Deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi dhe kryetari i Partisë Republikane, njëkohësisht deputeti Fatmir Mediu, morën pjesë në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të Unionit Ndërkombëtar Demokrat (IDU), e mbajtur në Uashington të SHBA-ve.
Në fjalën që mbajtën, dy ligjvënësit opozitarë kanë denoncuar situatën e rëndë politike dhe të lirive në Shqipëri, përfshi edhe farsën elektorale të zgjedhjeve të 11 majit.
Deputetja Vokshi përshkroi “situatën e rëndë dhe krizën e thellë të demokracisë në të cilën ndodhet Shqipëria”.
“Vendi është zhytur në një autokraci elektorale, ku zgjedhjet manipulohen sistematikisht, institucionet kapen nga një qeveri e kontrolluar nga një njeri i vetëm, ndërsa media dhe opozita shtypen përmes presionit politik dhe veprimit selektiv të drejtësisë”, tha ajo ndër të tjera.
Vokshi ka paralajmëruar se Shqipëria është shndërruar nga qeveria e Edi Ramës si një vend i favorshëm për kartelet e drogës shqiptare dhe ndërkombëtare dhe një vend i sigurtë për pastrimin parave të aktiviteteve kriminale.
Ky realitet, sipas deputetes demokrate, “nuk është vetëm problem shqiptar, por është një rrezik për stabilitetin ekonomik dhe politik edhe të vetë vendeve europiane”.
Ndërsa deputeti dhe kryetari i PR-së, Fatmir Mediu ka denoncuar gjendjen e rëndë të drejtësisë në vend, ku reforma e drejtësisë e miratuar me kontributin e madh të partnerëve ndërkombëtar.
“Shqipëria ndodhet sot në pikën më kritike të historisë së saj pluraliste. Ajo që dikur ishte një demokraci aspirante europiane, sot lëviz drejt autoritarizmit me një shpejtësi të frikshme. Nuk bëhet më fjalë për debat politik, për konkurrencë idesh apo për rotacion normal pushteti. Bëhet fjalë për mbijetesën e vetë demokracisë. Në këtë realitet mbytës autoritar, opozita jo thjesht sfidohet: ajo përndiqet. E drejta e votës jo vetëm shkelet: ajo vidhet. Sistemi i drejtësisë jo vetëm manipulohet: ai përdoret si armë politike kundër kundërshtarëve”, tha ai.
Ai nuk e cilësoi apel diplomatik, por një thirrje alarmi fjalën e tij.
“Është një denoncim i qartë dhe i drejtpërdrejtë se Shqipëria po rrëshqet drejt modelit të Gjeorgjisë, duke humbur themelet e rendit perëndimor të të drejtave dhe lirive. Dhe pikërisht mbi këtë realitet, kjo rezolutë nuk është thjesht e nevojshme, por urgjente”, tha Mediu.
Ai tha gjithashtu se disa në Bruksel i shohin si antieuropianë pse punësuan menaxherin e fushatës së presidentit Trump.
“Por ja ku qëndron paradoksi më i madh: disa në Bruksel, madje edhe disa nga familja jonë IDU, zgjedhin të mos shohin. Pretendojnë se zgjedhjet ishin të lira, duke kundërshtuar edhe raportet e tyre. Pranojnë propagandën mbi të vërtetën. Dhe kanë arritur deri aty sa, vetëm sepse ne punësuam menaxherin e fushatës së Trump për zgjedhjet parlamentare, na trajtojnë si anti-europianë”, nënvizoi deputeti.
IDU ka lëshuar edhe një rezolutë për situatën në Shqipëri, të cilën e lexoi sot kryetari i PD-së, Sali Berisha, gjatë konferencës për shtyp me gazetarët.
Fjala e mbajtur nga deputetja e PD, Albana Vokshi:
“Faleminderit, kryetar Harper, faleminderit Tina, që u siguruat që ne sot të miratojmë këtë rezolutë, dhe faleminderit Partisë Popullore Europiane (EPP) që ka vendosur të ketë shumë shpejt një mision verifikimi faktik në Shqipëri.
Mendoj se ka ardhur koha të diskutojmë, dhe të gjithë e dinë çfarë po ndodh në Shqipëri. Fatmiri përmendi raportin e OSBE/ODIHR të datës 11 maj 2025, dhe unë besoj se gjithçka fillon me zgjedhjet dhe mbaron me zgjedhjet.
