Tag: zemërimi

  • Zemërimi me Alonson pas zëvendësimit, te Reali marrin vendimin për Vinicius

    Zemërimi me Alonson pas zëvendësimit, te Reali marrin vendimin për Vinicius

    Fitorja e ngushtë e Real Madridit në El Clasico kundër Barcelonës i dërgoi Los Blancos pesë pikë para në krye të La Ligës.
    Pavarësisht këtij suksesi, nuk ishte tërësisht një atmosferë feste në Bernabeu. Braziliani Vinicius nuk e priti mirë zëvendësimin në minutën e 72-të dhe u largua nga fusha i zemëruar.

    Shpërthimi i Vinicius ndaj trajnerit Alonso nuk është marrë në konsideratë nga klubi, teksa është vendosur që të mos merret asnjë masë disiplinore ndaj lojtarit. Gjithsesi, nëse sjellja e Vinicius përsëritet, me siguri te Real Madrid do ndëshkojnë lojtarin.

  •  “Zemërimi i shkronjave” u shfaq për herë të parë në 1985, shfaqja rikthehet në skenën teatrore pas 40 vitesh

     “Zemërimi i shkronjave” u shfaq për herë të parë në 1985, shfaqja rikthehet në skenën teatrore pas 40 vitesh

    Nga Julia Vrapi
    “Zemërimi i shkronjave” pas 40 vitesh rikthehet në skenën teatrore. Kjo shfaqje që u shfaq për herë të parë në vitin 1985 në Teatrin e Kukullave rikthehet këtë shtator në skenë për fëmijët. “Zemërimi i shkronjave” me humor, argëtim dhe sigurisht edukim e bazuar në tekstin e Minerva Kumit rikthehet pas 40 vitesh në skenë me regji nga Endri Çela. Shfaqja vjen në skenë në kuadër të  projektit “Marionetat e Trashëgimisë”. Aktiviteti mbështetet nga programi i granteve “EU4Culture”, financuar nga Bashkimi Europian dhe zbatuar nga UNOPS në partneritet me Ministrinë e Kulturës. “Kjo iniciativë risjell traditën për një gjeneratë të re, duke fuqizuar fëmijët përmes edukimit mbi trashëgiminë kulturore dhe duke promovuar pasurinë artistike të Shqipërisë”, thuhet nga “EU4Culture”, që dhe më parë ka sjellë në vëmendje shfaqjen që rikthehet në skenën teatrore. Regjisori Endri Çela më herët për vënien në skenë të kësaj shfaqje teatrore ka shprehur se pas një hulumtimi mes veprave më të suksesshme ndër vite të repertorit të hershëm të Teatrit të Kukulla, u përzgjodh pikërisht “Zemërimi i shkronjave” për t’ia rikthyer publikut të vogël mesazhin se e folura bukur dhe pastër është diçka e qënësishme. “Vepra e shkruar nga Minerva Kumi ka patur një sukses të jashtëzakonshëm ndër vite. Prindërit tanë e mbajnë mend akoma batutën e famshme “dua e-në me kaçurrelat tek balli”. Prandaj për nder të këtij suksesi, për kënaqësinë e nostalgjikëve, por edhe për mesazhin edukues ende domethënës edhe në ditët e sotme, u vendos kjo vepër, për të cilën shpresojmë të ketë të njëjtin sukses”, shprehet regjisori. Veprat teatrore për të rritur, por dhe për fëmijë mbajnë emrin e regjisorit Endri Çela, por shfaqja“Zemërimi i shkronjave”është projekti i 19-të i karrierës së tij për teatrin e fëmijëve, por është i pari projekt me kukulla.
     Shfaqja do të shoqërohet me audio-përshkrim
    Për herë të parë, shfaqja do të shoqërohet me audio-përshkrim, të mundësuar nga Shoqata e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri (UNAA), duke siguruar aksesueshmëri për fëmijët me shikim të dëmtuar. Kjo është një nismë e përbashkët e dy projekteve të mbështetura nga “EU4Culture”, “Marionetat e Trashëgimisë” dhe “ANNEX Labs”, që shënon një hap të rëndësishëm në festimin e kreativitetit, gjithëpërfshirjes dhe trashëgimisë kulturore. “Pas premierës, shfaqja e rivitalizuar do të jetë pjesë e programit të rregullt të teatrit, gati për t’u shijuar nga fëmijët dhe familjet”, thuhet nga “EU4Culture”. Këtë të premte në ora 18:00 në teatër do të jetë rivënia në skenë e shfaqjes  “Zemërimi i shkronjave”. Olsi dhe Ini janë dy djem që nuk flasin bukur. Flasin me shkurtime se nuk kanë kohë të flasin gjatë. Flasin shëmtuar, se nuk janë radio shekullore që të artikulojnë bukur, pastër dhe pa gabime. Madje do të guxojnë të krijojnë edhe një shqipe të re, moderne. Të gjitha këto i zemërojnë shkronjat e Abetares dhe i vënë në lëvizje që të gjejnë një zgjidhje. Njëra pas tjetrës ato fillojnë të ikin nga fjalori i fëmijëve, duke u përpjekur që t’u mësojnë në këtë mënyrë rëndësinë e të folurit mirë. Por Olsi dhe Ini e gjejnë nga një zgjidhje të shpejtë dhe praktike. Gjersa në fund, në konkursin e interpretimit të vjershave…Një “luftë gjuhësore” mes të folurit të fëmijëve të sotëm dhe të folurit saktë. Një komedi ku fëmijët dëgjojnë ç’ndodh kur nuk shqipton dot një shkronjë, apo një tjetër.

