Brenda 5 muajve tregtia e armëve në Shqipëri ka kaluar nën kontrollin e biznesmenit izraelit, Ron Yeffet, mik i kryeministrit Edi Rama. Me mbështetjen e vendimeve qeveritare dhe bashkëpunimin me kompaninë publike “Kayo”, Yeffet ka krijuar “Timak Defence”, duke marrë pjesën më të madhe të aksioneve. Lëvizjet e shpejta dhe ndryshimet në objektet e kompanive tregojnë një skemë të mirorganizuar, me mbështetje të drejtpërdrejtë nga qeveria shqiptare.
SYRI TV
Miku izraelit i kryeministrit Edi Rama, Ron Yeffet (Ron Jefet), prej disa vitesh ka hyrë në tregjet më të rëndësishme në Shqipëri, në energjetikë, pajisje këmbimi për mjete fluturuese dhe transport. Por, prej prillit 2025, ai u përfshi edhe në industrinë e armatimit. Lëvizja e tij tregtare tregoi më vonë se nuk ishte thjesht një trill biznesi. Ajo ishte parathënia e një vendimi të mikut të tij shqiptar, Rama, për t’i dorëzuar monopolin e tregtimit të armëve shqiptare. Pak ditë më parë, shoqëria “Timak”, ku Yeffet është aksioner, mori 80 përqind të aksioneve të kompanisë “Timak Defence”.
Ortaku minoritar i këtij entiteti, me 20 përqind të aksioneve, është kompania publike e prodhimit të armëve, “Kayo”, e drejtuar nga ish-kryepolici Ardi Veliu. Hyrja e Ron Yeffet në sektorin e armëve dëshmon për një histori që duket se është e përgatitur më së miri nga kryeministri shqiptar. Ron Yeffet (Ron Jefet) gjendet zyrtarisht në tregun privat shqiptar prej vitit 2020, me të paktën tre kompani. Njëra prej tyre është “Uno 18”, e themeluar në vitin 2024. Objekti i saj fillestar ishte “Tregtimi me shumicë dhe pakicë i pjesëve të këmbimit të mjeteve të ndryshme fluturimi, avionë, helikopterë, e të tjerë”. Në 30 prill 2025, ortaku vetëm i “Uno 18”, Ron Yeffet, ndryshon objektin e veprimtarisë së shoqërisë, duke shtuar “Import, eksport dhe tregtim të të gjitha mallrave ushtarake, duke përfshirë municionet dhe të gjitha llojet e armatimeve…”. Ky vendim shënoi përfshirjen e tij për herë të parë në sektorin e armëve.
Pak javë më vonë, në 11 qershor 2025, Këshilli i Ministrave, nën drejtimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, miraton vendimin për përcaktimin e kushteve të negociimit të shoqërisë publike “Kayo” me entitete të tjera private, për prodhimin e pajisjeve ushtarake. Sipas atij vendimi, “Kayo” do të zotëronte jo më pak se 20 përqind të aksioneve në shoqëritë e përbashkëta me subjekte private.
Brenda një jave, në 17 qershor, Ron Yeffet blen për një vlerë minimale, vetëm 490 euro, 49 përqind të aksioneve në një shoqëri shqiptare, të quajtur “Timak” dhe që kishte për objekt transportin. Pasi Yeffet u bë aksioner, kompania modifikoi objektin e aktivitetit të saj, duke shtuar edhe “montimi i automjeteve ushtarake, automjeteve të blinduara, ato për operacione taktike, etj.”. Pa iu tharë ende boja vendimit qeveritar, konkretisht në 4 gusht 2025, “Kayo”, e administruar nga Ardi Veliu, nënshkruan kontratë bashkëpunimi me “Timak”, e cila ka një ndër aksionerët izraelitin Ron Yeffet. Ata krijojnë “Timak Defence”, ku shoqëria shqiptare zotëron minimumin e aksioneve të përcaktuar në Vendimin e Këshillit të Ministrave, pra 20 përqind.
Objekti i veprimtarisë së shoqërisë është prodhimi ose përshtatja e mjeteve motorike ushtarake, instalimi i sistemeve të armatimit, pajisjet antidron… dhe çdo sistem tjetër që kërkohet nga forcat e armatosura apo struktura të tjera të sigurisë, për t’u përdorur nga Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, dhe klientë të tjerë vendas apo ndërkombëtarë.
Për momentin, Ron Yeffet është përfshirë në bashkëpunim me “Kayo”-n publike nëpërmjet shoqërisë “Timak”, duke lënë jashtë skenës kompaninë tjetër të tij, “Uno 18”, e cila ishte e para e mikut izraelit të Ramës, që u regjistrua si biznes në fushën e armatimit ushtarak.


