Tag: zgjedhjet

  • Analiza/ A e hapin zgjedhjet lokale rrugën drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut

    Analiza/ A e hapin zgjedhjet lokale rrugën drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut

    Vetëm një vit e gjysmë pas zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në Maqedoninë e Veriut, vendi po përgatitet për një votim të ri më 19 tetor: rundin e parë të zgjedhjeve lokale.

    Qytetarët do të votojnë për kryetarët e komunave dhe anëtarët e këshillave komunalë në të gjitha 80 komunat dhe në kryeqytet, Shkup.

    Sipas sondazheve, rezultati në shumicën e komunave me popullatë shumicë maqedonase është kryesisht i parashikueshëm. Megjithatë, rezultatet mbeten të paqarta në disa komuna ku votuesit shqiptarë përbëjnë shumicën.

    Por, pikëpyetja kryesore që u ngrit gjatë fushatës është: Çfarë ndodh pas zgjedhjeve? A mund të tronditë rezultati brenda bllokut politik shqiptar koalicionin qeverisës dhe të çojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, ndoshta qysh në pranverën e vitit 2026?

    Nëse zgjedhjet e parakohshme do të jenë të mundshme, kjo do të varet gjithashtu nga fakti nëse, pas zgjedhjeve lokale, do të ndërmerren hapa për t’i zhbllokuar bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian – çështje për të cilën zyrtarët e lartë të Qeverisë kanë dërguar sinjale.

    VMRO-DPMNE, partia në pushtet dhe favoritja kryesore

    Partia më e madhe në koalicionin qeverisës, VMRO-DPMNE e krahut të djathtë, e cila i fitoi zgjedhjet e vitit të kaluar, është gjithashtu në krye të garës për zgjedhjet lokale të kësaj fundjave.

    Opozita, Lidhja Socialdemokrate (LSDM), vazhdon të përballen me krizë të brendshme pas disfatës së rëndë në zgjedhjet parlamentare të majit 2024.

    Megjithëse opozita këmbëngul se popullariteti i VMRO-DPMNE po bie, sondazhet tregojnë se partia mban një epërsi të konsiderueshme. Këtë e pasqyron edhe sondazhi më i fundit i opinionit publik i publikuar nga transmetuesi publik MRTV më 13 tetor, i realizuar nga Instituti për Kërkime Politike (IPIS) përmes një ankete telefonike me 1.122 të anketuar dhe me një marzh gabimi ±3 për qind.

    Sipas rezultateve, VMRO-DPMNE do të merrte rreth 26.7 për qind të votave, partia më e madhe opozitare LSDM 11.1 për qind, më pas koalicioni shqiptar Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) i udhëhequr nga BDI-ja me 9.9 për qind, dhe në fund koalicioni VLEN, partner qeveritar i VMRO-DPMNE-së, me 7.5 për qind.

    Sondazhi tregoi gjithashtu një përqindje të lartë të votuesve të pavendosur: 10 për qind, ndërsa 12.4 për qind e të anketuarve nuk pranuan të thoshin se për kë do të votonin.

    A janë të mundshme zgjedhjet e parakohshme parlamentare?

    Garat më të ngushta pritet të jenë në komunat ku partitë shqiptare po konkurrojnë për pushtet.

    Në rreth 15 nga 81 komunat, shqiptarët janë shumicë. Një betejë e fortë pritet midis koalicionit qeveritar shqiptar VLEN dhe koalicionit opozitar Aleanca Kombëtare për Integrim, i udhëhequr nga BDI-ja.

    BDI-ja, e cila kaloi në opozitë pas më shumë se dy dekadash në pushtet pas zgjedhjeve të vitit 2024, sfidon legjitimitetin e VLEN-it për të përfaqësuar qytetarët shqiptarë dhe kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare, veçanërisht nëse fiton në më shumë komuna.

    Analistët politikë të intervistuar nga Radio Evropa e Lirë (REL) janë të ndarë në mendime nëse kjo do ta destabilizojë koalicionin qeverisës dhe nëse zgjedhjet lokale mund të hapin rrugën për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

    Megjithatë, gjatë fushatës, qytetarët dëgjuan po aq retorikë në nivel kombëtar sa edhe diskutime për çështje lokale.