  • Donnarumma “lihet në baltë” nga PSG, zemërimi i Gattusos: Ai nuk vihet kurrë në dyshim…

    Donnarumma “lihet në baltë” nga PSG, zemërimi i Gattusos: Ai nuk vihet kurrë në dyshim…

    Situata e Gianluigi Donnarumma është kontradiktë dhe problem serioz për kombëtaren italiane, pak ditë para debutimit të Gattusos si trajner i ri axurr. Nuk është e vështirë të imagjinohet se si trajneri i ri axurr ka shpërthyer nga zemërimi, kudo që ndodhet, kur ka mësuar për ndarjen e papritur me PSG-në.
    Thuhet se portieri italian ka vështirësi me topin në këmbë, gjë që e bën atë të papërshtatshëm për lojën moderne që kërkojnë trajnerë si Luis Enrique, ku topi duhet të kalojë përmes të 11 lojtarëve në fushë, përfshirë portierin. Sidoqoftë, pas kësaj fshihet edhe një çështje kontrate. Megjithatë, asgjë nuk e ndryshon faktin që sot numri një i Italisë është “i papunë”.
    Për Gattuson, portieri Donnarumma është i paprekshëm dhe nuk diskutohet. Ashtu siç tha Gigi Buffon, portieri duhet të jetë i shkëlqyer në pritje, dhe në këtë aspekt askush nuk është më i mirë se Donnarumma. Ai ishte portieri më i mirë në “Euro 2021”, vendimtar jo vetëm te penalltitë. Po ashtu më 2024, edhe pse Italia u eliminua herët, por pa të nuk do të kishte kaluar grupin.
    Sezoni i fundit i tij ishte i jashtëzakonshëm dhe përfundoi me fitimin e Champions-it, të cilën PSG nuk do ta kishte marrë pa Donnarumma. Edhe humbja në finalen e Botërorit për Klube nuk e ndryshon faktin se ai ishte në formë të jashtëzakonshme.
    Në fakt, Donnarumma mund të bëjë gabime si të gjithë, por nuk dështon në momentet kyçe dhe është pothuajse i papërballueshëm në portë. Gattuso ka nevojë për të në ndeshjet që fillojnë më 5 shtator ndaj Estonisë, ku duhet të fitojë duke shënuar shumë gola dhe mbrojtur mirë portën, për të pasur shanse kualifikimi deri në fund kundër Norvegjisë.
    Në 29 gusht do të bëhen thirrjet për kombëtaren, ku trajneri i ri do të zgjedhë 26-28 lojtarë nga një listë e gjerë, ashtu siç bënte edhe Spalletti, për t’i pasur të gjitha opsionet deri në fund. Gattuso e njeh mirë Donnarumma nga dy sezonet së bashku te Milani, e konsideron një lider të pa diskutueshëm. Në moshën 26-vjeçare, Donnarumma ka 74 ndeshje me kombëtaren, duke qenë portieri i tretë më i aktivizuar pas Buffon (176) dhe Zoff (112).

