Numërimi i votave preferenciale po vijon si proces në Patos dhe Fier, ndërsa ka përfunduar në bashkinë Roskovec ku kryeson Ilirjan Musko. Ndërkohë në Mallakastër me një diferencë të thellë kryeson Klevis Jahaj i Partisë Socialiste.
Në këtë qark demokratët nuk kanë mundur të marrin as mandatin e pestë në listën e mbyllur. I pari në listën e mbyllur të PD renditet drejtuesi politik i qarkut Gazment Bardhi, Luan Baçi, Brunilda Haxhiu dhe Saimir Korreshi.
PS do të marrë 7 mandate në listë të hapur e cila deri në këto momente kryesohet nga Klevis Jahaj, i ndjekur nga Asfloral Haxhiu dhe Ceno Klosi, ndërsa Zegjine Çaushi fenomeni i rrjeteve sociale arriti maksimumin në Roskovec, duke renditur ndër fituesit e listës së hapur. Jashtë listës fituese deri në këto momente ka mbetur deputeti aktual Nusret Avdulla. Në KZAZ- në nr. 60 ka filluar numërimi i kutive të para.
Drejtuesja politike e PS në qarkun e Fierit, Belinda Balluku refuzoi të bëjë një komente apo t’i kthejë përgjigje akuzave të mëhershme të drejtuesit politik të PD në këtë qark, Gazment Bardhit. Balluku tha se Bardhit nga PS në këtë qark i përgjigjet vetëm kandidatja Zegjine Çaushi.
”Një falënderim zemre”, por me zemër të thyer është reagimi i parë nga Gazment Bardhi. Ai nënvizon se demokratët do të qëndrojnë së bashku të panënshtruar sepse Shqipëria ka nevojë për njerëz të lirë. Kujtojmë se Partia Demokratike arriti të marrë vetëm 4 deputetë në qarkun e Fierit.









