Tag: zgjedhjet

  • Rama prezanton kandidatët për zgjedhjet e pjesshme lokale, kryeministri batuta me kandidaten e Vlorës: Ka ardhur me të zeza se ndjek linjën time

    Rama prezanton kandidatët për zgjedhjet e pjesshme lokale, kryeministri batuta me kandidaten e Vlorës: Ka ardhur me të zeza se ndjek linjën time

    Të dielën e 9 nëntorit do të zhvillohen zgjedhjet e pjesshme lokale në 5 bashki të vendit.

    Të ftuar në podcastin “Flasim” me kryeministrin Edi Rama ishin dhe 5 kandidatët e Partisë Socialiste për këto bashki.
    Në fjalën e tij prezantuese, Rama nuk i kurseu batutat sa i përket veshjes që kishte zgjedhur kandidatja për Bashkinë e Vlorës, Bruna Mersini.
    “Këtu me mua është Bruna Mersini. Ka ardhur me të zeza sot që të jetë në harmoni me dekorin dhe ngaqë ndjek linjën time si linjë partie në veshje”, tha Rama.

    Top Channel

  • “Kriset” bastioni i PS, zgjedhjet në Vlorë mes akuzave për korrupsion e patronazhim, ja çfarë po ndodh

    “Kriset” bastioni i PS, zgjedhjet në Vlorë mes akuzave për korrupsion e patronazhim, ja çfarë po ndodh