  • ‘Bloomberg’: Rama do të shembë gati gjysmë milionë ndërtime, shtohet zemërimi ndaj tij në veri të vendit

    ‘Bloomberg’: Rama do të shembë gati gjysmë milionë ndërtime, shtohet zemërimi ndaj tij në veri të vendit

    Agjencia amerikane, Bloomberg, raporton se Edi Rama po çon përpara planet e tij për të shembur rreth gjysmë milionë ndërtime në vend.

    “Kryeministri shqiptar Edi Rama po vazhdon me planet e debatueshme për të shembur gati gjysmë milioni ndërtime pa leje në të gjithë vendin, pavarësisht zemërimit në rritje të banorëve vendas, të cilët e akuzojnë për sabotim të industrisë së lulëzuar të turizmit.

    Skuadrat e prishjes po pastrojnë kioskat, zgjatimet në trotuar dhe ambientet e jashtme të kafeneve në kryeqytetin Tiranë. Në qytetin bregdetar mesdhetar të Vlorës, po hiqen kasolle druri dhe bare plazhi. Ndërsa në fshatin alpin verior të Thethit, buldozerët kanë shembur tashmë gati 100 ndërtime.

    Tetë ekipe arkitektësh janë shpërndarë nëpër gjithë vendin me 2.4 milionë banorë. Ata do të vendosin cilat ndërtesa duhet të prishen dhe cilat kualifikohen për legalizim retroaktiv. Ndërkohë, më shumë se 18 drejtorë bashkiakë, si dhe disa drejtues komisariatesh policie, janë shkarkuar nga qeveria për mosveprim ndaj ndërtimeve të paligjshme më herët,” shkruan agjencia.

    Sipas medias amerikane, zemërimi ndaj Ramës po rritet në veri të vendit.

    “Kundërshtarët e planit thonë se kanë shpenzuar kursimet e jetës në prona për turizëm – sektor që përbën rreth 20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto – dhe akuzojnë qeverinë për veprime të pabarabarta, gjë që ajo e mohon.

    Zemërimi është veçanërisht i fortë në veri, ku vlerësimet për Ramën janë më të ulëta krahasuar me rivalin e tij kryesor, ish-kryeministrin 80-vjeçar Sali Berisha. Gjatë protestave në Theth javën e kaluar, banorët ngritën bllokada rrugore dhe hodhën koktej molotovi ndaj inspektorëve dhe policisë, sipas raportimeve lokale.

    Pasojat e qasjes së lehtë ndaj ndërtimeve u bënë të dukshme në vitin 2019, kur tërmeti më vdekjeprurës në historinë e Shqipërisë vrau 51 persona, plagosi 3,000 të tjerë dhe shkaktoi dëme të mëdha materiale. Kostoja për të riparuar mbi 14,000 prona u vlerësua rreth 1 miliard euro (1.2 miliard dollarë). Prokurorët lëshuan urdhër-arreste për inxhinierë, ndërtues dhe zyrtarë të dyshuar për shkelje të standardeve të sigurisë,” raporton agjencia.

     

  • Endri Çela: “Zemërimi i shkronjave” pas 40 vitesh vjen akoma më e përshtatur për realitetin e sotëm

    Endri Çela: “Zemërimi i shkronjave” pas 40 vitesh vjen akoma më e përshtatur për realitetin e sotëm