Mënyra se si njerëzit votojnë përcakton se si do të qeveriset vendi në vitet e ardhshme.
Në Shqipëri, vota u devijua, u intimidua, u kërcënua, u grabit, u vodh, u dhunua. A mund të quhet kjo demokraci?
Në Këshillin e Europës, para disa javësh, Shqipëria u përshkrua si ‘autokraci elektorale’. Pra, zgjedhjet mbahen, por ato nuk janë të lira dhe të ndershme.
Ka disa parti që marrin pjesë në zgjedhje, por të gjithë drejtuesit e opozitës janë arrestuar, burgosen, persekutohen. Pra opozita është e heshtur dhe gjithashtu, në autokracitë elektorale, të gjitha pushtetet janë përqendruar në një dorë.
Media hesht, shoqëria civile hesht. Kjo është arsyeja pse parlamenti nuk funksionon. Nuk ka kontrolle dhe balancë. Të gjitha seancat dëgjimore, interpelancat, komisionet hetimore refuzohen. Ne nuk mund të ushtrojmë kontroll; parlamenti nuk kontrollon dhe nuk mbikëqyr qeverinë dhe pushtetet e tjera.
Por më lejoni, në fund, të përmend shqetësimin më të thellë që kemi: bashkimin e partisë-shtet, që e kemi në Shqipëri, me grupet kriminale dhe kartelet e drogës.
Më 13 nëntor, Departamenti i Shtetit sanksionoi një grup kriminal ‘Vëllezërit Hysa’, i cili në bashkëpunim me grupe të tjera meksikane punonte me kartelet e drogës në Amerikën Latine dhe sillte e trafikonte drogë në portet evropiane. Dhe këto para po pastrohen në Shqipëri.
Ato ndërtesa moderne të bukura, gjysmë bosh, vetëm 20% e parave kalojnë përmes sistemit bankar. Pjesa tjetër janë para të paligjshme, para droge, para të krimit të organizuar.
Pra, grupet kriminale shqiptare, grupet kriminale ndërkombëtare, paratë e drogës dhe trafikut, dhe krimi i organizuar po pastrohen në Shqipëri dhe po vijnë në vendet tuaja, duke deformuar ekonominë dhe konkurrencën.
Shqipëria po bëhet një parajsë për grupet kriminale, kartelet e drogës dhe pastrimin e parave.
Prandaj dua të tërheq vëmendjen tuaj.
Ne kemi nevojë për mbështetje për ta ndalur këtë në Shqipëri dhe për të mos e eksportuar në vendet tuaja.
Ju lutem, na ndihmoni me miratimin e kësaj rezolute, duke u siguruar që të ketë një proces strikt dhe të suksesshëm, dhe na ndihmoni në luftën kundër korrupsionit, kundër pastrimit të parave, dhe sigurisht, të sigurojmë një zgjidhje si në Maqedoni, një qeveri kujdestare që të mbështesë procesin e integrimit dhe të rikthejë demokracinë në Shqipëri. Faleminderit shumë”.
Fjala e mbajtur nga deputeti dhe kryetari i PR-së, Fatmir Mediu:
“Gjatë këtyre dy ditëve, folëm për rreziqet e rritjes së tendencave autoritare.
Autoritarizmi në Shqipëri është një realitet i përditshëm dhe mbytës, i nxitur nga korrupsioni, krimi i organizuar dhe kolapsi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Shqipëria është bërë shembulli më i qartë i një shteti të kapur nga një njeri i vetëm, republika e një njeriu të vetëm.
Kryeministri nuk lejon koalicione, deputetët janë kryesisht të emëruar e jo të zgjedhur, ai i ka manipuluar zgjedhjet në mënyrë masive për herë të tretë, mbështet rrjete kriminale, pastron para përmes kullave prej betoni, kontrollon 90% të medias dhe shkatërron çdo media që guxon të flasë kundër tij, ndërsa qytetarët largohen në shifra rekord.
Më shumë se 1.3 milionë qytetarë, në një vend me 3 milionë banorë, kanë braktisur vendin që prej ardhjes së socialistëve në qeveri në vitin 2013.
Reforma në Drejtësi, e menduar për të çliruar gjyqësorin, u vendos në zinxhirët politikë të socialistëve.