    Në rrugën përbri Fakultetit të Shkencave Teknike dhe Natyrore në Vlorë është vendosur prej ditësh një billboard 4 x 3 metra, me njoftim të KQZ-së që lajmëron se në 9 nëntor në qytet ka zgjedhje për kryetarin e Bashkisë. Por jo më larg se 100 metra nga njoftimi, disa të rinj nuk dinë asgjë për zgjedhjet. “As e di, as jam interesuar,” thotë Fabiani, 22 vjeç, student në fakultet. “Nuk ka ndonjë njeri që të më bindë se do të bëjë ndryshim dhe do të më bëjë të votoj,” shton ai, duke pohuar se nuk ka votuar asnjëherë. Fabiani i njeh problemet e qytetit të Vlorës – nga kanalizimet e hapura dhe të pambyllura, te fusha e mbetjeve që digjet apo rrugët e prishura – por nuk beson se zgjedhjet e radhës do ta ndryshojnë situatën.
    Të njëjtën gjë beson edhe një 76-vjeçar që i kalon ditët si pensionist, i ulur në shkallët e monumentit të Pavarësisë. “Ku pyet ai për votën time,” thotë Ramo Meçaj, duke pasur ndër mend kryeministrin Edi Rama. “Këta o mik i peshojnë lekët, nuk i numërojnë dot me dorë,” thotë burri duke u ankuar për korrupsionin dhe mungesën e zhvillimit në qytet. Sipas analizës së “Birn”, Vlora shkon në zgjedhje të pjesshme për shkak të dorëheqjes së zhurmshme të ish-kryebashkiakut Ermal Dredha, pas një sërë kritikash të hapura dhe përplasjesh me kryeministrin Rama për menaxhimin e qytetit. Pavarësisht mandatit të shkurtër, tre kandidatë do jenë në fletën e votimit të dielën. Brunilda Mersini la mandatin e sapofituar të deputetes për të garuar si kandidate e Partisë Socialiste për Vlorën. Përballë saj garojnë dy kandidatë të pavarur, biznesmeni Dionis Sota, i cili ka mbështetjen zyrtare të Partisë Demokratike dhe financieri Gjergji Nika, aktualisht këshilltar i opozitës në Këshillin Bashkiak të Vlorës.
    Garë pa garë
    Në Vlorë thirren të votojnë rreth 170 mijë zgjedhës, por bashkia njihet për pjesëmarrje të ulëta në votime dhe pritshmëritë në zgjedhjet e pjesshme qartazi nuk janë të mëdha. Në zgjedhjet e fundit vendore në vitin 2023 vetëm 25% e votuesve morën pjesë. Indiferenca në bashki është edhe më e madhe për shkak të dominimit të socialistëve. Në zgjedhjet e fundit, bashkia u fitua nga partia në pushtet me 28 mijë vota dhe një diferencë gati 17 mijë vota nga kandidati i opozitës. Në zgjedhjet e vitit 2025, socialistët morën 29 mijë vota dhe PD e partitë e tjera opozitare rreth 21 mijë. “Mua më duket sikur nuk ka garë,” thotë Ermal Çukani, pedagog dhe aktivist lokal nga lëvizja Community Hub Vlorë.
    Ai shpjegon se socialistët vijnë pas një fitoreje dërrmuese në qytet dhe rrethina, me struktura ende të ngritura, dhe garojnë përballë një opozite të ndarë, e cila edhe në ditët më të mira do e kishte të vështirë të sfidonte shumicën. Çukani po ashtu thotë se nuk sheh interes për fushatën dhe as përfshirje të qytetarëve. I njohur si zë kritik ndaj qeverisjes lokale në Vlorë, ai nuk mendon se do të ketë ndryshim. “Unë realisht nuk është se shikoj ndonjë shpresë për ndonjë ndryshim të madh,”, thotë ai. Aktivisti nuk është i vetmi që beson se nuk ka garë. Një vajzë rreth 28-vjeç me të cilën biseduam pranë universitetit, po ashtu nuk sheh sfidë për socialistët. Ajo thotë se nuk i njeh kandidatët e opozitës dhe as e ka hasur fushatën e tyre. “As në rrjetet sociale nuk i kam parë,” thotë ajo.
    Fushata
    Megjithatë, qoftë Mersini, qoftë Sota dhe Nika që garojnë përballë saj, flasin për fushatë intensive. “Unë e mendoj që garë gjithmonë ka. Në momentin që ti ke zgjedhje, është hapur një garë. Është e fortë apo është e dobët, e shikon rezultatin në fund,” tha Mersini, me të cilën biseduam në një prej kafeneve të qytetit në zonën e Skelës. Kandidatja e socialistëve dukshëm beson se do të fitojë, megjithatë ajo thotë se besimi nuk vjen nga historia e zgjedhjeve në bashki, por te organizimi i forcës që e mbështet dhe mbajtja e premtimeve. “Partia Socialiste padiskutim ka organizim kapilar në zgjedhje. Duket ndonjëherë si ajo fjala klishe “patronazhim”, por jo, ne u qëndrojmë njerëzve. Ne i kemi qëndruar çdo lloj njeriu që na vjen, na parashtron një problem, nuk jemi indiferentë. Prandaj besojnë njerëzit, se ndryshe nuk ka sesi”, thotë Mersini. Gjergji Nika, i cili thotë se sfidon shumicën dhe opozitën zyrtare në këto zgjedhje, po ashtu beson se ka një garë dhe ka shanse reale për të sfiduar kandidaten e shumicës.
    Nika, i cili është këshilltar i opozitës në Këshillin Bashkiak dhe mbështetës i grupimit brenda PD që mbështeti Lulzim Bashën, thotë se është nën sulm edhe prej socialistëve, edhe prej PD-së zyrtare dhe ish-kryeministrit Sali Berisha. Ai thotë se e fitoi të drejtën për të garuar në Kolegj Zgjedhor si një sfidë ndaj të dy palëve. “E para njëherë ishte presioni politik që të dyja krahët bënë në Kolegjin Zgjedhor dhe në KQZ, për mosregjistrimin tim”, thotë ai. Nika beson se ka një mbështetje organike nga strukturat e PD-së, të cilat i njeh mirë. “Ajo votë që unë do marr, përveç votës së strukturës së demokratëve, është votë e së djathtës, sepse kjo garë është për mua një garë edhe për ta kthyer të djathtën tek e djathta,” thekson ai. Sota nga ana tjetër thotë se është futur në një fushatë intensive dhe se po ndjek një model të ri fushate me takime të vogla dhe pa tubime të mëdha. “Fushata është impenjative faktikisht, se nuk është se unë kam zgjedhur të bëj atë të zakonshmen. Jo që s’e kemi makinerinë e PS-së, se PS-ja po përdor makineri, por edhe unë vetë kam zgjedhur që ta bëj fushatën jo në mënyrën klasike, me turma njerëzish”, tha ai.