    “Partitë do ta matin mbështetjen e tyre përmes numrit total të votave që do t’i marrin listat e këshilltarëve, gjë që është tregues i mbështetjes në nivel nacional. Për më tepër, rezultatet në bllokun politik shqiptar mund të ndikojnë në klimën e përgjithshme politike”, tha për REL-in eksperti i komunikimit Petar Arsovski.

    Krahas BDI-së, edhe LSDM-ja po përgatitet për zgjedhje të parakohshme.

    Nga ana tjetër, kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ndonëse nuk e përjashton plotësisht mundësinë, përgjithësisht e refuzon idenë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

    Analisti dhe drejtori i IPIS-it, Vladimir Bozhinovski, pajtohet me këtë, duke thënë se nuk pret zgjedhje të parakohshme.

    “Për të ndodhur zgjedhjet e parakohshme parlamentare, Qeveria duhet t’i dëshirojë ato. Si mund të mbahen zgjedhje nëse Qeveria është kundër? Parlamenti duhet të shpërndahet, dhe Qeveria aktualisht ka shumicën prej 78 nga 120 deputetë”, tha Bozhinovski për REL-in.

    Anëtarësimi në BE pas zgjedhjeve, test për Qeverinë

    Sinjalet politike tregojnë se pas zgjedhjeve lokale, fokusi mund të zhvendoset drejt procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Maqedonia e Veriut mbetet e bllokuar për shkak të mosmarrëveshjes me Bullgarinë, dhe për të hapur kapitujt negociuese, duhet ta përfshijë pakicën bullgare në Kushtetutën e vet.

    Kjo është një nga arsyet pse Bozhinovski nuk pret zgjedhje të parakohshme.

    “Nëse thirren zgjedhje të parakohshme parlamentare, gjithçka vonohet, përfshirë anëtarësimin në BE dhe çështjet e politikës së jashtme. Unë pres disa iniciativa për zgjidhjen e çështjeve të BE-së pas zgjedhjeve”, theksoi ai.

    Gjatë kësaj fushate, opozita LSDM paraqiti një rezolutë në Parlament për të përcaktuar hapat e ardhshëm të vendit drejt BE-së dhe për të vendosur “vija të kuqe” mbi shkallën e lëshimeve ndaj Bullgarisë.

    Kryeministri Mickoski deklaroi se pret “lëvizje” në lidhje me garancitë nga BE-ja pas festave të Vitit të Ri. Qeveria kërkon garanci nga BE-ja se ndryshimet kushtetuese do të jenë kërkesa e fundit nga Bullgaria.

    Tri ditë para zgjedhjeve, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, vizitoi shkurtimisht Shkupin, duke dërguar këtë mesazh për liderët maqedonas: “Duhet ta bëni ndryshimin e dakordësuar kushtetues. Tani topi është në fushën tuaj. BE-ja është gati”, shkroi ajo në platformën X.

    Ndikimi rus në zgjedhje

    Derisa anëtarësimi në BE mbetet prioritet strategjik për Maqedoninë e Veriut, vendi është gjithashtu i ekspozuar ndaj ndikimit rus, megjithëse në shkallë të kufizuar.

    Kjo shihet në retorikën dhe veprimet e disa figurave politike margjinale, të cilat publikisht mbështesin interesat ruse dhe kundërshtojnë integrimin euroatlantik.

    Shembulli më i njohur është partia proruse Maqedonia e Bashkuar, e cila haptazi bën thirrje për thellimin e marrëdhënieve me Rusinë dhe kundërshton integrimin në BE dhe NATO.

    Despina Kovaçevska nga Fondacioni Metamorphosis, që mbikëqyr mediat gjatë fushatës, vëren ndikim rus në mesazhet e disa kandidatëve dhe madje edhe te disa figura fetare.

    “Ata përhapin të njëjtin narrativ që vjen nga Kremlini, se vendet humbasin sovranitetin e tyre duke iu bashkuar BE-së. Kjo narrativë identifikohet nga EUvsDisinfo si taktika kryesore e dezinformimit e përdorur nga ndikimi i huaj keqdashës”, shpjegoi Kovaçevska.

