belind kellici dhe taulant balla
TIRANË- “Zoti kryetar, janë nja dy që lehin këtu…”, ishin këto fjalët që Taulant Balla i drejtoi kolegëve të opozitës në sallën e Kuvendit, që shkaktuan më pas dhe zemërimin e ligjvënësve demokratë, të cilët kërkuan përjashtimin e tij nga seanca.
Deputeti demokrat, Belind Këlliçi, kërkoi përjashtimin nga seanca të kreut të grupit të PS-së, Taulant Balla, pasi sipas tij ka fyer vazhdimisht kolegët e opozitës.
“Kërcënoi Balliun duke i thënë ‘ta tregoj unë ty’ dhe na tha ‘nuk jam si raca e këtyre’! Kërkoj përjashtimin nga seanca të deputetit Taulant Balla për fyerje ndaj deputetëve të opozitës, dhe ndërprerje 10 minuta të seancës për shqyrtimin e pamjeve filmike, a i ka thënë apo jo”, tha Këlliçi.
“Kjo nuk mund të vazhdojë më!”, përfundoi deputeti, ndërkohë që Balla kërkoi ndjesë për fjalorin, por tha se duhet t’i jepet fund interferimeve nga përfaqësuesit e opozitës.
“Zoti kryetar i Kuvendit, kësaj zhurme iu referova…. Sa i përket reagimit, gjatë kohës që secili prej nesh flet, vjen një zhurmë që nuk e di si tia vëj emrin. Por gjithsesi nëse dikush ndihet i fyer kërkoj ndjesë. Por do të kërkoja mirëkuptimin tuaj, që të kemi një dakordësi, që kur flisni ju të mos ketë zhurmë, dhe kur flasim ne të mos ketë asnjë zhurmë. Nëse doni që të mos ketë zhurmë, hiqeni atë zotërinë që e paguani vetëm për atë lloj pune (I referohet Klevis Balliut)”, tha Balla gjatë fjalës së tij./ZËRI









