Një ngjarje e rëndë ndodhi në zonën e Astirit, ku një apartament u përfshi nga flakët, duke rrezikuar jetën e disa fëmijëve dhe nënës së tyre. Zjarrfikësi Marko Gjona, i cili ndërhyri i pari në vendngjarje, tregoi për “Dita Jonë” emocionet dhe vështirësitë e atyre minutave dramatike.
Sipas tij, çdo gjë ka ndodhur me shpejtësi, ndërsa tymi kishte pushtuar banesën e tyre, duke i detyruar fëmijët dhe nënën të strehoheshin në ballkon. Ishte pikërisht aty ku zjarrfikësit arritën t’i nxirrnin të sigurt.
“Kur po i zbrisja, vetëm unë i flisja. Fëmija ishte i trembur, më shtrëngonte fort në qafë dhe vetëm zemra i rrihte. Nuk dëgjoja asnjë fjalë prej tij. Në video duket që ndalem dy herë për ta parë nëse ishte mirë. Vetëm i thosha ‘tani je i sigurt, mos u tremb, jemi ne’. Ai ishte në ngashërim, duke qarë nga trauma”, tha Gjona në “Dita jonë”.
Ai shpjegoi se zjarri kishte nisur në një apartament ngjitur, ndërsa tymi kishte depërtuar me shpejtësi në banesën e nënës me fëmijët. Reagimi i menjëhershëm i saj, sipas tij, u bë vendimtar. “Nëna kishte bërë gjënë më të mirë të mundshme. I kishte nxjerrë fëmijët në ballkon dhe kishte mbyllur derën për të mos lejuar tymin të hynte. Po të tentonin të zbrisnin nga shkallët, rrezikonin të asfiksoheshin”.
Gjona tha se në raste zjarri, gjëja më e rëndësishme është të mos kapemi nga paniku, të mos nisemi drejt shkallëve nëse ka tym, pasi ato mbushen të parat, të qëndrojmë të shtrirë, sepse oksigjeni qëndron më afër dyshemesë. “Mbyllni derën dhe vendosni rroba të lagura poshtë saj, për të parandaluar futjen e tymit. Dilni në ballkon nëse është e mundur dhe prisni ndihmën”, tha ai.
Zjarrfikësi u shpreh se raste të tilla, sidomos ato që përfshijnë fëmijë, mbeten të paharrueshme dhe shërbejnë si kujtesë e rëndësisë së gatishmërisë dhe qetësisë në situata emergjente.
Tag: zjarrfikësi
-

“Fëmijët vetëm qanin”, zjarrfikësi tregon ngjarjen ku apartamenti në Astir u përfshi nga flakët
-

U premtoi tre paga shpërblim, zjarrfikësi: Rama na mashtroi, nuk po na japin as orët e gatishmërisë
Në datë 2 shtator, qeveria Rama miratoi vendimin që iu jep zjarrfikësve 3 paga shtesë shpërblim për zjarrfikësit që luftuan flakët gjatë verës. Ky premtim u bë e ditur gojarisht dhe në datë 27 gusht, kur Kryeministri Edi Rama nderoi 24 zjarrfikës, ushtarë dhe policë për betejën që bënë me zjarret në të katër anët e vendit.
Mirëpo si duket kjo është propaganda e radhës e kryeministrit të vendit, i cili siguroi dhe një mandat të katërt, për të qeverisur vendin për katër vitet e ardhshme. Një zjarrfikës shkruan se 3 pagat shtesë për forcat zjarrfikëse, janë mashtrim i hapur. Sipas tij, bashkitë e vogla nuk e kanë shpërndarë këtë shpërblim.
Ndër të tjera, zjarrfikësi shton se prej 3 vitesh nuk paguhen as për orët e gatishmërisë të cilat janë të shkruar me ligj që duhen paguar. Duke e cilësuar si tallje me djersën e zjarrfikësve të cilët përballen me flakët e zjarrit pas çdo njoftimi për vatër zjarri, denoncuesi shkruan se institucionet lokale nuk reagojnë ndonëse zjarrfikësit trajtohen si skllevër.
“Përshëndetje JOQ! Mashtrim i hapur ndaj zjarrfikësve! Kryeministri vetë doli para kamerave e premtoi 3 rroga shtesë për zjarrfikësit, por doli thjesht një gënjeshtër për të bërë propagandë. Në bashkitë e mëdha i kanë marrë, kurse ne në bashkitë e vogla jo vetëm që nuk na dhanë rrogat shtesë, por prej 3 vitesh nuk na paguajnë as orët e gatishmërisë që na takojnë me ligj. Kjo është tallje me djersën e zjarrfikësve që rrezikojnë jetën çdo ditë për t’i shërbyer qytetarëve. Kryetarja e bashkisë sonë hesht dhe bën sikur s’ka ndodhur asgjë, ndërsa ne po trajtohemi si skllevër. Premtime boshe për kamerë realiteti është padrejtësi dhe mashtrim!”, shkruan zjarrfikësi. -