    Në raportin e parë të përkohshëm, misioni vëzhgues i zgjedhjeve i OSBE/ODIHR shprehu shqetësim për cenueshmërinë ndaj dezinformimit, duke përmendur shkallën e ulët të edukimit mediatik në vend.

    “Për disa aktorë, mundësia për manipulim të informacionit nga jashtë gjatë procesit zgjedhor ishte gjithashtu shqetësuese”, thuhet në raportin e OSBE/ODIHR.

    Mbi 300 kandidatë për kryetarë komunash

    Zgjedhjet lokale të 19 tetorit do të jenë të tetat që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut në vitin 1991.

    Rreth 1.8 milion qytetarë kanë të drejtë vote.

    Për 80 komuna plus qytetin e Shkupit, janë paraqitur 309 kandidatë, si nga partitë politike ashtu edhe nga lista të pavarura – shumica dërrmuese burra, vetëm 10 për qind gra.

    Në rundin e parë duhet të zgjidhen të gjithë anëtarët e këshillave komunale.

    Për t’u zgjedhur kryetar komune në rundin e parë, kandidati duhet t’i marrë mbi 50 për qind të votave.

    Nëse asnjë kandidat nuk e arrin këtë, rundi i dytë do të mbahet më 2 nëntor, mes dy kandidatëve me më së shumti vota nga rundi i parë./REL

  • Fushata për zgjedhjet në Tiranë, Ogerta Manastirliu vijon takimet me qytetarët, Rama publikon videon

    Fushata për zgjedhjet në Tiranë, Ogerta Manastirliu vijon takimet me qytetarët, Rama publikon videon

    Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video të fushatës së Ogerta Manastirliut në Tiranë, e cila ka vijuar të takojë qytetarët.

    Ajo ka takuar dhe diskutuar me banorët e kryeqytetit, megjithëse Kushtetuesja ka pezulluar dekretin e presidentit Barjam Begaj, për mbajtjen e zgjedhjeve në kryeqytet më 9 nëntor.
    “Ogerta për Tiranën”, shkruan Rama krahas videos.

    Top Channel

  • Zgjedhjet e pjesshme vendore: KQZ shqyrton nesër regjistrimin e PD-së dhe fletëvotimet

    Zgjedhjet e pjesshme vendore: KQZ shqyrton nesër regjistrimin e PD-së dhe fletëvotimet

    Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve zhvillon do të zhvillojë nesër seancë publike lidhur me përgatitjet për zgjedhjet e pjesshme vendore të 9 nëntorit.
    Seanca është përcaktuar të mbahet ditën e premte, ora 14:00.
    Në rendin e ditës është shqyrtimi për regjistrim si subjekt zgejdhor të Partisë Demokratike, miratimi i sasisë së fletëvotimeve dhe caktimin e vendndodhjes së disa qendrave të votimit në ndërtesa private.
    Njoftimi nga KQZ:
    Çështje për shqyrtim rishtazi:
    1.Projektvendim “Për shqyrtimin e kërkesës së partisë politike “Partia Demokratike”, me Kryetar Z. Sali Berisha, për regjistrimin si subjekt zgjedhor për zgjedhjet e pjesshme vendore për Kryetar Bashkie, në disa njësi të qeverisjes vendore, të datës 9 nëntor 2025″.
    2.Projektvendim “Për miratimin e sasisë së fletëve të votimit që do të prodhohen për çdo Qendër Votimi për zgjedhjet e pjesshme vendore për kryetar bashkie, në disa njësi të qeverisjes vendore, të datës 9 nëntor 2025”.
    3.Projektvendim “Për caktimin e vendndodhjes së disa qendrave të votimit në ndërtesa private, për zgjedhjet e pjesshme vendore për kryetar bashkie, në disa njësi të qeverisjes vendore, të datës 9 nëntor 2025”.

