim direkt në Botëror, por për këtë i duhet një mrekulli, pasi duhet fitorja me rezultat 6:0 ndaj kombëtares helvetike.

    Të gjithë futbollistët janë të gatshëm dhe në dispozicion të përzgjedhësit Franco Foda, i cili në stërvitjen e sotme ka punuar në detaje taktike.
    Foda në konferencë për media pas stërvitjes u shpreh se fokusi kryesor i ekipit është paraqitja dinjitoze ndaj Zvicrës, për të dëshmuar se humbja 4:0 në Bazel, nuk ishte ftyra e vërtetë e Kosovës.
    “U kam thënë futbolllistëve që gjëja më e rëndësishme është që nesër të luajmë mirë sepse në Zvicër nuk e kemi treguar fytyrën tonë të vërtetë. Prandaj, nesër do të bëjmë gjithçka për ta fituar ndeshjen. Sigurisht se në teori shumë gjëra janë të mundshme. Në futboll shpesh ndodhin edhe mrekulli, por nëse vlerëson realisht Zvicra ka luajtur në mënyrë shumë konstante gjatë këtyre kualifikimeve dhe në këtë kuptim të përmbysësh një rezultat 6:0 është e pamundur”, ka theksuar Foda.
    Ai ka thënë se në ndeshjen e nesërme do të jetë shumë e rëndësishme se si do të paraqitet ekipi në fushë.
    “Luajmë në shtëpi para tifozëve tanë. Ka një eufori të madhe në vend, sidomos pas ndeshjeve të fundit. Për ne është jashtëzakonisht e rëndësishme që të bëjmë gjithçka për ta fituar këtë ndeshje. Dhe sigurisht kur e mendon që në këtë grup me Suedinë, Slloveninë dhe Zvicrën, një xhiro para fundit ne e kemi siguruar ‘play-off’-in kjo flet shumë për ekipinë tonë. Kemi treguar paraqitje shumë të mira përveç ndeshjes së parë në Zvicër”, shtoi Foda.
    Ndonëse Kosova ka arritur sukses historik me sigurimin e ‘play-off’-it, Foda thotë se festa e madhe do të bëhet vetëm në rast të kualifikimit në Botëror.
    “E kam thënë edhe më herët se për mua ka arsye për festë vetëm atëherë kur përmes ndeshjeve të ‘play-off’-it arrijmë të kualifikohemi në Kupën e Botës. Atëherë mund të themi me plot të drejtë se kemi shkruar një histori të madhe”, tha Foda.
    Mbrojtësi Albian Hajdari theksoi se ekipi është në formë shumë të mirë dhe se motivimi është maksimal për sfidën e radhës. “Besoj se çdo ndeshje është e rëndësishme. Normalisht ne e kemi momentalisht një seri shumë të mirë. Përveç ndeshjes së parë me Zvicrën, në të gjitha të tjerat kemi fituar ose barazuar. Edhe në ndeshjen e nesërme hyjmë për të dhënë maksimumin dhe për të fituar. Në ndeshjen e fundit shkruajtëm histori, por ne duam që të shkruajmë histori edhe me numrin e pikëve”, tha Hajdari.
    Ai tutje ka theksuar se ndeshja kundër Zvicrës do të jetë e veçantë për të dhe me shumë emocione.
    “Do të doja që këtu ta kemi finalen për vendin e parë. Mundësitë janë ende, matematikisht pasi ende mund të arrijmë kualifikimin direkt, por në praktikë është e vështirë të ndodhë. Është një ndeshje speciale sepse familja ime janë të gjithë këtu. Ndeshja e parë me Zvicrën nuk ka ecur mirë, prandaj për mua dhe tërë ekipin është detyrë që ta përmbyllim këtë cikël me një performancë dhe rezultat të mirë”, tha Hajdari.