Ndarja nga jeta e Artur Zhejit, gazetari Juxhin Mustafaraj: Ishte “zjarrfikësi” i debateve, jo me tension, por me argumente të mprehta
Gazetari Juxhin Mustafaraj ka reaguar pas lajmit për ndarjen nga jeta të Artur Zhejit.
Në një postim në rrjetet sociale, kryeredaktori i Top Story shkruan se “Artur Zheji ishte ‘zjarrfikësi’ i debateve jo me tension apo ngritje zëri, por me argumente të mprehta, qëndrime të qarta dhe një klas unik që e veçonte në çdo diskutim publik”.
Reagimi i plotë:
Top Story humbi një mik dhe bashkëpunëtor të çmuar…
Lajmi i ndarjes së parakohshme nga jeta të gazetarit dhe publicistit Artur Zheji erdhi pështjellues, i pabesueshëm dhe plot trishtim.
Në këto dy vite të fundit, bashkëpunimi me Turin ka qenë i veçantë: një mik i afërt dhe një bashkëpunëtor i çmuar për Top Story. Në çdo diskutim redaksional me Gridën për të ndërtuar panele me nivel dhe përmbajtje elitar, emri i tij ishte gjithmonë ndër të parët që përmendej.
Artur Zheji ishte “zjarrfikësi” i debateve jo me tension apo ngritje zëri, por me argumente të mprehta, qëndrime të qarta dhe një klas unik që e veçonte në çdo diskutim publik.
Që nga ky shtator, Top Story dhe media shqiptare do të ndiejnë mungesën e një miku të vërtetë, një zëri të pakrahasueshëm dhe një analisti me vizion të thellë për politikën dhe gjeopolitikën.
U prehsh në paqe, TurTop Channel
-

Zjarret në Portugali, zjarrfikësi 45-vjeçar vdes duke luftuar flakët
Një zjarrfikës ka vdekur në Portugali ndërsa po luftonte me një nga zjarret pyjore që kanë shpërthyer në vend, njoftoi sot presidenca portugeze.
Presidenca i shprehu ngushëllimet e saj familjes së zjarrfikësit “i cili humbi jetën tragjikisht ndërsa po luftonte drejtpërdrejt me zjarret pyjore në komunën e Sambugal”, në veri të vendit. Ai është viktima e katërt e zjarreve këtë verë në Portugali.
Sipas mediave portugeze, zjarrfikësi 45-vjeçar punonte për një kompani private zjarrfikëse.
Portugalia, ashtu si Spanja fqinje, ku katër persona kanë humbur jetën gjithashtu, po përballet me zjarre shkatërruese që kanë djegur më shumë se 600,000 hektarë, pavarësisht një rënieje të temperaturave që ka përmirësuar situatën, sipas Mbrojtjes Civile.
Sipas të dhënave nga Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS), pothuajse 2,780,000 hektarë janë shndërruar në hi që nga fillimi i vitit në Portugali.
Në vitin 2017, më shumë se 5,630,000 hektarë u dogjën në zjarre që shkaktuan 119 vdekje, një vit rekord që kur EFFIS filloi të regjistronte këto të dhëna në vitin 2006.
Gadishulli Iberik është goditur rëndë nga ndryshimet klimatike, të cilat po shkaktojnë valë më të gjata të nxehtësisë dhe thatësira, duke tharë bimësinë dhe duke favorizuar kështu zjarret në pyje, sipas ekspertëve.Top Channel