  • PD dërgon në KQZ kërkesën për regjistrim në zgjedhjet lokale të 9 nëntorit

    PD dërgon në KQZ kërkesën për regjistrim në zgjedhjet lokale të 9 nëntorit

    Partia Demokratike

    TIRANË- Partia Demokratike (PD) ka depozituar sot kërkesën pranë Komisionit Qendror të Zgjedhejve (KQZ) për regjistrimin në zgjedhjet e pjesshme lokale të 9 nëntori. Partia Demokratike ka vendosur të marrë pjesë në këto zgjedhje duke mbështetur kandidatë të pavarur.
     

    shkresa e pd

    Zgjedhjet e pjesshme do të zhvillohen në 5 bashki, nga 6 gjithsej që janë aktualisht pa drejtues, përfshirë edhe Tiranën. Por, zgjedhjet në kryeqytet do të mbahen pasi të merret vendimi i Gjykatës Kushtetuese mbi ankimimin që Erion Veliaj ka bërë ndaj dekretit të Presidentit Bajram Begaj. 
    Partia Demokratike ka vendosur të marrë pjesë në këto zgjedhje duke mbështetur kandidatë të pavarur.
    Emrat e përzgjedhur nga PD për kryetar në këto bashki janë:
    Florjan Binaj – Tiranë
    Gabriel Guma – Tepelenë
    Dionis Sota – Vlorë
    Eduart Brahlika – Mat
    Amarildo Hoxha – Cërrik
    Pavlo Shkarpa – Berat

    Emrat e përzgjedhur nga PS për kryetar në këto bashki janë:
    Ogerta Manastirliu – Tiranë
    Gramoz Sako – Tepelenë
    Brunilda Mersini – Vlorë
    Altin Bojni – Mat
    Florenc Doka – Cërrik
    Ervin Ceca – Berat
    /ZËRI

  • Zgjedhjet e pjesshme lokale/ PD dorëzon kërkesën në KQZ për regjistrimin

    Zgjedhjet e pjesshme lokale/ PD dorëzon kërkesën në KQZ për regjistrimin

    PD ka dorëzuar sot kërkesën në KQZ për regjistrimin në zgjedhjet e pjesshme lokale. 
    Zgjedhjet e pjesshme do të zhvillohen në 5 bashkitë e vendit si ajo e Matit, Vlorës, Cërrikut, Beratit dhe Tepelenë. Ato do të mbahen në datën 9 nëntor. 

  • “Mesazhi i zgjedhjeve të lira në Kosovë është kushtrim për ne”, Berisha: Qeverisja e Kosovës është tre herë më afër BE-së se qeverisja shqiptare

    “Mesazhi i zgjedhjeve të lira në Kosovë është kushtrim për ne”, Berisha: Qeverisja e Kosovës është tre herë më afër BE-së se qeverisja shqiptare

    Në një konferencë me gazetarët, Sali Berisha tha se Shqipëria duhet të marrë shembull nga zgjedhjet e lira në Kosovë.

    Për Berishën, qeverisja e Kosovës është tre herë më afër BE-së se qeverisja shqiptare.
    “Edhe njëherë, dhe shumë herë, duhet të urojmë Kosovën për zgjedhjet model që ka zhvilluar. Ndaj dhe në vlerësimin që bënte një institut shumë prestigjioz, qeverisja e Kosovës dilte 3 herë më afër qeverisjes demokratike evropiane se sa Shqipëria. 3 herë më afër.
    Qeverisja e një vendi që ka 17-18 vite pavarësi, krahasuar me një vend që ka 100 e ca vite pavarësi. Ishte tregues jashtëzakonisht domethënës. Qytetarët e Kosovës votuan të lirë. Zgjodhën kryetarët që deshën, pati komuna në të cilat fituan krejtësisht të pavarur vetëm me emrin dhe personalitetin e tyre, në rivalitet më partitë e mëdha.
    Dhe gjithçka u zhvillua në standardet e ligjit, e kundërta e asaj që ndodh me zgjedhjet në Shqipëri, ku narkoshteti dikton çdo gjë. Ku bëhen përpjekje titanike për të legjitimuar farsën elektorale dhe që është përgjegjësia jonë më madhore për t’u ngritur dhe luftuar kundër saj.
    Mesazhi i Kosovës është një kushtrim për ne. Unë dua t’i përgëzoj edhe njëherë me gjithë zemër, edhe në emër tuaj dhe në emër të të gjithë atyre që përfaqësojmë, për këtë sukses, i cili është një kushtrim për të gjithë shqiptarët”, tha Berisha.