    Ai beson se zhgënjimi i madh i qytetarëve me shumicën socialiste dhe me administratën e bashkisë do e ndihmojë. “Por kemi parë një sërë procesesh, kemi parë një zhgënjim jashtëzakonisht të madh dhe një arrogancë të menjëhershme sidomos pas zgjedhjeve”, thotë ai duke iu referuar drejtuesve të mëhershëm të bashkisë. Të dy kandidatët e pavarur ankohen se PS po përdor masivisht patronazhimin dhe presionin ndaj administratës për të siguruar vota. “Shqetësimi im në fushatë është patronazhimi dhe kërcënimet që ata po i bëjnë administratës”, thotë Nika. “…në çdo takim që ata bëjnë, unë shikoj të gjithë drejtorat, të gjithë përgjegjësit, të gjithë pjesa e administratës që ne i njohim,” tha ai, ndërsa shtoi se do të kallëzonte në SPAK ata patronazhistë që ofronin vende pune për vota. Sota thotë se “patronazhimi” është një mekanizëm i turpshëm i vënies së njerëzve nën presion.” Është direkt shkelje flagrante. Dhe këto po ndodhin. Po merren administratat, po merren njerëzit me trysni,” u ankua ai.
    Qëndrime të ngjashme
    Tre kandidatët për Bashkinë e Vlorës nuk dallojnë shumë nga njëri-tjetri për një sërë çështjesh të rëndësishme për qytetin. Pavarësisht backgroundit partiak, të tre ata mendojnë se bashkia është drejtuar keq ose shumë keq në të shkuarën, duke renditur si dështime të mëdha menaxhimin e mbetjeve urbane apo projektet e infrastrukturës në qytet. Ata ndajnë gjithashtu qëndrime të ngjashme për projektet kontroverse të qeverisë në bashkinë e Vlorës, të tilla si aeroporti apo ndërtimi i resorteve luksoze në zonën e lagunës së Nartës apo Zvërnec. Si anëtar i Këshillit Bashkiak, Gjergj Nika thotë se korrupsioni dhe abuzimi me financat bashkiake janë arsye kryesore e problemeve që ka bashkia dhe premton menaxhim më të mirë të tyre. “Gjithmonë ka qenë e keqmenaxhuar. Keqmenaxhimi ka ardhur në kulmin në këto dy vitet e fundit”, tha ai.
    Nika thotë se përtej korrupsionit, në bashki nuk punohet dhe investimet mbeten të parealizuara edhe pse 52% e buxhetit shkon për paga. Sota nga ana tjetër e vë theksin te investimet problematike. “Vlora nuk mund të trajtohet si kartolinë”, tha ai. Sipas tij, ka një sërë problemesh në infrastrukturë që kanë ardhur për shkak se nuk është menduar që kjo të jetë funksionale, por vetëm të jetë e bukur. Edhe kandidatja e Partisë Socialiste, Brunilda Mersini mendon se puna e bashkisë ka qenë e dobët. Por ndryshe nga rivalët e saj, ajo beson se problemet janë lokale, ndërsa thotë se mbështetja nga qeveria dhe Rama ka qenë e pakursyer. Mersini lë të kuptohet se administrata dhe bashkia nuk kanë punuar mjaftueshëm, duke krijuar një rreth vicioz problemesh, të cilat premton t’i zgjidhë duke menaxhuar më mirë burimet njerëzore në bashki.
    Projektet
    Të pyetur për projektet kontroverse si aeroporti i Vlorës apo ndërtimi i resorteve turistike, të tre kandidatët nuk shprehin kundërshtim. Nika e justifikon mbështetjen e tij për zgjerimin e qytetit në Veri me faktin se zona e mbrojtur nuk ekziston më dhe është dëmtuar prej qeverisë. Sota në krahun tjetër sheh si problem vetëm mënyrën se si trajtohen banorët dhe premton se do të këmbëngulë që pronarët e tokës të jenë pjesë e investimeve në këto zona. Mersini e mbështet zhvillimin dhe mban anën e qeverisë në konfliktin me komunitetet lokale për ujin e pijshëm. Duke iu referuar Tragjasit, Mersini aludon se i gjithë kundërshtimi është i pabazë dhe i “sponsorizuar” nga biznese të bregdetit që kërkojnë të përdorin ujin.
    Ajo këmbëngul se zgjidhja është menaxhimi më i mirë i ujit të pijshëm. “Sepse dhe problemet e fshatrave në informacionin që unë kam, është që shpeshherë përdorin ujin e pijshëm për vaditje dhe nuk pranojnë vendosjen e sahateve,” thotë Mersini. Nika dhe Sota të dy e kundërshtojnë projektin. Nika thotë se nëse zgjidhet, në 30 ditët e para ai do të anulojë vendimmarrjen e bashkisë që ka mundësuar punimet për ujësjellësin e kundërshtuar nga banorët. Sota thekson se askush nuk ka të drejtë morale të marrë ujë nga Vlora, kur vetë komuniteti vuan për ujë të pijshëm. Prioritet, sipas tij, ka zgjidhja e problemit të ujit të pijshëm për komunitetet lokale.
    “Në momentin që nuk zgjidhet, po flasim për Tragjasin, nuk zgjidhet Tragjasi me ujë të pijshëm, Dukati, kushdo qoftë komunitet, Vlora vetë, ti nuk ke të drejtë morale të flasësh për t’i marrë burimet ujore”, thotë kandidati. Për Ermal Çukanin, qëndrimet e ngjashme të kandidatëve për projektet e ndërtimit në Vlorë nuk janë të habitshme. “Kjo është ideja e përgjithshme, sepse kanë shitur këtë idenë e ndërtimit si zhvillim. Në fakt nuk është parë në asnjë vend të botës ndërtimi si zhvillim,” thotë Çukani. Ai thotë se qyteti, pavarësisht fluksit të ndërtimeve, është bërë po aq i shtrenjtë sa Tirana dhe se ndërtimi pa limit po u heq mundësinë brezave të ardhshëm të jetojnë aty. “Këta mendojnë se ne jemi të fundit që jetojmë në Vlorë dhe mbas 100 vitesh, nuk do ketë asnjeri tjetër të mendojë “o vëlla, unë këtë vendin këtu e dua ta bëj një lulishte, një kopsht” tha ai. “Jo, ne duhet ta konsumojmë (hapësirën e qytetit) brenda këtij 30-40 vjeçari që do jetojmë ne, dhe ta mbarojmë Vlorën dhe kaq,” përfundoi ai.
     