    Shfaqja “Zemërimi i shkronjave” do të rikthehet në skenë pas 40 vitesh. Një shfaqje me kukulla pjesë e një projekti për të cilin regjisori Endri Çela me aktorët po vazhdojnë punën për ta sjellë në skenë. Në intervistën për gazetën “SOT” regjisori Endri Çela thotë se ka qenë kënaqësi për të që ai të punonte me përshtatjen e këtij teksti shkruar nga Minerva Kumi.
    Ai thotë se pas 40 vitesh ky tekst vjen i freskët dhe i përshtatur akoma më shumë për realitetin e sotëm. Regjisori Çela që e sjell këtë shfaqje në skenë dhe do të jetë premierë në muajin shtator  thotë se teknika e kukullave do të jetë e ndryshme nga shfaqja e parë, sipas tij vlen të përmendet që stili i kukullave do të jetë një stil i ri, i paprovuar më parë te Teatri i Kukullave. Shfaqja është pjesë e projektit Marionetat e Trashëgimisë: Ringjallja e Traditës për një të Ardhme të Qëndrueshme dhe Fuqizimi i të Rinjve përmes Edukimit mbi Trashëgiminë Kulturore, ku regjisori Endri Çela shprehet se fokusi i tij është ringjallja e një trashëgimie kulturore e mbetur në heshtje.
    Regjisori Endri Çela ndalet dhe tek rëndësia që ka Teatri i Kukullave në jetën artistike për fëmijët. Ai shprehet se plot vlera janë shpërfaqur në atë skenë të vogël, por të madhe për nga rëndësia dhe impakti tek edukimi i shumë brezave. Për këtë arsye, sipas tij si regjisor është e udhës që projekte të tilla të kthehen në traditë të përvitshme. Programi “EU4Culture Albania” u shpreh këto ditë se projekti Marionetat e Trashëgimisë: Ringjallja e Traditës për një të Ardhme të Qëndrueshme dhe Fuqizimi i të Rinjve përmes Edukimit mbi Trashëgiminë Kulturore po avancon me ritme të mira. Pas përfundimit të skenarit dhe ndarjes së roleve, aktorët kanë nisur zyrtarisht provat, duke e filluar me një lexim në tryezë dhe ky është një hap i rëndësishëm drejt rikthimit në jetë të shfaqjes me kukulla, “Zemërimi i shkronjave”, e cila është vënë në skenë për herë të parë në vitin 1981 dhe pritet të debutojë sërish në shtator. Kjo nismë mbështetet nga programi i granteve “EU4Culture”, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga UNOPS në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
    -Ju po punoni këtë kohë për të sjellë në skenën teatrore shfaqjen “Zemërimi i shkronjave”,  që do të rikthehet pas 40 vitesh në skenë. Çfarë mund të na thoni më shumë për punën tuaj si regjisor rreth këtij teksti?
    Pas një hulumtimi mes veprave më të suksesshme ndër vite të repertorit të hershëm të Teatrit të Kukulla, u përzgjodh pikërisht “Zemërimi i shkronjave” për t’ia rikthyer publikut të vogël mesazhin se e folura bukur dhe pastër është diçka e qënësishme. Vepra e shkruar nga Minerva Kumi ka patur një sukses të jashtëzakonshëm ndër vite. Prindërit tanë e mbajnë mend akoma batutën e famshme “dua e-në me kaçurrelat tek balli”. Prandaj për nder të këtij suksesi, për kënaqësinë e nostalgjikëve, por edhe për mesazhin edukues ende domethënës edhe në ditët e sotme, u vendos kjo vepër, për të cilën shpresojmë të ketë të njëjtin sukses.
    -Në regjinë tuaj, çfarë përcjell shfaqja në ditët e sotme, mesazhi për fëmijët?
    Së pari më duhet të them që për mua ka qenë kënaqësi të punoja me përshtatjen e këtij teksti. Pas 40 vjetësh ai vjen i freskët dhe i përshtatur akoma më shumë për realitetin e sotëm. Kanë lëvizur skena, janë shtuar dhe hequr momente që mbase nuk i qëndrojnë ditëve të sotme dhe është pasuruar me akoma më shumë batuta komike. Mendoj se puna e deritanishme do e nderojë shfaqjen, e cila tani ka hyrë në procesin e punës me aktorët. Shfaqja, duke qenë se primare ka të folurin, ajo bazohet tek fjala. Teknika e kukullave do të jetë e ndryshme nga shfaqja e parë. Vlen të përmendet që stili i kukullave do të jetë një stil i ri, i paprovuar më parë te Teatri i Kukullave.