    Top Channel

  • Zgjedhjet në Kosovë, Haxhiu: Vetëvendosje ka rënie me 11 përqind

    Zgjedhjet në Kosovë, Haxhiu: Vetëvendosje ka rënie me 11 përqind

    Analisti Baton Haxhiu, i ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, komentoi zgjedhjet lokale në Kosovë.
    Haxhiu deklaroi se në këto zgjedhje, Vetëvendosje ka pasur rënie me 11 përqind.
    Po ashtu, Baton Haxhiu tha se Kosova është shembull në respektin ndaj qytetarëve në zgjedhje, teksa kandidatët kanë dalë në debate publike në studio televizive.
    “Zgjedhjet nuk kishin ndonjë surprizë të madhe. Gara për Prishtinën ka qenë interesant. KQZ e Kosovës është shumë hapa përpara në numërimin e votave. Në Kosovë, të gjithë kandidatët janë ballafaquar në televizion. Janë bërë debate në tre a në katër studio. Nëse shihet respekt për qytetarët, Kosova është shembull. Vetëvendosje në parlamentin e Prishtinës është në vendin e tretë. Vetëvendosje ka rënie me 11 përqind të votave në këto zgjedhje”, tha Haxhiu.

  • Zgjedhjet lokale në Kosovë, Bashkimi Europian: Presim tranzicion të rregullt të pushtetit

    Zgjedhjet lokale në Kosovë, Bashkimi Europian: Presim tranzicion të rregullt të pushtetit

    Bashkimi Evropian ka mirëpritur procesin zgjedhor paqësor në Kosovë dhe është shpehur e kënaqur që në rundin e parë të zgjedhjeve lokale më 12 tetor pati pjesëmarrje të të gjitha komuniteteve.
    “Për ato komuna ku kryetarët janë zgjedhur në rundin e parë, ne bëjmë thirrje për një certifikim të shpejtë dhe zbatim të rezultateve të zgjedhjeve përmes një tranzicioni të rregullt të pushtetit lokal”, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësja e BE-së, Anitta Hipper.
    “Për komunat e tjera, ku do të zhvillohet rundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar komune, bëjmë thirrje për një proces po aq paqësor, konkurrues dhe gjithëpërfshirës më 9 nëntor”, shtoi ajo.
    Nga BE-ja theksojnë se aktualisht në Kosovë ndodhet misioni i tyre i ekspertëve, me ftesë të presidente­s së Kosovës, Vjosa Osmanit. Ky ekip po vëzhgon procesin zgjedhor dhe, në fund, do të japë vlerësimin të të gjithë procesit.
    “Raporti i Misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve (EOM) në Kosovë, i majit 2025, theksoi disa raste të ndërhyrjeve gjatë zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura në shkurt të vitit 2025. Ne presim që të gjitha palët të përmbahen nga veprime të tilla gjatë periudhës zgjedhore”, theksoi Hipper.
    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë akuzuar Serbinë për ndërhyrje në procesin zgjedhor në Kosovë, duke “blerë” komunitetin serb që të votojë për Listën Serbe, dhe kanë kërkuar reagim nga Bashkimi Evropian. Beogradi zyrtar i ka mohuar këto akuza.
    BE-ja nuk ka dhënë një përgjigje konkrete në pyetjen e Radios Evropa e Lirë nëse ka njohuri për ndërhyrje të Serbisë në procesin zgjedhor në Kosovë.
    Megjithatë, misioni vëzhgues i BE-së për zgjedhjet parlamentare të shkurtit kishte konstatuar se mediat shtetërore ruse RT Balkan dhe Sputnik Srbija – të mbështetura nga Kremlini – kishin publikuar dhjetëra materiale për zgjedhjet në Kosovë gjatë fushatës zgjedhore, me “përmbajtje manipuluese” të drejtuara ndaj komunitetit serb.
    Në zgjedhjet e 12 tetorit, kanë votuar 39.58 për qind e mbi dy milionë qytetarëve me të drejtë vote.
    Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në zgjedhjet lokale të së dielës, në 21 komuna është zgjedhur kryetari në raundin e parë, ndërsa në 17 komuna të tjera, përfshirë Prishtinën, do të mbahet edhe rundi i dytë.Praktikat e mëparshme kanë treguar se fitorja në rundin e parë nuk garanton fitoren përfundimtare edhe në raundin e dytë në rastet kur ka balotazh.
    Nga komunat me shumicë serbe, vetëm në Kllokot do të ketë rund të dytë, ndërsa në nëntë të tjerat ka fituar Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila ka mbështetjen e Beogradit./REL

