Ditën e sotme, kryeministri i vendit, Edi Rama, së bashku me ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja prezantuan paketën e masave ligjore për mbrojtjen e pronës dhe territorit.
Shefi i qeverisë shqiptare, Rama, tha se paketa ligjore do të jetë në tryezën e qeverisë së re si një ndër vendimet më të para dhe nuk do të ndalen deri në pastrimin e vendit.
Duke u ndalur te zjarrvënësit, Rama tha se duhet të trajtohen para ligjit si vrasës.
Rama: Një ndërtim i paligjshëm në një zonë pylli pra të mbrojtur, 5 deri ne 10 vite burgim. Ndërtimin e paligjshëm një ditë e prish, ndërsa rigjenerimi i pyjeve do vite e vite për tu bërë. Kam bindjen që zjarrvënësit do të trajtohen si vrasës. Zjarrvënia e qëllimshme duhet të ndëshkohet njësoj si vrasja. Në kushtet që trashëgimia e shumë brezave shkrihet brenda 2-3 netësh e jetë njerëzish vihen në rrezik e bashkë me pyllin ikën e shtëpia. Kjo është vrasje me paramendim.
Duke vijuar më tej, Rama tha se aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje do të vijojë, pasi nuk ka Shqipëri në BE me ndërtime të paligjshme. Sa i përket karrigeve të vendosura në ambiente të jashtme, Rama tha se për çdo të tillë do të kontribuohet duke mbjellë një pemë. Ndërsa paralajmëroi masa më të ashpra për ndërtimet pa leje.
Rama: Vetë fenomeni e di që ka shumë njerëz që shpresojmë që kjo do të jetë makthi i një nate vere, por nuk do te jetë kështu. Kjo do të vazhdojë pa u ndalur sepse nuk ka Shqipëri në 2030 në BE me ndërtime pa leje që arrijnë deri në pikën që bllokojnë banorët për të hyrë e për të dalë. Nga ana tjetër, ne jemi të qartë për faktin që jemi një vend mesdhetar, turistik pa diskutim duhet të kemi tavolina dhe karrige dhe jashtë. Por të gjitha me sistem dhe rregullore të përgjithshme, dhe për cdo karrige që do të vendoset jashtë, do të kontribuohet me një pemë.
Ndërsa paralajmëroi masa më të ashpra për ndërtimet pa leje. Në rastin kur projekti i miratuar shpërfytyrohet dhe kthehet në një ndërtim abuzim, ndërtuesit do të hyjnë në listën e zezë dhe nuk do të mund të marrin më leje ndërtimi.
Rama: Për paligjshmërinë e ndërtimit të paligjshëm, një tjetër fenomen që do ta ndalim njëherë e mirë. Ka një përmirësim të ndjeshëm, por nuk ka intereson kjo. Ne do të bëjmë të gjitha këto ndryshime duke i ngarkuar me përgjegjësi të gjithë njerëzit që jenë hallkat e zinxhirit të ndërtimit, nga arkitekti tek supervizori dhe inspektori. Kur projekti i miratuar shpërfytyrohet duke u kthyer nga një ndërtim me leje në ndërtim abuzim, të gjithë janë fajtorë. Për këtë arsye ndërtuesit që do të zihen në këtë faj, do të hyjnë në listën e zezë nuk do të marrin më asnjë leje dhe sdo të bëjnë asnjë ndërtim për një numër vitesh të caktuar.
Nuk mund të shohim sesi disa ndërtues mashtrojnë qytetarët që natyrisht mund t’ju themi që një sistem si ky, marrëdhëniet kontraktuale janë mes palëve dhe qeveria nuk mund të ndërhyjë, ne nuk kemi çfarë të bëjmë, por kjo nuk është zgjidhja sepse në fund qytetarët kanë paguar dhe rrinë jashtë. Faktikisht nuk marrin dot shtëpinë më, se arrihet deri në absurdin që një apartament shitet dy herë. Përvec listës së zezë do të jetë imediat konfiskimi i objektit dhe do ja vendosim në dispozicion atyre që kanë paguar për ta blerë.
Është e rëndësishme që të bllokohet zinxhiri se ndërtuesit nuk operojnë në vetmi, operojnë në bashkëpunim me arkitektët që pranojnë deformimet dhe nuk njoftojnë autoritetin përkatës shtetëror. Ky mosnjoftim do të konsiderohet vepër penale, pjesëmarrës në një vepër penale. Natyrisht arkitekti do humbasë gjithçka.