  • 5 bashki dhe 13 kandidatë në garë/ Çfarë pritet nga zgjedhjet e së dielës, a do ia dalin socialistët të fitojnë 5-0

    5 bashki dhe 13 kandidatë në garë/ Çfarë pritet nga zgjedhjet e së dielës, a do ia dalin socialistët të fitojnë 5-0

    TIRANË- Të dielën e 9 Nëntorit, qytetarët e 5 bashkive në vend do t’i drejtohen qendrave të votimit, për të zgjedhur kryetarët e tyre, që do t’i qeverisin për një mandat të pjesshëm, deri në zgjedhjet lokale të vitit 2027. Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, për të pezulluar mbajtjen e zgjedhjeve në Tiranë, dhe për të rikthyer në detyrë Erion Veliajn, ethet e garës duket të jenë zbehur ndjeshëm, edhe për shkak se kandidatët kanë tentuar që të bëjnë një fushatë të shpejtë lokale, pa zhurmën dhe projektorët e të dërguarve nga Tirana. 5 bashkitë ku do të mbahen zgjedhjet të dielën janë Vlora, Berati, Cërriku, Mati dhe Tepelena, kryesisht bastione të së majtëve, ndërkohë që 13 kandidatë në garë synojnë që të zgjidhen në krye të këtyre njësive të pushtetit vendor.
    Bashkia Vlorë- Zgjedhjet në Vlorë mbahen pas dorëheqjes së Ermal Dredhës nga drejtimi i Bashkisë, ndërsa socialistët kërkojnë të drejtojnë sërish qytetin, duke dërguar një kandidate të fortë dhe me lidhje lokale si Bruna Mersini. Ajo la mandatin e deputetes, të cilin e fitoi në zgjedhjet e Majit, për të garuar për Vlorën, ku më herët ka drejtuar dhe spitalin rajonal të qytetit. Nga ana tjetër opozita nuk arriti që të dilte me një emër konsensual, edhe pse kandidati Dionis Sota mbështetet prej tyre. Po asht unë garë për të marrë mandatin e lënë përgjysmë nga Dredha është edhe Gjergji Nika, i cili arriti që të bëhej pjesë e listës, edhe përmes një vendimi të dhënë nga Kolegji Zgjedhor. Vlora drejtohet prej më shumë se 20 vitësh nga socialistët, ndërsa në zgjedhjet e së dielës kanë të drejtë vote rreth 172 mijë qytetarë. Në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe lokale, Vlora ka qenë një nga qarqet me pjesëmarrjen më të ulët në votime, edhe për shkak të emigrimeve masive, por edhe shpresave të pakta për ndryshim.

    Bashkia Berat- Një tjetër bastion historik i socialistëve, shkon në zgjedhjet e së dielës me pak shanse për ndryshimin e timonit, pas mandatit të lënë përgjysmë nga Ervin Demo, i cili në zgjedhjet e Majit u përfshi në listat për deputetë, e më pas iu bësua nga Rama posti i ministrit për pushtetin vendor. Socialistët i kanë bësuar kandidimin në zgjedhjet e 9 Nëntorit Ervin Cecës, i cili deri tani ka qenë kryetari i komanduar i Bashkisë, dhe njëherësh krahu i djathë i Demoës. Ky i fundit, edhe pse në postin e ministrit, ka qenë i pranishëm intesivisht ditët e fundit në Berat, duke pasur takime me bazën socialiste, e duke u kujdesur që trashëgimia e pushtetit të vuloset edhe përmes zgjedhjeve te Ceca. Nga ana tjetër, demokratët dhe opozita në tërësi mbështet në garën për Bashkinë e Beratit kandidatin Pavllo Shkarpa. Ky i fundit futet në një garë të vështirë, për shkak se të dhënat tregojnë se demokratët nuk kanë fituar në Berat, as në kohën e qeverisjes 8 vjeçare të Sali Berishës dhe të djathtës.  Hera e fundit kur qyteti i Beratit ka zgjedhur një kryebashkiak demokrat ka qenë viti i largët 1996, ndërkohë që në zgjedhjet e fundit është vënë re një tkurrje e ndjeshme të numrit të votuesve, edhe për shkak të braktisjes së zonës nga shumë të rinj. Në vitin 2015, në këtë bashki votuan 35 mijë qytetarë, ndërsa në zgjedhjet për pushtetin vendor 2023, votuan vetëm 28 mijë vetë. Në zgjedhjet parlamentare 2025, votuesit rezidentë ishin 29 mijë.

    Bashkia Cërrik- Edhe banorët e Cërrikut do t’iu drejtohen kutive të votimit të dielën, ku në garë janë 3 kandidatë për të vazhduar mandatin e lënë përgjysmë nga Andi Salla, i cili ishte një prej surprizave të kryeministrit Rama në qeverinë e katërt të tij, duke i besuar postin e ministrit të Bujqësisë. Në garë për Bashkinë e Cërrikut janë Florenc Doka nga Partia Socialiste, Amarildo Hoxha, një mjek në profesion që mbështetet nga Partia Demokratike dhe Eligert Hima, kandidat i “Shqipëria Bëhet. Bashkia e Cërrikut përbëhet nga qyteti i Cërrikut, një ish- qendër industriale dhe komunat Gostimë, Mollas, Shalës dhe Klos. Bashkia ka rreth 38 mijë qytetarë me të drejtë vote, por në zgjedhjet lokale të vitit 2023 morën pjesë vetëm 12 mijë votues.

    Bashkia Mat- Bashkia e vogël në numra e Matit, duket se do të prodhojë garën më të fortë në zgjedhjet e së dielës, ku socialistët për herë të parë do të jenë të dyzuar për të zgjedhur mes dy kandidatëve, pas përçarjes së strukturave lokale. Në garën për kreun e Bashkisë kandidojnë: Altin Bojni, ekonomist dhe ish-kryetar i Këshillit Bashkiak, që përfaqëson Partinë Socialiste; Eduart Brahilika, jurist dhe kandidat i mbështetur nga Partia Demokratike; si dhe Suzana Pasha, ish-drejtuesja e forumit të grave socialiste, që kandidon si e pavarur. Kjo e fundit me shpalljen e kandidaturës së saj, ishte një prej surprizave të garës së 9 Nëntorit. Edhe pse tradicionalisht konsiderohet si një zonë e djathtë, Bashkia e Matit është kontrolluar politikisht nga Partia Socialiste që prej vitit 2011.