  • Zgjedhjet lokale në Kosovë/ Policia nis hetimet për keqpërdorime të mundshme të votave në Mitrovicën e Jugut 

    Zgjedhjet lokale në Kosovë/ Policia nis hetimet për keqpërdorime të mundshme të votave në Mitrovicën e Jugut 

    Policia e Kosovës ka nisur që të mbledhë informacione lidhur me keqpërdorimet e mundshme të votave në komunën e Mitrovicës së Jugut, thanë nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës. 
    “Policia është duke grumbulluar informacione lidhur me pretendimet për keqpërdorim të votave në këtë lokacion”, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Valon Preteni. 
    Njoftimi vjen dy ditë pasi Kosova organizoi rundin e parë të zgjedhjeve lokale. Sipas rezultateve preliminare, kjo komunë do të shkojë në balotazh. 
    Diferenca në vota mes dy kandidatëve të parë për kryetarë komune, Arian Tahiri i Partisë Demokratike të Kosovës dhe Faton Pecit nga Lëvizja Vetëvendosje, është shumë e vogël. 
    Për këtë komunë ka pasur dallime mes sondazheve fillestare, të publikuara menjëherë pas mbylljes së vendvotimeve, dhe rezultatit preliminar të publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Prandaj, më pas në opinion janë shfaqur pretendime për keqpërdorime të mundshme të votave. 
    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i cili njëherësh është kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, një ditë pas zgjedhjeve ftoi organet e drejtësisë që të nisin hetime lidhur me exit poll-et e publikuara për zgjedhjet. Mirëpo, Kurti u kritikua nga pjesëtarë të shoqërisë civile për këtë deklaratë. 
    Këshilltarja ligjore në Qendrën Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias, Flutura Kusari, shkroi në Facebook se është “i pasaktë” deklarimi i Kurtit se publikimi i sondazheve ishte ndërhyrje në procesin zgjedhor, duke argumentuar se ato u publikuan pas përfundimit të votimeve. 
    Kusari u bëri thirrje organeve të ndjekjes që “të qëndrojnë sa më larg idesë të hetimit të raportimeve dhe kompanive që bëjnë exit poll-e”. 
    Ajo tha se këto kompani të sondazheve duhet të paguajnë “me kredibilitet, ashtu siç duhet të paguajnë me kredibilitet moderatorët e emisioneve që na kanë ofruar informacione të pasakta, sidomos nëse i angazhojnë përsëri të njëjtat kompani”.  Ndryshe, KQZ-ja ka thënë se beson që gjatë kësaj jave do të përmbyllë procesin e numërimit të të gjitha votave për zgjedhjet lokale. 
    Sipas rezultateve aktuale, 21 komuna kanë zgjedhur kryetarët e tyre që në rundin e parë, ndërkaq 17 të tjera shkojnë në balotazhin e 9 nëntorit./REL 