Për ta thënë thjesht: para reformës kishim 16,000 çështje të prapambetura; sot kemi 200,000, me vendime që zgjasin 8-15 vite. Sot, sistemin e drejtësisë në Shqipëri e quajmë vetëm SPAK-un, jo gjyqësorin.
Më korrigjoni nëse gaboj, por besoj se gjykatat dhe gjyqtarët, jo prokurorët, vendosin drejtësinë. SPAK ka kontroll të plotë mbi gjykatat, dhe gjyqtarët funksionojnë nën frikë dhe presion. Dhe ky sistem financohet nga SHBA, Britania e Madhe dhe BE.
Kjo nuk është drejtësi e pavarur.
Kjo më kujton një version të upgraduar të shekullit XXI të manualit të vjetër të Sigurimit të Shtetit komunist:
* së pari, cakto ‘armikun’;
* së dyti, gjej ose shpik akuzat dhe procedurat, dhe gjyqtarët shkruajnë ligjet—taktika tipike staliniste;
* së treti, dërgo çështjen në gjykatë;
* dhe së katërti, dëno armikun e Shtetit dhe të partisë.
Prezumimi i pafajësisë, afatet e parashkrimit dhe ndalimi i gjykimit të dyfishtë nuk ekzistojnë, e njëjta metodë, vetëm paketim i ri.
Vetëm dy ditë më parë, Komiteti i Punëve të Jashtme për Çështje të Europës të Kongresit, kërkoi një vlerësim të Reformës në Drejtësi pas 10 vitesh, dhe shpresoj që edhe vendet e tjera të bëjnë të njëjtën gjë.
Ndërkohë, Shqipëria po kalon një kolaps demografik.
Miqtë tanë nga ‘Fratelli d’Italia’ evidentuan faktin se migracioni i paligjshëm drejt Italisë po bie, sepse emigrantet kanë frikë se mund të mos përfundojnë në Itali, por në Shqipëri.
Dhe pse kjo frikë?
Sepse Shqipëria sot nuk është një vend ku mund të ndërtohet e ardhmja, madje as për emigrantët e paligjshëm nga Afrika.
Të rinjtë shqiptarë, njerëz të talentuar, largohen sepse ndihen të papërfaqësuar, të papunë, të pambrojtur dhe të padëgjuar.
Opozita përndiqet; zgjedhjet e lira mohohen; të drejtat heshten; shpresa shterohet.
Raporti i OSBE/ODIHR deklaroi se Shqipëria përjetoi shkelje të hapura të standardeve të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, ku Partia Socialiste, shteti dhe krimi i organizuar u shkrinë në një.
Blerja e votës ishte masive; intimidimi, keqpërdorimi i fondeve publike dhe rrjetet kriminale punonin hapur për të ndikuar rezultatin elektoral.
Sipas raportit të ODIHR-it, prova të qarta tregojnë përdorimin e drejtësisë dhe ndjekjeve penale të motivuara politikisht kundër drejtuesve të opozitës para zgjedhjeve.
Dhe ndërsa vendi boshatiset, Kryeministri është i lumtur dhe disa në Bruksel e quajnë këtë ‘sukses’, thjesht sepse Rama u duket argëtues.
Por ja ku qëndron paradoksi më i madh: disa në Bruksel, madje edhe disa nga familja jonë IDU, zgjedhin të mos shohin.
Pretendojnë se zgjedhjet ishin të lira, duke kundërshtuar edhe raportet e tyre.
Pranojnë propagandën mbi të vërtetën.
Dhe kanë arritur deri aty sa, vetëm sepse ne punësuam menaxherin e fushatës së Trump për zgjedhjet parlamentare, na trajtojnë si anti-europianë.
Shqipëria po bëhet më e vjetër, më e dobët, më e zbrazët, por sundimtari Rama buzëqesh i kënaqur.
Dua ta mbyll me një krahasim me Gjeorgjinë: fillimisht arrestuan Saakashvilin, dhe u miratuan rezoluta në çdo takim; sot po arrestojnë të gjithë aktivistët e opozitës, dhe asgjë nuk ndryshon.
Shqipëria nuk është larg realitetit të Gjeorgjisë, megjithëse jemi vend i NATO-s.
Sot, e vërteta duhet thënë, dhe kjo është arsyeja pse sollëm këtë rezolutë. Ju falënderoj për mbështetjen tuaj”.