Shqipëria mbetet një nga vendet me përqindjen më të ulët të shpenzimeve për kërkim-zhvillim (R&D) në raport me PBB-në, si në nivel të përgjithshëm, ashtu edhe në të gjitha nën-sektorët kryesorë që zakonisht mbështesin inovacionin, të tilla si bizneset, qeveria dhe arsimi i lartë.
Sipas të dhënave të fundit të Eurostat, në vitin 2024, totali i shpenzimeve për R&D në Shqipëri arrin vetëm 0.2% të PBB-së, një nivel tejet modest në krahasim me mesataren e BE-së, që është 2.24%, dhe atë të zonës euro, që shkon në 2.28%. Diferenca është gati 15 herë në favor të BE-së, çka tregon boshllëkun e thellë teknologjik dhe të inovacionit midis Shqipërisë dhe ekonomive europiane.
Sektori i biznesit, i cili zakonisht është motori kryesor i inovacionit në vendet e zhvilluara, pothuajse nuk ekziston në Shqipëri. Investimet e tij arrijnë vetëm 0.02% të PBB-së, krahasuar me 1.49% në BE, ndërsa vende të avancuara si Suedia dhe Belgjika shkojnë respektivisht në 2.61% dhe 2.43%. Edhe vende të tjera të Ballkanit kanë një angazhim shumë më të madh të sektorit privat.
P.sh., në Turqi investimet e biznesit në kërkim dhe zhvillim arrijnë në 0.91%, në Greqi në 0.85%, ndërsa në Itali në 0.79%. Në Shqipëri, kompanitë pothuajse nuk investojnë në teknologji të reja, kërkim shkencor apo zhvillim produktesh, duke kufizuar ndjeshëm aftësinë konkurruese të ekonomisë.
Sektori publik gjithashtu paraqet dobësi të theksuara. Qeveria shqiptare shpenzon vetëm 0.07% të PBB-së për kërkim-zhvillim, shumë më pak se mesatarja europiane prej 0.24%. Edhe vendet e rajonit, si Serbia, Kroacia, Bullgaria apo Rumania, kanë investime dukshëm më të larta. Kjo përforcon idenë se R&D nuk është ende një prioritet strategjik i politikave shtetërore, pavarësisht nevojës për diversifikim ekonomik, rritje të produktivitetit dhe orientim drejt sektorëve me vlerë të shtuar më të lartë.
Edhe arsimi i lartë, një tjetër shtyllë kyçe e inovacionit, rezulton të jetë i nën-financuar. Universitetet dhe institucionet kërkimore shpenzojnë 0.06% të PBB-së, kundrejt 0.48% në BE dhe mbi 0.7% në vende si Suedia, Finlanda apo Austria.
Madje edhe vende me të ardhura të ngjashme ose pak më të larta, si Kroacia (0.36%), Estonia (0.62%), Çekia (0.35%) apo Hungaria (0.48%), investojnë shumë më tepër. Shqipëria ka ende kufizime të mëdha në prodhimin shkencor, kapacitetet kërkimore dhe në tërheqjen e fondeve ndërkombëtare.
Në global, vendet më inovative, janë Koreja e Jugut me 4.01% të PBB-së në kërkim dhe zhvillim, SHBA me 3.44%, Japonia me 3.48% dhe Zvicra me 3.22%.
Diferenca është aq e madhe saqë vendi rrezikon të ngelet i shkëputur nga trendet teknologjike, transformimet digjitale dhe zinxhirët globalë të vlerës dhe, për rrjedhojë, produktiviteti i punës dhe të ardhurat nga puna të mbeten në vendnumëro./ Monitor