  • Bie mbështetja për Listën Serbe në Kosovë, ndikimi i Vuçiç vazhdon

    Bie mbështetja për Listën Serbe në Kosovë, ndikimi i Vuçiç vazhdon

    “Kjo është një fitore e popullit serb, e bashkimit dhe solidaritetit serb” – kështu e përshkroi Lista Serbe fitoren e saj në rundin e parë të zgjedhjeve lokale në nëntë nga dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë.
    Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kllokoti është e vetmja komunë me shumicë serbe ku do të zhvillohet rundi i dytë i votimeve.
    E njëjta situatë kishte ndodhur edhe në zgjedhjet lokale të vitit 2021, kur Lista Serbe e fitoi rundin e dytë.
    Megjithatë, krahasuar me zgjedhjet lokale të vitit 2021, në shumicën e komunave me shumicë serbe vërehet rënie e mbështetjes për këtë parti.
    Ky trend është veçanërisht i dukshëm në Mitrovicën e Veriut, ku Lista Serbe mori 60% të votave në zgjedhjet e së dielës.
    Katër vjet më parë, kjo parti, e mbështetur nga Beogradi, kishte marrë rreth 91% të votave.
    Një ndryshim këtë herë ishte se serbët në këtë komunë mund të votonin edhe për gjashtë kandidatë të tjerë serbë.
    Mitrovica e Veriut dhe tri komunat e tjera me shumicë serbe në veri – Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviqi – u udhëhoqën nga kryetarë shqiptarë që nga maji i vitit 2023, pasi Lista Serbe i braktisi institucionet e Kosovës, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së vendit për t’i zëvendësuar targat serbe të makinave.
    Rezultatet e Listës Serbe më 2021 dhe 2025
    Në Kosovë janë dhjetë komuna me shumicë serbe: Graçanica, Shtërpca, Novobërda, Parteshi, Ranillugu dhe Kllokoti në jug, dhe Mitrovica e Veriut, Zveçani, Leposaviqi dhe Zubin Potoku në veri.
    Lista Serbe ka fituar bindshëm në të gjitha proceset zgjedhore ku ka marrë pjesë që nga themelimi i saj në vitin 2013.
    Kështu ndodhi edhe në zgjedhjet e 12 tetorit, 2025, por në shumicën e komunave u shënua një rënie e mbështetjes për të, krahasuar me vitin 2021.
    Leposaviq: Rreth 70% më 2025; 97% më 2021
    Zubin Potok: Rreth 70% më 2025; 83% më 2021
    Zveçan: 86% më 2025; 98% më 2021
    Graçanicë: 62% më 2025; 77% më 2021
    Ranillug: 71% më 2025; 100% më 2021
    Novobërdë: 63% më 2025; 62% 2021
    Shtërpcë: 59% më 2025; 59% më 2021
    Partesh: 89% më 2025; 75% më 2021
    Kllokot: Zgjedhjet shkojnë në rund të dytë.
    Në Graçanicë, për herë të parë mori pjesë edhe një kandidat nga komuniteti shqiptar, i mbështetur nga të gjitha partitë shqiptare – gjë që ndikoi pjesërisht në rezultatin e Listës Serbe.
    Politikologu nga Beogradi, Ognjen Gogiq, thotë për Radion Evropa e Lirë se në zgjedhjet lokale të së dielës, serbët në Kosovë kishin alternativa ndaj Listës Serbe në të gjitha komunat – ndryshe nga proceset e mëparshme zgjedhore.
    Kjo, sipas tij, ndikoi disi në rënien e mbështetjes për të.
    Si alternativë ndaj Listës Serbe në komunat me shumicë serbe në këto zgjedhje ishin: Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiqit, Demokracia Serbe e Aleksandar Arsenijeviqit, Lëvizja Kombëtare Serbe e Millija Bishevacit, Aleanca e Kosovës e Goran Marinkoviqit, si dhe disa iniciativa qytetare.
    “Kanë dalë kandidatë të rinj… Nëse nuk do të kishte rënie të mbështetjes për Listën Serbe, nuk do të kishte vota për partitë tjera. Vetë fakti që kanë dalë grupe të reja, tregon se ka mendime të reja, disponim të ri, nevojë për një alternativë”, thotë Gogiç.
    Ai shton se mbështetja për Listën Serbe në Kosovë nuk mund të interpretohet kurrë si mbështetje për korrektësinë e politikave të saj, por më tepër si nevojë që serbët të ruajnë pushtetin në komunat ku përbëjnë shumicën, por edhe marrëdhëniet e tyre me Beogradin.