    -Ju keni sjelle në skena shfaqje teatrore për fëmijë dhe të rritur, por çfarë mund të na thoni më shumë rreth projektit Marionetat e Trashëgimisë: Ringjallja e Traditës për një të Ardhme të Qëndrueshme dhe Fuqizimi i të Rinjve përmes Edukimit mbi Trashëgiminë Kulturore, përmes të cilit vjen dhe kjo shfaqje në skenë, sa ka rëndësi për ju?
    Ky është projekti i 19-të i karrierës sime për teatrin e fëmijëve, por është i pari projekt me kukulla. Sa do të jetë sfidë për mua, do të jetë eksperiencë dhe kënaqësi. Mezi po e pres kurorëzimin. Përsa i përket projektit “Marionetat e Trashëgimisë: Ringjallja e Traditës për një të Ardhme të Qëndrueshme dhe Fuqizimi i të Rinjve përmes Edukimit mbi Trashëgiminë Kulturore” fokusi i tij është ringjallja e një trashëgimie kulturore e mbetur në heshtje. Mendoj se projekte të tilla duhet të kthehen në traditë dhe për vit të ketë rijetësime të shfaqjeve të vjetra të Teatrit të Kukullave. Ai është një teatër me mbi 75 vite histori. Plot vlera janë shpërfaqur në atë skenë të vogël, por të madhe për nga rëndësia dhe impakti tek edukimi i shumë brezave. Për këtë arsye, është e udhës që projekte të tilla të kthehen në traditë të përvitshme. Me sa kam kuptuar dëshira e financuesve dhe sidomos e drejtoreshës së Qendrës Kombëtare për Fëmijë, zj. Melsi Qirici, është që ky projekt të vazhdojë për vit. Kështu që mendoj se unë isha i pari që u kontraktova dhe shpresoj ta kem hapur rrugën për të tjerët dhe për shfaqjet e tjera.
    -Kjo është një vepër shqiptare, por duke qenë regjisor që keni sjellë në skenë vepra teatrore si për të rritur dhe fëmijë, sa ka rëndësi dramaturgjia shqipe në teatër?
    Dramaturgjia shqipe ka shumë rëndësi për teatrin. Përpos që nxit shtimin e dramaturgëve dhe veprave shqiptare, tërheq edhe më shumë publikun që t’i aksesohet një problematike shumë herë më të afërt sesa të një tjetre, e cila ka paralelizëm me realitetin tonë. Nëse politikat për kulturën do të mendonin më shumë për teatrin, për stimulimin e dramaturgëve tanë, kjo do të ishte një ide shumë e mirë. Do të përfitonin këta të fundit në mënyrë direkte, teatri dhe publiku.
    Intervistoi: Julia Vrapi
    “Zemërimi i shkronjave”
    Olsi dhe Ini janë dy djem që nuk flasin bukur. Flasin me shkurtime se nuk kanë kohë të flasin gjatë. Flasin shëmtuar, se nuk janë radio shekullore që të artikulojnë bukur, pastër dhe pa gabime. Madje do të guxojnë të krijojnë edhe një shqipe të re, moderne. Të gjitha këto i zemërojnë shkronjat e Abetares dhe i vënë në lëvizje që të gjejnë një zgjidhje. Njëra pas tjetrës ato fillojnë të ikin nga fjalori i fëmijëve, duke u përpjekur që t’u mësojnë në këtë mënyrë rëndësinë e të folurit mirë. Por Olsi dhe Ini e gjejnë nga një zgjidhje të shpejtë dhe praktike. Gjersa në fund, në konkursin e interpretimit të vjershave…Një “luftë gjuhësore” mes të folurit të fëmijëve të sotëm dhe të folurit saktë. Një komedi ku fëmijët dëgjojnë ç’ndodh kur nuk shqipton dot një shkronjë, apo një tjetër. Plot humor, argëtim dhe, sigurisht, edukim në këtë shfaqje të bazuar në tekstin e Minerva Kumit, që do të vijë e freskët pas 40 vitesh prej Endri Çelës.