    Bashkia Tepelenë- E qeverisur për disa mandate nga Tërmet Peçi, qytetarët e Tepelenës do të zgjedhin të dielën pasardhësin e tij në krye të Bashkisë. Socialistët garojnë me një kandidat të njohur, si ish-drejtori i Gardës së Republikës Gramoz Sako, ndërsa opozita mbështet një kandidat të ri në moshë dhe në përvojë, arkitektin 26-vjeçar Grabiel Guma. Bashkia e Tepelenës ka rreth 12 mijë votues të regjistruar, por në zgjedhjet e fundit vendore morën pjesë vetëm 5184 banorë. Edhe kjo bashki është e prekur ndjeshëm nga fenomeni i shpopullimit, ndërsa në rrugët e qytetit ka pak të rinj, që mund të shpresojnë ndryshimin. Sako nuk është lënë i vetëm në fushatën e tij për Bashkinë, pasi Tërmet Peçi është shfaqur dendur, në takimet me qytetarët, njësoj si dhe drejtuesja politike e qarkut të Gjirokastrës Mirela Kumbaro.

    Socialistët kanë deklaruar se në zgjedhjet e së dielës presin një rezultat 5-0, edhe pse mobilizimi i tyre ishte mjaft i zbehtë, pas anulimit të zgjedhjeve në Tiranë, që në fakt është dhe kryeqendra e përplasjes mes forcave politike. Nga ana tjetër opozita në këto zgjedhje, iu shmang përgjegjësisë direkte, duke mos dalë me kandidatë të sajët, por duke mbështetur individë të pavarur që shpallën përfshirjen në garë. Mandati i 5 të zgjedhurve do të jetë i pjesshëm, dhe ata do të qeverisin me këshillat bashkiakë të dalë nga zgjedhjet e 2023-shit, duke lënë pak vend për ndryshime në politikat lokale. /ZËRI

    tepelenajpg

    mati

    berati

    cerriku

  • LIVE- Zgjedhjet e 9 Nëntorit/ Rama në Podcastin “Flasim”, të ftuar kandidatët e PS për 5 bashkitë

    LIVE- Zgjedhjet e 9 Nëntorit/ Rama në Podcastin “Flasim”, të ftuar kandidatët e PS për 5 bashkitë

    Kryeministri Edi Rama ka ftuar në podcastin “Flasim” kandidatët socialistë në pesë bashkitë që shkojnë në zgjedhjet e pjesshme lokale të dielën. Brunilda Mersini kandidon në Vlorë, Gramoz Sako në Tepelenë, Ervin Ceca në Berat ndërsa Florenc Doka në Cërrik, dhe Altin Bojni në Mat. 
    “Pasi nesër është heshtja zgjedhore dhe të dielën janë zgjedhjet. Këtu me mua është Bruna Mersini, ka ardhur e veshur me të zeza për të qenë në harmoni me dekorin,    Gramos Sako, Ervin Cece, Altin Bojni dhe Florenc Doka.”, tha Rama. 

  • “Ku gaboi PD me Veliajn”, Artan Fuga tregon pse nxitoi Rama të shpallë zgjedhjet në Tiranë

    “Ku gaboi PD me Veliajn”, Artan Fuga tregon pse nxitoi Rama të shpallë zgjedhjet në Tiranë

    Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Bashkinë e Tiranës është në pajtim me ligjin për akademikun Artan Fuga.
    “Po të kishte një vendim tjetër Gjykata Kushtetuese do të ndëshkonte vetveten përpara opinionit publik e para ndonjë gjykate të huaj ku çështja mund të shkonte”, u shpreh akademiku, Artan Fuga.
    Fuga mendon se të nxituar për zgjedhjet e pjesshme në kryeqytet u treguan jo vetëm organet institucionale, por edhe ato politike.
    “Në vorbullën e nxitimit ranë të gjithë institucionet të cilat u përfshinë, edhe grupi parlamentar socialist që s’ka kompetenca aty, por mund të shprehë mendimin por askush nuk foli. Edhe presidenca me juristët. Por dua të them se edhe opozitarët që duan të bëjnë opozitë duke shkelur Kushtetutën”, u shpreh akademiku.
    Bashkimin e votave të demokratëve me socialistët për shkarkimin e Veliajt, e cilëson një gabim të rëndë të PD, që zgjodhi si strategji të përdorej nga PS për të arritur qëllimin në procedurë jo të rregullt ligjore.
    “Në hapin e parë opozita deklaroi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte një goditje kundër Ramës dhe Begajt, jo ndaj atyre po, por ishte edhe ndaj opozitës. Këtë gjë nuk tha opozita. Këtu ka gabim, nuk bën autokritikë, fajin gjithmonë ua hedh të tjerëve”, thotë Fuga.
    Porositë e kryeministrit Edi Rama me deputetët e Tiranës që të jenë gati për zgjedhje në çdo kohë, Artan Fuga i sheh më shumë se në përputhje me situatën reale, si një mobilizim të strukturave për të punuar përtej një emri.
    “Unë e shoh në mënyrë metaforike që kërkon të mbajë ndezur tërë atë makinë elektorale dhe për të treguar se vërtetë u mor ai vendim që prapëson Këshillin e Ministrave, por nuk prapëson vullnetin tonë për të zgjidhur problemet”, shprehet ai.