    Sipas të dhënave preliminare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Lista Serbe fitoi shumicën e këshilltarëve në kuvendet komunale, por vende këshilltarësh siguruan edhe partitë e tjera.
    Dushan Janjiç, nga Forumi i Beogradit për Marrëdhënie Etnike, beson se nuk ka alternativë të vërtetë ndaj Listës Serbe dhe se mbështetja që kanë marrë subjektet e tjera politike, është “maksimumi i tyre”.
    “Komuniteti serb në Kosovë po përjeton një gjendje që [ish-udhëheqësi serb, Sllobodan] Millosheviç e ka quajtur pluralizëm jopartiak. Pra, dominimi i një partie është bllokadë ndaj sistemit shumëpartiak… Kjo është shkolla e menaxhimit të konfliktit: ‘Pse ju duhen komplikime me komunitetin demokratik serb’? Nuk ju duhen”, thotë Janjiq për Radion Evropa e Lirë.
    Ai kujton se në vitin 2013, kur po formohej Lista Serbe, disa politikanë – si Oliver Ivanoviç dhe Nenad Rashiç – i rezistuan monopolit dhe sistemit njëpartiak, por pa sukses.
    Janjiç, gjithashtu, beson se bashkësia ndërkombëtare “e toleron” monopolin e Listës Serbe dhe përmend si shembull shkuarjen kolektive të qytetarëve në zgjedhje, me në krye zyrtarët e Listës Serbe.
    “Pra, ku në Evropë është në rregull që njerëzit të hyjnë në qendrat e votimit në grup prej tre vetash? Le të ma shpjegojë këtë Peter Sorensen [i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi]”, thotë Janjiç.
    Një praktikë e tillë – e shkuarjes kolektive në votime – u vu re edhe në zgjedhjet e 12 tetorit.
    Çfarë do të thotë fitorja e Listës Serbe për Vuçiçin?
    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ishte i pari që shpalli fitoren e Listës Serbe në nëntë komunat me shumicë serbe, duke vënë në dukje se komuna e Kllokotit shkon në rund të dytë.
    Në një bisedë telefonike të dielën me zyrtarë të kësaj partie, e cila u formua me mbështetjen e tij, Vuçiç tha: “Ia dolëm, ata nuk mund të heqin emrin dhe mbiemrin serb”.
    Më pas, në një konferencë për media, Lista Serbe e falënderoi Vuçiçin për mbështetjen e dhënë.
    Janjiç vlerëson se mesazhi i Vuçiçit ishte, në fakt, se ai ka fituar në zgjedhjet lokale në komunat me shumicë serbe në Kosovë, dhe se ky është një sinjal për komunitetin ndërkombëtar se mund të llogarisë tek ai.
    “A është e vërtetë kjo? Përkohësisht po. Në këtë pikë, Vuçiç duhet të merret me normalizimin e marrëdhënieve [me Kosovën], për të zgjeruar sundimin e tij në Serbi. Ai ka nevojë për këtë kartë. Është jashtëzakonisht e rëndësishme”, thotë ai.
    Gogiq vë në dukje se Vuçiç shpalli i pari rezultatet e Listës Serbe edhe për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, duke shtuar se ky veprim është i drejtuar kryesisht për publikun e brendshëm në Serbi.
    “Ai duhet të tregojë se po fiton diku. Kemi protestat e studentëve, sanksionet ndaj NIS-it [Industrisë së Naftës së Serbisë]… dhe e ka të nevojshme të tregojë se politika e tij po jep rezultate”, thotë Gogiç.
    Megjithatë, ai vlerëson se fitorja e Listës Serbe në zgjedhjet lokale mund të çojë drejt normalizimit të marrëdhënieve, pasi kjo parti dhe Beogradi çuan mesazhe konstruktive se duan të rikthehen në institucionet e Kosovës.
    Një ditë pas zgjedhjeve në Kosovë, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë Serbe, Petar Petkoviq, tha se fitorja e Listës Serbe “do të thotë se populli serb ka një të ardhme, se kjo parti është garantuese e mbijetesës së serbëve në Kosovë”.
    Duke folur për Televizionin serb Pink, ai tha se rëndësia e fitores së Listës Serbe është më e madhe, sepse përfaqëson “kthimin e serbëve në komunat e tyre në veri të Kosovës”.
    Përndryshe, Beogradi zyrtar e mbështeti vendimin e Listës Serbe për t’u larguar nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022, por presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e kërkoi kthimin e tyre në shtator të vitit 2024.