Tag: xhemaili

  • Jasir Asani ruan traditën e golave edhe në Iran, gola me peshë në Champions aziatik

    Jasir Asani ruan traditën e golave edhe në Iran, gola me peshë në Champions aziatik

    Adriatik BALLA
    Në Itali luan kontigjenti kryesor i lojtarëve të përfaqësueses tonë, ndërkohë që nuk janë të paktë dhe ata që luajnë jashtë Europës dhe kanë performancë të mirë. Padyshim që trajneri Silvinjo e ka besuar modulin e tij të lojës dhe ambiciet që ka në krye të pankinës së Shqipërisë tek grupi i lojtarëve që luajnë kryesisht në Europë. Jashtë Europës vijnë më të paktë, kryesisht lojtarë që kanë pasur më herët një peshë në grup. Nga femrat po spikat Riolo Xhemailaj në Zvicër.
    Asani po shkëlqen në Champions të Azisë
    Në Azi nuk luajnë shumë lojtarë shqiptarë, por ata pak që janë kanë të dhëna shumë të mira dhe janë protagonistë me ekipet e tyre. Jasir Asani po e vazhdon shkëlqimin. Ylli shqiptar e gjeti golin në Ligën e Kampionëve të Azisë derisa e ndihmoi ekipin e tij Esteghlal në fitoren 2:0 ndaj Al Vehdat nga Jordania. Përfaqësuesi Kuqezi e realizoi golin e dytë dhe të qetësisë për ekipin iranian, i cili i mori tri pikë në këtë sfidë. 30-vjeçari kishte realizuar pak ditë më parë në kampionatin iranian, ndërsa tash e gjeti golin e parë edhe në Championsin aziatik me Esteghalin. Në total, ai i ka shënuar katër gola me ekipin iranian, tre në kampionat dhe një në Champions. Anësori shqiptar kishte shkëlqyer edhe në Korenë e Jugut, ndërsa tash të njëjtën gjë po e bën edhe në Iran. E në Kombëtaren shqiptare e ka humbur vendin e titullarit kohëve të fundit.
    Talenti/ Roko Vata shënon sërish në Angli,
    Roko Vata është bërë përsëri protagonisti kryesor me fanellën e Uotford, klubit ku aktivizohet prej dy sezonesh. Djali i ish-kapitenit të Kombëtares shqiptare, Rudi Vata, ka shënuar sot golin që i dha tre pikë shumë të rëndësishme skuadrës së Uatford në Championship, duke mundur me përmbysje Uest Bromuiç. Miqtë shënuan të parët, e më pas vendasit barazuan shifrat. Momenti i Vatës do të vinte në pjesën e dytë, kur një gjuajtje e tij e fortë në hyrje të zonës, solli goli e përmbysjes përfundimtare 2-1.
    Futboll femra/ Riola Xhemaili merr elozhe nga trajnerja e saj zvicerane
    Trajnerja e Zvicrës në futboll, Pia Sundhage, e ka vlerësuar lart mesfushorin Riola Xhemaili. Ajo të enjten në konferencën për media, ka thënë se Xhemaili ka zhvilluar përgatitje të mira. Zvicra të premten e luan ndeshjen e parë miqësore kundër Kanadasë, kurse pas katër ditësh ndaj Skocisë. “Le të shohim nëse ajo luan nesër. Ne kemi idetë tona dhe do të shohim nëse ato funksionojnë. Por mund t’u them se Riola është stërvitur shumë mirë”, ka thënë Sundhage. Me selektoren e Zvicrës në konferencë u paraqit edhe Xhemaili. Futbollistja e PSV Eindhovenit, ka folur për paraqitjen pozitive të Zvicrës në Evropian. Zvicra ishte nikoqire e Evropianit që u mbajt verën e këtij viti. Zvicra u ndal nga Spanja në çerekfinale. “Nuk mund ta përshkruaj me fjalë. Ishte një ndjenjë lumturie. Qëndron me mua përgjithmonë. Këto janë momentet që dëshiron t’i përjetosh si futbolliste”, është shprehur ajo. Është hera e parë e Zvicrës që grumbullohet pas Evropianit. Xhemaili ka theksuar se te PSV-ja ka kthyer dashurinë për futbollin. “Thjesht e kam rikthyer dashurinë për futbollin. Pata një kohë të vështirë në Volfsburg’, ka shtuar Xhemaili. 22-vjeçarja për Zvicrën ka shënuar shtatë gola në 34 ndeshje.