  • “Ku gaboi PD me Veliajn?” Artan Fuga: Të nxituara zgjedhjet në Tiranë, demokratët s’duhej të bashkonin votat në Këshill

    “Ku gaboi PD me Veliajn?” Artan Fuga: Të nxituara zgjedhjet në Tiranë, demokratët s’duhej të bashkonin votat në Këshill

    Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Bashkinë e Tiranës nuk mund të ishte ndryshe, në vlerësimin e akademikut Artan Fuga, veçse në respektim të ligjit. 
    “Po të kishte një vendim tjetër Gjykata Kushtetuese do të ndëshkonte vetveten përpara opinionit publik e para ndonjë gjykate të huaj ku çështja mund të shkonte”, u shpreh akademiku, Artan Fuga. 
    Pa mbaruar gjykimi ndaj Erion Veliajt në bashkinë e Tiranës nuk do të ketë zgjedhje, e ky proces do të marr kohë deri në mbarimin e mandatit të plotë 4 vjeçar sipas profesorit Fuga, i cili zbërthen kontradiktën mes kryebashkiakut e kryetarit të PS  dhe mekanizmin ndërmjetës. 
    “Fati politik i Veliajt do të varet nga procesi gjyqësor për fajësinë apo pafajësinë e tij. Deri në atë kohë çështja do të mbetet pezull. Tirana do të jetë një arenë ku do të ketë ndikime të ndryshme, nga të dyja palët, por di që strumbullari i vetëm që do mbetet për të zgjidhur këtë konflikt do të jenë këshilltarët bashkiakë socialist”, u shpreh Fuga. 
    Fuga mendon se të nxituar për zgjedhjet e pjesshme në kryeqytet u treguan jo vetëm organet institucionale, por edhe ato politike. 
    “Në vorbullën e nxitimit ranë të gjithë institucionet të cilat u përfshinë, edhe grupi parlamentar socialist që ska kompetenca aty, por mund të shpreh mendimi por askush nuk foli. Edhe presidenca me juristët. Por dua të them se edhe opozitarët që duan të bëjnë opozitë duke shkelur Kushtetutën”, u shpreh akademiku. 
    Bashkimin e votave të demokratëve me socialistët për shkarkimin e Veliajt, e cilëson një gabim të rëndë të PD, që zgjodhi si strategji të përdorej nga PS për të arritur qëllimin në procedurë jo të rregullt ligjore. 
    “Në hapin e parë opozita deklaroi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte një goditje kundër Ramës dhe Begajt, jo ndaj atyre po, por ishte edhe ndaj opozitës. Këtë gjë nuk tha opozita. Këtu ka gabim, nuk bën autokritikë, fajin gjithmonë ua hedh të tjerëve”, thotë Fuga. 
    Porositë e kryeministrit Edi Rama me deputetët e Tiranës që të jenë gati për zgjedhje në çdo kohë, Artan Fuga i sheh më shumë se në përputhje me situatën reale,  si një mobilizim të strukturave për të punuar përtej një emri. 
    “Unë e shoh në mënyrë metaforike që kërkon të mbajë ndezur tërë atë makinë elektorale dhe për të treguar se vërtetë u mor ai vendim që prapëson Këshillin e Ministrave, por nuk prapëson vullnetin tonë për të zgjidhur problemet”, shprehet ai. 
    Në analizën e Fugës, kandidatët e shpallur para vendimit të Kushtetueses, janë në rrezik për të qenë të njëjtët në zgjedhjet e 2027. 

  • Maxhoranca dhe opozita rikthejnë Arben Ristanin në KQZ, Çupi paralajmëron: Riciklimi i mëkatarëve dëmton besimin te..

    Maxhoranca dhe opozita rikthejnë Arben Ristanin në KQZ, Çupi paralajmëron: Riciklimi i mëkatarëve dëmton besimin te..

    Maxhoranca dhe opozita bashkuan votat në një votim të fshehtë për të rikthyer Arben Ristanin në KQZ pas më shumë se një dekade. Ish-kreu i KQZ që i dha Lulzim Bashës fitoren e bashkisë së Tiranës në 2011, do të jetë anëtar i komisionit rregullator të KQZ.
    Kuvendi votoi sot përbërjen e këtij komisioni, pas anulimit te votimit ne seancën e kaluar, ku pavarësisht marrëveshjes dy paleshe, PD nuk ishte e pranishme ne votim, duke mos garantuar votat për të besuarin e saj.
    Analisti Frrok Çupi i ftuar në njëemision televiziv u shpreh se shoqëria shqiptare, kryesisht politika, ka vesin e saj për të ricikluar “xhaketa e vjetra”.
    Ai theksoi se kjo prirje është e dëmshme për shoqërinë.
    Sipas Çupit, rikthimi i Ristanit në “vendin e krimit” ndikon te besimi i qytetarëve mbi procesin zgjedhor në tërësi.
    “Ky është një lajm jo qa pozitiv për ne, nuk është fjala se pse bashkëpunuan dy partitë për çështjet e mëdha, por problemi është riciklimi i xhaketave të vjetra. Është fjala për riciklimin e mëkatarëve. Ristani është damkosur në zgjedhjet e 2011 në zgjedhjet e Tiranës, dhe është damkosur në sy të ndërkombëtarëve.
    Ka marrë dhjetë vota nga Rama dhe ia ka vendosur Lulzim Bashës. Kjo e dëmton besimin te zgjedhjet e ardhshme. Kjo na ka dëmtuar dhe këtë e kemi një ves shumë të keq të së shkuarës. Nuk besoj se Berisha guxon të besojë se me Arben Ristani do ndryshojë rezultatin e zgjedhjeve. Atij i duhet si një mall për ta shitur. Pse Berisha nuk e çon te grupi parlamentar, nuk e çon, sepse nuk i beson.”, tha ai.

