Ndërsa i gjithë vendi u përball me situatën emergjente të zjarreve, institucionet në Fier kujtohen tani për masat kundër zjarreve apo edhe kushtet skandaloze në të cilat punojnë zjarrfikësit. Prefekti i këtij qarku, Arben Çuko, mblodhi në një takim zjarrfikësit e gjashtë bashkive të qarkut, ku dëgjoi problemet e këtyre të fundit, që në fakt dihen prej kohësh se cilat janë; që nga pagat e ulëta, deri te kushtet skandaloze me të cilat ata përballen me flakët e zjarrit.
SYRI TV
Pasi u dogjën sipërfaqe të tëra nga zjarret, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme, institucionet në Fier kujtohen që të flasin tani për problematikat dhe vështirësitë që hasin zjarrfikësit, si dhe masat që duhen marrë. Në prefekturën e këtij qarku u zhvillua një takim mes drejtuesve të reparteve zjarrfikëse të gjashtë bashkive të qarkut, përfaqësuesve të policisë vendore dhe këshilltarit të Ministrit të Brendshëm, Flamur Mamaj. Shefat e reparteve zjarrfikëse kërkuan rritje pagash, furnizim me mjete të rënda dhe të lehta për fikjen e zjarreve, si dhe vendosjen e hidranteve në zonat e banuara. Ata theksuan se pa këto mjete është e vështirë t’u jepet goditja e parë vatrave të zjarrit, çka shpesh sjell përhapjen e flakëve në sipërfaqe të mëdha.
Prefekti i qarkut Fier, Arben Çuko, vlerësoi punën e zjarrfikësve, ndërsa theksoi se bashkia më problematike mbetet ajo e Mallakastrës, për shkak të terrenit të thyer, por nuk guxoi të theksonte se një avion zjarrfikës do të ishte ndihma më e mirë për zjarrfikësit e këtij rrethi.
Ndërkohë, në vend që të fliste për masat që duhet të marrë qeveria për përballimin e situatave emergjente me zjarret, si dhe për kushtet në të cilat punojnë zjarrfikësit në vendin tonë, këshilltari i Ministrit të Brendshëm, Flamur Mamaj, zgjodhi të bënte hetuesin për të zbuluar se kush i shkaktoi zjarret.
Në fund, nuk mund të mungonin premtimet e këshilltarit të ministrit se kërkesat e zjarrfikësve do t’i përcilleshin Ministrisë së Brendshme, e cila, për hir të së vërtetës, i njeh mjaft mirë këto problematika, por që asnjëherë nuk është munduar të gjejë një zgjidhje.