  • Vlora gati për zgjedhjet lokale, mbërrijnë materialet për procesin e numërimit në 4 KZAZ

    Vlora gati për zgjedhjet lokale, mbërrijnë materialet për procesin e numërimit në 4 KZAZ

    vlorë

    VLORË- Zgjedhjet e pjesshme janë vetëm 3 ditë larg, ndërsa në Vlrorë duket se gjithaçka është bërë gati për zhvillimin e procesit zgjedhore. Qendrat e votimit po plotësohen me materialet e fundit, teksa 4 KZAZ-të janë plotësuar me të gjithë bazën materiale për procesin e numërimit të votave. 
    Rreth 173 mijë e 624 qytetarë me të drejtë vote do u drejtohen 231 qendrave të votimit, për të shprehur ullnetin e tyre duke zgjedhur një nga 3 kandidatët në garë. 
    Beteja në Vlorë është mes 3 rivalëve: kandidates së PS Bruna Mersinit, të pavarurit të mbështetur nga opozita Dionis Sota, i cili ka një profil në sipërmarrjen turistike dhe Gjergj Nikës demokratit i cili fitoi në Kolegj Zgjedhor të drejtën për garuar si kandidat i pavarur, pasi KQZ dhe KAS e përjashtuan nga gara.
    Këtë të dielë (9 nëntor) në 5 bashki të të vendit do të mbahen zgjedhjet për kryetar bashkie, mes tyre Vlora, Tepelena, Berati, Cërriku dhe Mati.

    Bashkia e Tiranës e cila bënte pjesë te 6 vakancat zyrtare për zgjedhjet e pjesshme lokale, është pezulluar për shkak të vendimit të Kushtetueses mbi ankimin e Erion Veliajt, e cila la në detyrë kryebashkiakun e arrestuar./ZËRI

  • Bashkia Vlorë, dy të pavarur sfidojnë pushtetin absolut të socialistëve

    Bashkia Vlorë, dy të pavarur sfidojnë pushtetin absolut të socialistëve

    Qytetarët e Vlorës do të kenë mundësinë të zgjedhin, të dielën, mes tre kandidatëve për deputetë, dy të pavarur dhe një të Partisë Socialiste. Mes të pavarurve, njëri mbështetet nga opozita kryesore, ndërsa një, jo.
    Pritshmëritë janë gjithsesi të ulëta për kandidatët sfidantë në një bashki që ka votuar socialistët në shumicë dërrmuese që pas trazirave civile të vitit 1997, të cilat patën pasoja veçanërisht tragjike në qytetin e Vlorës.
    Të dhënat historike tregojnë se pjesëmarrja në zgjedhje në Vlorë ka qenë nga më të ulëtat në rang kombëtar, gjë që duket se lidhet me shkallën e lartë të emigrimit më shumë se sa me ndonjë lloj moskokëçarjeje apo bojkoti të proceseve zgjedhore.
    Bashkia e Vlorës numëroi 83 mijë banorë në Censin e vitit 2023 nga 206 mijë qytetarë të regjistruar në Regjistrin Civil, gjë që sugjeron se 60% e qytetarëve jetojnë në emigrim, pa llogaritur këtu ata që kanë hequr dorë sakaq nga shtetësia shqiptare dhe rrjedhimisht nuk janë pjesë e regjistrit civil.
    Si rrjedhojë e emigrimit, numri i votave të hedhura në zgjedhjet për pushtetin vendor në Vlorë ka ardhur në rënie, pavarësisht se popullsia me të drejtë vote ka ardhur në rritje. Popullsia me të drejtë vote është rritur në Shqipëri për shkak të ndryshimit të strukturës moshore të popullsisë, ku, rënia ka prekur më fort grupmoshat e fëmijëve dhe të rinjve dhe më pak qytetarët e moshës së mesme apo ata të moshës së tretë.

    Kështu, në zgjedhjet e vitit 2007, në territorin e bashkisë së sotme Vlorë, e cila përfshin ish-komunat Orikum, Qendër Vlorë, Novoselë dhe Shushicë, kishte 134 mijë qytetarë me të drejtë vote dhe afro 48 mijë pjesëmarrës në zgjedhje ndërsa në zgjedhjet e vitit 2023, qytetarët me të drejtë vote ishin 168 mijë ndërsa votuesit ranë në 41 mijë.
    Bashkia e qytetit Vlorë u fitua nga socialistët me 59% të votave edhe në vitin 2007, kur demokratët, në atë kohë në kontroll të qeverisjes qendrore, arritën të zgjedhin një kryekomunar të vetin në Orikum, Novoselë dhe Shushicë, ndërsa komuna Qendër Vlorë u fitua nga një kandidat i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut.
    Në zgjedhjet e vitit 2011, socialistët fituan Orikumin, ndërsa pak muaj më herët qeveria demokrate pati dërguar policinë për të rrahur banorët protestues që pretendonin pronësinë e tokave ku sot janë ndërtuar blloqe me pallate.
    Socialistët fituan sërish zgjedhjet në qytetin e Vlorës, por kësaj here me 55% të votave. Një i pavarur fitoi zgjedhjet në Novoselë ndërsa Qendër Vlorë u fitua nga demokratët me të njëjtin kandidat që më 2007 pati fituar në emër të PBDNJ-së. Shushica u fitua gjithashtu nga PD.
    Fitoret e PD-së në komunat përbërëse të bashkisë së sotme Vlorë në vitet 2007 e 2011 nuk është se ngrenë shumë peshë për shkak se qyteti i Vlorës ka shumicën dërrmuese të votuesve. Kështu, kandidatët e së majtës morën 50% të votave më 2007 dhe 49% më 2011 përkundrejt 38 dhe 41% të demokratëve. Pas zgjedhjeve të vitit 2015, socialistët kanë fituar Vlorën me shumicë dërrmuese, si në zgjedhjet vendore, ashtu edhe në zgjedhjet kombëtare.
    Zgjedhjet e parakohshme 2025 për postin e kryetarit të Bashkisë Vlorë u shkaktuan nga dorëheqja e kryebashkiakut të mëparshëm Ermal Dredha, i cili pati fituar zgjedhjet e vitit 2023, pasi paraardhësi i tij, Dritan Leli nuk u rikandidua nga kryesocialisti Edi Rama.
    Në zgjedhjet e së dielës garojnë Brunilda Mersini nga Partia Socialiste dhe Dionis Sota e Gjergji Nika të pavarur.
    Gjithsej 172 mijë qytetarë kanë të drejtë të votojnë në zgjedhjet e së dielës.

  • Dy ditë që tronditën Trumpin, analiza nga CNN: Dobësohet miti i pushtetit absolut

    Dy ditë që tronditën Trumpin, analiza nga CNN: Dobësohet miti i pushtetit absolut

    Presidenti amerikan Donald Trump është përballur me dy ditë që kanë goditur fort perceptimin e tij si një lider me fuqi absolute, pas një sërë zhvillimesh që tregojnë se ndikimi i tij nuk është më aq i paprekshëm sa dikur.

    Në vetëm pak muaj të mandatit të dytë, Trump ka sfiduar institucionet, ka shtyrë kufijtë e pushtetit ekzekutiv dhe ka imponuar vullnetin e tij ndaj bizneseve, mediave dhe institucioneve publike. Por këtë javë, disa ngjarje e kanë dëmtuar ndjeshëm imazhin e tij të pathyeshëm.
    Në zgjedhjet lokale, demokratët shënuan fitore të rëndësishme në Virxhinia dhe Nju Xhersi, ku guvernatoret Abigail Spanberger dhe Mikie Sherrill mundën kundërshtarë të afërt me kampin MAGA. Ndërkohë, në Nju Jork, qytetarët sfiduan paralajmërimet e Trump dhe zgjodhën si kryebashkiak Zohran Mamdani, një demokratik socialist me origjinë nga Uganda.
    Presidenti reagoi ashpër, duke i quajtur zgjedhjet në Kaliforni “të manipuluara” dhe duke kërcënuar me ndërhyrje federale. Ai ka paralajmëruar edhe prerje fondesh për qytetet që “sfidojnë autoritetin e tij”.
    Megjithatë, shenjat e dobësisë po shtohen. Gjykata e Lartë ka shprehur dyshime për përdorimin e gjerë të kompetencave presidenciale nga Trump, veçanërisht në vendosjen e tarifave tregtare pa miratimin e Kongresit.
    Ndërkohë, sondazhet tregojnë se mbështetja për Trump po bie, me shumicën e amerikanëve që mendojnë se vendi është në drejtim të gabuar dhe ekonomia po përkeqësohet.
    Edhe pse presidenti mohon çdo shenjë dobësie, javët e fundit kanë treguar se republikanët mund të përballen me vështirësi serioze në zgjedhjet e mesmandatit, ndërsa demokratët po fitojnë terren.
    Trump ka pranuar se nuk mund të kandidojë për një mandat të tretë, duke thënë me ironi: “Kushtetuta është e qartë. Nuk më lejon. Më vjen keq.”
    Por analistët theksojnë se edhe nëse do të ishte e mundur, publiku amerikan duket i lodhur nga një presidencë e dominuar plotësisht nga Trump, dhe se zgjedhjet e fundit kanë sinjalizuar një ndryshim të mundshëm epoke në politikën amerikane.
    Këto zhvillime nuk shënojnë fundin e mandatit të dytë të Trump, por, siç thonë analistët në Uashington, mund të jenë fillimi i fundit të mitit të tij të pushtetit absolut.

    Top Channel